• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
FRROK ÇUPI/ Një Bashë alias Haklaj dhe pesë Berishë përballë
Home
Politikë

FRROK ÇUPI/ Një Bashë alias Haklaj dhe pesë Berishë përballë

October 8th, 2021 F.autor Blog, Politikë 0 comments

‘Shkencëtarët’ e botës janë ngritur e po gjurmojnë me dron nga njëra mendje te tjetra se ‘çfarë po kërkon Berisha nga Basha?’.

Asgjë të thellë e të komplikuar; Berisha po i kërkon Bashës atë që i ka dhënë. “A të bëra kryetar të PD? Të bëra… Atëherë sille këtu se do t’ia jap tjetrit”. Ja kaq është.

Fëmijët inatçi e kanë provuar kështu: ‘Ta dhashë mollën dje në kopshtin tim? Nxirre tani nga barku, ose ta shpova!’. Ja kaq është, nuk ka shkencë kjo që po bën Berisha.

Ka edhe një ngjashmëri tjetër, ku Berisha krahasohet vetëm me Berishën. E vetmja ngjarje si kjo që ka ndodhur në botë, asnjë tjetër. A është vepër kriminale?… Këtë mund ta thotë vetëm Amerika ku nuk mbërrijnë predhat e kallashëve e as të snajperëve të Berishës.

Por ka ndodhur këtu mes nesh, me zë e me figurë:

Berisha- president i Republikës, në vitin 1997 shkon në Tropojë dhe bën një miting të madh me thirrjen ‘dynduni burra të sulmojmë Vlorën e Jugin krejt!’. Tropojanët as që mund t’i shkonin pas në krim. Një nga djemtë e Haklaj, me të cilët Berisha kishte pasur një miqësi herët (si me Lulin që e kishte të familjes), u ngrit e tha ‘Jo’; madje ai preu edhe telat elektrik me qëllim që të mos i punonin altoparlantët presidentit Berisha. Berisha tërboi; tërboi e u bë si ari i plagosur. U shkalafyt në tribunë e nisi piskamën:

“E dua këtu… E dua me vete…. Të gjallë a të vdekur e dua me vete në Tiranë”.

Jehona kriminale e atij zëri që kërkonte një djalosh me vete si një berr të therur, gjëmoi deri në Shkëlzen. Djaloshi ishte Shkëlqim Haklaj, i cili u vra në Qafë Luzhë vetëm pak kohë pas ngjarjes me altoparlantët. Këtu nisi të shthuret fija mizore e vrasjeve të 200 djemve në Tropojë, për të cilët, gojë më gojë akuzohet Sali Berisha. Në Haklaj u vranë pesë vëllezër, që pastaj një dorë nga Tirana iu dhunoi edhe varret e iu dogjën shtëpinë.

Kaseta për Shkëlqimin shkoi në dorë, deri te Azemi, e aty vazhdoi nami… Por ama zëri i Berishës që thërret se “e dua me vete… E dua të gjallë a të vdekur…”, ndodhet në çdo kronikë ose spektër të Youtube.

… Berisha e do për vete Lul Bashën, ‘të gjallë a të vdekur’, e do për vete. Ja kaq është, kaq e thjeshtë, nuk ka asnjë shkencë.

Çfarë është kjo fjalë ‘për vete’?

Aspekti i parë:

Berisha, në të tijën, ka të drejtë. PD- në e kishte kthyer në çiflig të tij; çifligu i lihet vetëm birit; e kur nuk ke bir- birëson një nga nën- sqetulla jote. Berisha birësoi njërin nga nën- bijtë, Lulin. Fillimisht e ushqeu me lugën më të mirë në familje; pastaj e mësoi si të gjuajë për pasuri; pastaj e vëzhgoi  me cilët zyrtarë të huaj ka më shumë afeksion; e dërgoi deri te Gaddafi i Libisë për të shitur armë; e mësoi edhe si mi edhe si mace…

Nuk mund ta mendonte se një ditë Luli do t’i dilte si Shkëlqim Haklaj që t’i fikte dritën.

Aspekti i dytë:

Berisha e donte Bashën për ‘këtë jetë e për atë jetë’. Më shumë ‘për atë jetë’; sepse atëherë Basha do të ishte ‘qen roje’ i thesarit ilegal të Berishës. Bash me këtë qëllim, Berisha e futi Bashën nëpër bodrumet e tij, ku djaloshi pa, dëgjoi dhe u tmerrua. U tmerrua dhe doli një ditë e tha: ‘Çfarë dimë unë e Berisha, kurrë mos ua pafshin sytë’. Kushdo që të ishte Basha, sado pak njeri të jetë, nuk mund të mbajë peshën e tmerrshme të bëmave të Berishës kundër vendit të vet, kundër njeriut dhe fateve të popullit. Atëherë e hodhi ‘atin’ në katakombet e veta dhe mori mbi shpatulla kryqin e shpëtimtarit. A e pranojnë këta ushtarët e vegjël të PD si shpëtimtar?, sigurisht që po. Ky është tërbimi i ‘atit’.

Aspekti i tretë:

Tani Berisha nuk është Ai që kthehet nga Tropoja, i vetëm, me ‘berrin’ e therrur në qafë. Vrasja e Shkëlqimit nuk u interesonte të tjerëve. Ndërsa ‘vrasja’ e Lulit sot u intereson më shumë të tjerëve rreth Berishës, se sa Berishës. Tani janë bërë nja katër a pesë ‘Berishë’ që po i kërkojnë Bashës ‘mollën nga barku’. Jozi, Kulluri, Haxhi, Kokali…, i kërkojnë Bashës postin e kryetarit të PD. Këta po deklarojnë se ‘veç tri javë e Basha bie’, si në legjenda me vajzën e mbretit ‘veç tri javë e veç tri net’. Jozi deklaroi se ‘nuk mund të rri më në shtëpi…’, njësoj si në përrallën me delet në det: Gruas prej malit iu bë se dallgët e bardha ishin dele, dhe cyti djalin të zhytej drejt barkut të detit…

Këtyre iu duket se Berisha mban në çini ‘kokën e përgjakur’ të kryetarit të PD, dhe e rrethojnë me vaje e me lutje: ‘Veç për mua, zotni Berisha, veç për mua’…

Dhe Berisha, për këtë arsye ia kërkon ‘kryetarllëkun’ Bashës; vetë ‘ta dhashë’ e tani ia do që t’ia japë dikujt tjetër mes të pestëve.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Për gjithë ata që mendonin se “po përdornin Berishën, kundër Bashës”
Previous article SKËNDER MINXHOZI/ Trump dhe dashuria false e Berishës për konservatorët amerikanë

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k