Nga Gentian Kaprata
Sikurse pritej, antagonizmi për çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar avancoi ditët e fundit, kur pala pushtetmbajtëse shpalli se teatri do të prishej. Sikurse kryebashkiaku i Kryeqytetit, z. Veliaj, në Komisionin Parlamentar të Medias, edhe kryebashkiaku i Republikës, z. Rama, në seancë plenare të Kuvendit, e deklaruan këtë vendimmarrje të tyre, megjithëse çështja ishte akoma në fazën e ‘konsultimit publik’. Një gabim shumë i madh në dukje ky, në lëminë e agjitacion-propagandës, që mund ti falet z. Rama, i cili jo gjithmonë ka ftohtësinë ti qëndroj skenarit; por kurrsesi z. Veliaj, i cili meriton titullin ‘Mjeshtër i Madh’ në “disiplinën” e manipulimit masiv.
Sigurisht se, as për z, Rama dhe akoma më pak për z. Veliaj, ky nuk ishte një gabim foshnjor, porse arsye të tjera më të epërme se fasada hipokrite, i detyruan të marrin këtë vendim. Arsye të cilat po i kupton edhe pala tjetër, megjithë dinamikat e ndryshimeve që ajo pëson përgjatë këtij procesi. Përditë e më shumë monopoli i artistëve po humbet dhe intelektualë të të gjitha fushave dhe patriotë nga treva të ndryshme të Shqipërisë, po bëhen pjesë e protestës qytetare për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Veçoria e këtij eventi demokratik, ndryshe nga protesta për Parkun e Liqenit dhe Stadiumin Kombëtar, është se ai po reziston drejt thelbit të konfliktit.
Në shtresën e parë, konflikti dukej si një hakmarrje personale e z. Rama ndaj artistëve të Teatrit Kombëtar për dështimin në të njëjtin debat, por 20 vjet më parë. Dhe në fakt, nuk do ishte një çudi, një kategori jo e vogël njerëzish kur fuqizohen kthehen te betejat e humbura kur ishin më të dobët. Në rolin e ministrit dhe më vonë të kryebashkiakut, z. Rama kishte përherë një autoritet më të fuqishëm mbi kokë, që e pengonte të shtypte “mendimin mediokër” të artistëve, ndërsa sot, është Zot i plotfuqishëm që e meriton hakmarrjen e tij. Në këtë shtresë, nga qëndresa u larguan disa artistë që nuk ndanin më mendimin se ‘të brendshmet e Violeta Manushit ishin prej floriri’!
Konflikti kishte dimension të fortë ideologjik, në shtresën e dytë të tij. Të majtët që besojnë te deviza ‘E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash’ u larguan nga instikami i mbrojtjes së godinës së teatrit. Ata humbën nga horizonti publik, apo ju bashkuan nevojës për të përqafuar modernen që lulëzon mbi gërmadhat e së vjetrës që duhej shembur, por gjithsesi krijuan hapësira boshe në barrikadën që filloi të mbushej nga qytetarë të thjeshtë. Këta ju bashkuan qëndrestarëve konservatorë në mbrojtje të historisë dhe arkitekturës së qytetit. Ishte kjo shtresë në të cilën debatin publik mori kthesën nga ‘artista v., qeveri’ në ‘qytetarë v., qeveri’!
Paratë hyn në lojë në shtresën e tretë, dhe jo pak, qindra milion euro u shfaqën në lojën e konfliktit. Disa milion për të ndërtuar teatrin e ri, që do të jetë më moderni që është ndërtuar ndonjëherë, jo vetëm në 105 vite shtet në Shqipëri, por edhe përgjatë gjithë historisë njerëzore globalisht. Për këtë arsye, ka shumë shpresa të fitojmë një dekoratë ndërkombëtare kur ta ndërtojmë. Shumë milion të tjera për të ndërtuar kullat, por edhe ca thërrmija për të bindur ndonjë stoik, që në fillim përbetohej për qëndresë deri në vetëflijim, megjithëse, shumë thonë se ishte shantazhi e kërcënimi i autoritetit, dhe jo paratë që e zgjidhën këtë problem me barrikadën!
Në këtë pikë erdhëm te bërthama e antagonizmit, te ajo që në fakt është thelbi dhe tërësia e gjësë. Është ajo që kemi thënë – edhe për çështjen e vendimmarrjes së dhunshme për të ndërtuar një kënd lojërash për fëmijë në territorin e mbrojtur të parkut të Liqenit, për të ndërtuar një Arenë Kombëtare mbi themelet e Stadiumit Kombëtar, për të ndërtuar një hapësire këmbësore publike, pa publik në Sheshin historik Skënderbej – ‘është politike or mik’! Qytetaria po e kupton, dhe do ta kuptoj akoma më shumë, se Teatri nuk është çështje e një godine historike, as e qindra milion eurove, aq më pak çështje ideologjike; mbrojtja e Teatrit është thelbi i sistemit tonë politik.
Këtu kemi mbërritur pas 5 vjetësh “Rilindje”, do mbetemi në sistemin tonë hibrid të demokracisë apo do kalojmë në një regjim autoritar oligarkik. Për Teatrin nuk mund të ketë kompromis, sepse qeveria shfaqet e sigurt në rrugën e saj, por edhe qytetarët të vendosur. Mes tyre, si pika e fundit e ujit që mbush enën, qëndron një godinë historike për arkitekturën dhe artin skenik, dhe ardhmëria e saj duhet të bëjë historinë e shoqërisë. Dinamika e individëve dhe grupeve përballë qeverisë, sikurse shtresat e këtij antagonizmi, nuk janë lineare me kohën sikurse ky shkrim i prezantoi; por nëse ato e humbin këtë betejë, vazhdimësia e demokracisë është e rrezikuar.
Leave a Reply