Kur ka mbetur dhe vetem një dite nga hapja e nje samiti teper te rendesishem europian ku Shqiperia pret hapjen e negociatave per integrim ne BE, eshte momenti qe te behet nje sinteze e situates ne te cilen ndodhemi. Evenimente te tjera “parazite” kane ndodhur gjate kesaj kohe, siç eshte zhurma mediatike per hapje kampe refugjatesh ne Shqiperi apo siç eshte ashpersimi jashte mase i marredhenieve midis partnereve te BE-se ne dosjen e emigranteve. Le t’i marrim me rradhe.
Çfarë dimë për fatin e hapjes së negociatave?
Gjerat nuk kane avancuar me shume per Shqiperine se aty ku i lame ne samitin e BE-se ne Sofie ne mesin e majit. Karshi propozimit teknik te Komisionit Europian qe te hapen negociatat me Shqipërine u formuan dy “kampe”. Nje shumice vendesh te udhehequra nga Gjermania formuan kampin ne pergjithesi te favorshem per hapjen e ketyre negociatave me Shqiperine. Dy vende u treguan skeptike qe keto negociata mos te hapen, dhe ne kete kamp hyjne Franca dhe Holanda. Secila nga keto te dyja per arsyet e veta.
Franca me se shumti per arsye “makro”, me idene se nuk mund te vazhdohet me iluzionin e zgjerimit te BE-se pa vene rregull se pari brenda ne BE-ne e gerryer nga divergjenca te thella si per strategjine financiare te zones euro ashtu dhe per strategjine e te 27-eve ndaj emigranteve. Nese flitet per zgjerim te BE-se ne nje moment kur kriza ka prekur vete ekzistencen e BE-se, atehere do te behet keshtu loja e ekstremeve te djathta, vlereson Presidenti francez, qe ka frike ta hape kete debat te zgjerimit ne vigjilje te zgjedhjeve europiane.
Hollanda nga ana e saj e mbeshtet refuzimin ndaj Shqiperise ne arsye më “reale”. Ajo dergoi nje grup deputetesh ne Shqiperi per te pare perparimet ne terren, por ata mbeten te zhgenjyer nga vizita. Edhe ironia qe beri me ta kryeministri i Shqiperise e perkeqesoi edhe me shume opinioin e deputeteve holandezë ndaj Shqiperise sesa ndihmoi ne sheshimin e keqkuptimeve.
Dhe jane pikerisht keto dy vende, Franca dhe Holanda qe kane derguar raporte ne adrese te partnereve te tjere europiane per te justifikuar pse refuzojne hapjen e negociatave, duke permendur problemet kryesore nga te cilat vuan kahera Shqiperia siç jane korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Megjithate, duhet thene se keto raporte te Frances dhe Holandes jane bere ne maj ku pritej opinioni i tyre ne kuadrin e Samitit te Sofies. Ne keto raporte negative perfshihej jo vetem Shqiperia por dhe Maqedonia. Veçse pak jave me vone, Maqedonia nenshkroi nje marreveshje historike me Greqine ne lidhje me ndryshimin e emrit qe i heq nje gjemb te madh nga kemba dhe BE-se.
Per kete “sakrifice” gjeopolitike Maqedonia e meriton hapjen e negociatave si shperblim. A do ta marre rrezikun Franca dhe Holanda te votojne pro hapjes se negociatave me Maqedonine dhe kundër Shqiperise? Personalisht nuk e besoj. Per mendimin tim, ne Samitin e 28-29 Qershorit, do te hasim ne nje qendrim te sinkronizuar: ose Maqedonise do t’i hapen negociatat dhe me kete rast Shqiperia do te perfitoje edhe ajo. Ose Maqedonise do t’i thuhet jo, dhe Shqiperise po ashtu nuk do t’i hapet drita jeshile.
Kriza e emigranteve dhe implikimi i panevojshem i emrit te Shqiperise?
Strategjikisht, Shqiperia kishte interes madhor te mos i perzinte me njera- tjetren dosjen e hapjes se negociatave me dosjen e kampeve te refugjatave. Nuk duhej ne asnje menyre qe opinionet publike ne Europe te na asimilonin me dosjen e emigranteve. Por ndodhi e kunderta dhe ketu qeveria shqiptare mban nje pergjegesi historike. Qe kur gazeta ‘Le Monde’ hapi e para “thashethemin” ne fillim te Qershorit mbi ekzistencen e negociatave sekrete per hapje kampe refugjatesh ne Shqiperi, qeveria shqiptare duhet te kishte reaguar fuqishem per ta denoncuar kete lajm si “fake news”.
Te mos mohosh, eshte te pranosh. Kjo i ndodhi Shqiperise keto dite dhe lajmi ne fjale, i vertete apo i rreme filloi te instalohet ne opinionet publike ne Europe se Shqiperia eshte caktuar si vend ku BE-ja do te dergoje emigrantet e padeshiruar nga Siria e gjetiu. Opinionet publike ne europe ishin tashme skeptike per hyrjen e Shqiperise ne BE, si vend i korruptar dhe me kriminalitet. Me kete lajm, i rreme apo i vertete, Shqiperise i vihej pergjithmone kryqi.
Si mund te integrosh nje vend qe do shnderrohet ne platforme per te derdhur e dergjur aty pikerisht ata qe Europa nuk deshiron t’i integroje? Kete kurth ne komunikacion qe po i ngrihej si laku ne fyt, qeveria shqiptare nuk e pa, ose beri sikur nuk e pa. Nje kurth pervers qe jo vetem kompromenton integrimin e Shqiperise, por dhe shkaterron dhe strategjine turistike te Shqiperise ne vigjilje te hapjes se sezonit te veres.
Kur personaliteti me mediatik ne France nga shoqeria civile, Bernard Henri Levy, filozof, ia plas ne nje emision televiziv, siç e beri te dielen e kaluar, se “eshte vendosur qe Shqiperia te shnderrohet nje vend-plehre ku te depozitohen aty mbetje humane, dhe ky eshte skandal” dhe ata franceze te pakte apo te shumte qe kishin programuar te kalonin pushimet ne Shqiperi, fillojne detyrimisht dhe nderrojne planet per pushimet….
Nuk arrij ta kuptoj sesi ndenji kaq pasive qeveria e Shqiperise kur nuk pergenjeshtroi fuqimisht ne agjensite kryesore te lajmeve ne europe si AFP e Rojters se behet fjala per lajme te rreme keqdashese dhe se Shqiperia nuk ka aspak ne axhenda hapje kampe refugjatesh por hapje negociatash per integrim dhe hapje kompleksesh moderne turistike per te pritur pushues nga e gjithe bota…
Shqiperia pret turistë jo refugjate, kjo eshte abc-ja e komunikimi0t ne nje kontekst konkurues me fqinjet. Si i shpetoi qeverise ky mesazh? Qeveria shqiptare jo vetem qe s’beri kete perçapje minimale per nje mesymje ne komunikim per ta mbytur qe ne embrion kete ide te çmendur qe filloi te qarkulloje ne Europe, pra jo vetem qe s’beri “komunikacion ne periudhe krize” per te mohuar gjithçka, por ndermori te kunderten, i dha kredibilitet lajmit.
Qeveria nxori ne media dy zevendesministra, ate te Puneve te Jashtme dhe ate te Brendshmin, per te thene te njejten gje, se nuk eshte aspak problem per Shqiperine per te pritur emigrante nese BE-ja na e kerkon! Kryeminsitri Edi Rama vete hyn ne valle si per t’i dhene bekimin kesaj thashethemnaje duke deklaruar se Shqiperia eshte e gatshme te marre ne lidhje me refugjatet qe po dynden ne Europe pjesen qe i takon! Nje gabim strategjik fatal! Shqiptaret kishin nje tjeter prioritet, hapjen e negociatave per integrim.
Perse Rama hapte nje front te dyte jo vetem te panevojshem por dhe te demshmen qe hyn ne kontradikte me prioritetin e pare? S’e parashikonte ai qe opinionet publike ne Europe do shtronin pyetjen me vend, si juve politikane europiane do t’i hapni negociatat per integrim nje vendi qe keni parashikuar vete ta shnderroni ne nje “landfill” refugjatesh qe nuk duam t’i integrojme?
Deklarata e Rames qe Shqiperia eshte e gatshme te marre pjesen qe i takon ne lidhje me refugjatet, shtronte edhe nje tjeter problem logjik te dyfishte. E para si e “mat” kete pjese qe i takon Shqiperise kreyministri Rama? A e mat ai ne raport me Europen e 28-eve te BE-se apo me Europen e 48-te te kontinentit europian? Perpjekja e Shqiperise s’mund te ishte ne raport me BE-ne pasi Shqiperia nuk eshte anetare e BE-se. Per me teper qe ka shume vende ne BE qe as nuk duan fare te marrin pjesen qe u takon, sic eshte rasti i vendeve te grupit te Vishegradit ne Europen Qendrore.
Rama s’mund te tregohej me “katolik” se Papa. Nese ai e ka patur fjalen per nje pjese qe i takon ne nje plan me te gjere, ate 48 e vendeve te kontinentit europian, perse u degjua ne kete dosje te refugjateve vetem Kryeministri i Shqiperise dhe jo per shembull udheheqesit e Malit te zi, apo te Bosnies, Serbise, Maqedonise, e deri nga Moldavia, Gjeorgjia, Ukraina apo Bjellorusia?
Perse ju duk e nevojshme Edi Rames te nderhynte pa e ftuar njeri ne kete debat te emigranetve ne Europe, ne momentin kur duhet te heshtte per te mos bere interference me dosjen prioritare, ate te hapjes se negociatave per integrim? Já shume perse qe ndoshta nje dite Rama do t’i sqaroje duke na thene se pikerisht shpresonte te fitonte pike me teper per hapjen e negociatave. Naivitet apo moskapacitet per largpamesi? Sido qe te jete ai e di se e kishte djegur nje xhoker te tille me armet kimike. Insistimi i tij me keshtu lloj provokimesh pa bereqet eshte me shume fyerje qe i ben inteligjences…
C’do te behet tani ?
Ne samitin e 28-29 Qershorit, dosja e hapjes se negociatave me vendet e Ballkanit Perendimor nuk do te marre shume kohe perballe dosjes prioriatare per BE-ne, ajo e emigranteve. Gjasat jane per hapje negociatash me kushte per Maqedonine dhe Shqiperine per te fituar edhe me shume kohe sa te kaloje kjo periudhe “e ndere” me opinionet publike ne Europe te cilat jane turrur me shume se kurre kundër “emigranteve”.
Eshte kjo fryme anti-emigrant qe ka konsoliduar ne pushtet qeverite nacionaliste ne Hungari e Poloni apo ka sjelle ne pushtet parti nacionaliste ne Itali dhe Austri dhe rrezikon po ashtu te sjelle ne mase nacioalistet ne Parlamentin Europien ne zgjedhjet e 2019-es. Ndaj po u hapen negociatat per Maqedonine dhe Shqiperine kjo do behet pa me te voglen buje mediatike nga qeveritaret europiane, te cilet do te mbrohen para opinioneve te tyre publike se nuk i hapen tamam negociatat me keto dy vende por iu vune kushte. Nuk eshte momenti t’u thuhet popujve ne Europe se pertej emigranteve nga Siria dhe Libia qe po vijne me anije dhe s’po arrijme t’i bllokojme, po ju sjellim vete me duart tona “emigrante” te rinj nga Ballkani Perendimor…
Per sa i perket dosjes aq shume te perfolur te hapjes se kampeve te refugjateve ne Shqiperi, besoj se dhe kjo flluske sapuni do plase aq shpejt me 28 qershor si ç’filloi ne fillim te Qershorit. Dhe kjo, besoj, fale Frances e cila qe ne fillim nuk e pa fare si logik as si human kete opsion te mbrojtur nga Danimarka, Austria e deri diku Gjermania per hapje kampesh ne Shqiperi. Presidenti Makron po e thote qarte keto dite, nese kampe te tilla duhet te ngrihen ka vetem dy opsione: ose brenda vendeve te BE-se e pikerisht aty ku vijne anijet me emigrante, domethene ne Itali ku mund te ngrihen kampe “te mbyllura”, domethene pa te drejte daljeje per refugjatet deri sa te studjohen dosjet e tyre per azil , ose keto kampe te ngrihen ne Libi.
Italia nuk eshte sigurisht dakord qe keto kampe te ngrihen ne Itali dhe e pranon opsionin tjeter francez qe te caktohet Libia si vendi per ngritjen e kampeve te seleksionimit te refugjateve. Per kete shkoi dje Salvini ne Tripoli, qe te negociohet me Libine, nje marreveshje si me Turqine, fonde europiane ne shkembim te bllokimit te refugjateve ne kampe ne Libi. Salvini perfitoi po ashtu nga rasti dje ne Libi, per ta ofenduar publikisht presidentin francez duke thene se Makron eshte “15 here me i keq” se kreyministri hungarez Viktor Orban i njohur per “pashpirtesine” e tij ndaj emigranteve.
Samiti i 28-29 qershorit pritet pra te jete ai i divorcit te madh per shkak te dosjes se emigranteve. Shqiperia beri shume gabim qe e la vehten te perfshihej ne kete mesele. Po te donte vertete te implikohej per arsye humanitare, Kryeminstri Edi Rama mund te kish deklaruar fare mire se Shqiperia do e ndihmoje Europen duke pritur te pakten ata dhjetra mijera azilkerkues shqiptare qe Europa nuk do qe t’i mbaje. Mund te kishte kerkuar edhe fonde per kete, jo per te ndertuar kampe per sirianet, por per t’u dhene fatkeqeve te kombit tone ne kurbet, pune, strehim, kujdes shendetesor e shkollim. Pak a shume ate qe do te benim per sirianet…
Leave a Reply