Nga Ervis Iljazaj
Botërori që sapo lamë pas ka tre fitues. E para është Franca, që fitoi botërorin e futbollit si ekipi më i mirë. Pavarësisht komenteve, fitoi më i miri, duke shpërblyer talentin dhe sakrificën për të gjithë lojtarët e ekipit Francës, që kanë prejardhje dhe histori të ndryshme për t’ia treguar Botës, dhe ia treguan me lojën e tyre në fushë. Në këtë drejtim , Franca tregoi edhe njëherë se është vendi më i hapur dhe multikulturor në Europë, ndoshta dhe në Botë. Dhe që multikulturalizmi, ndoshta nuk është aq shumë një utopi, por mund të funksionojë.
E dyta është Kroacia, e cila i tregoi Botës se nuk ka rëndësi se sa i vogël je në numër, nëse vendos shpirtin dhe luan me zemër për të përfaqësuar kombin tënd, atëherë, çdo gjë është e mundur. Në këtë kuptim, Kroacia ishte në këtë botëror hirushja, duke bërë të ëndërrojnë shumë popuj apo shtete të vogla se çdo gjë është e mundur. Kështu që, krijimi i një shoqërie të drejtë, meritokrate dhe patriote, gjithmonë të çon drejt rrugës së suksesit.
Kroacia pati dhe shumë mbështetës në Shqipëri. Për faktin se janë Ballkanas, sepse janë fqinjët tanë, ndoshta fqinjët më dashamirës kundrejt shqiptarëve. Apo se me anë të Kroacisë, reflektorët e Botës u ndezën në një rajon që shumë pakë e njohin, ose e njohin për çështje lufte apo konfliktesh etnike. Prandaj, tifoja për Kroacinë e shqiptarëve është mëse e legjitimuar
Pati nga ata që tifozerinë për Kroacinë e mbështesin me argumentin se, janë prejardhës të ilirëve, dhe në një mënyrë apo në një tjetër, jemi dy kombe me lidhje të hershem. Këta po i lë mënjanë, sepse më duket një patetizëm i pajustifikueshëm, aq më tepër që po të njëjtët, vërshuan me komente raciste nëpër rrjete sociale për afrikanët e ekipit francez.
Por mbi të gjitha, pati një fitues të madh si Rusia. Dhe në këto raste, përtej sjelljes për tu duartrokitur të popullit rus, mendja të shkon te Presidentin i saj, Vladimir Putin. Askush nuk mund ta mohojë, se kampionati botëror i futbollit 2018 ishte një super marketing politik, jo vetëm për Rusinë, por personalisht për Vladimir Putin.
Tashmë Rusia dhe Presidentin i saj nuk shihen më nga Bota si një vend jo dhe aq miqësor, grindavec, apo si një shtet që shpesh herë shqetëson gjithë Botën me gjeopolitikën e saj, por, si një vend që diti të hapë dyert e saj për dhe të organizojë një eveniment perfekt.
Sepse, organizimi ishte ndoshta nga organizimet më perfekte të historisë së kampionateve botërore të futbollit. Asnjë incident, asnjë vonesë, asnjë keqkuptim. Çdo gjë në kohën dhe në vendin e duhur. Dikush me malinjitet mund të thojë se, e gjitha kjo falë një shteti autokrat, ku siguria është prioritet. Mund edhe të jetë kështu, por fakti mbetet. Turistëve nga gjithë Bota, do ti ngelen përshtypjet më të mira për këtë eveniment.
Para se të fillonte kampionati botëror, kishte nga ato vende si Anglia, por edhe të tjera, që mendonin ta bojkotonin vetëm për politikat e Rusisë. Klima politike para botërorit nuk ishte nga më të mirat. Jo vetëm që kjo nuk ndodhi , por përkundrazi, çdo gjë shkoi në mënyrën e duhur.
Nëse do të tregohemi malinj deri në fund, ndoshta mund të mendojmë se jo pa qëllim Vladimir Putin e ka lënë takimin me Presidentin Amerikan Trump fill pas këtij evenimenti, ku Rusia ishte qendra e Botës. Megjithatë ky është vetëm një spekulim, përderisa nuk kemi asnjë fakt.
Për të gjitha këto arsye, ky Botëror kishte shumë fitues, dhe mund të thuhet pa frikë se, ishte Botërori më i mirë në aspektin kulturor, politik dhe shoqëror, në historinë e futbollit.
Sepse, vetëm sporti dhe veçanërisht futbolli ka një impak pozitiv të nivelit botëror.
Leave a Reply