Për sistemin e drejtësisë në Shqipëri është kohë e vështirë. Institucionet kushtetuese tranzitore të sistemit, që do të funksionojnë deri në krijimin e institucioneve të reja, janë në krizë të qartësisë së identitetit, kanë ligjërisht kompetenca të cunguara dhe realisht duket sikur nuk janë. Të tillë fat kanë pasur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Kryeinspektori pranë tij, Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Prokurorisë.
Institucionet e reja të sistemit, të premtuara nga amendamentet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, janë ende larg për t’u konstituuar dhe se vendimet e para të tyre janë një “do të” e parrokshme se kur do të ndodhin. Këtë fat kanë pasur parashikimet në letër të Kushtetutës për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, gjykatat e posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme.
Të vetmet institucione kushtetuese të Reformës në Drejtësi të krijuara deri më sot janë komisionerët publikë (prokurorët e disiplinës së procesit të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, apo ajo që njihet me zhargonin “procesi i vetingut”), Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Gjykata e Shkallës së Parë e procesit të vetingut), Kolegji Apelimit (Gjykata e Apelit e procesit të vetingut), Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (prezenca e mbikëqyrësve ndërkombëtarë gjatë procesit të vetingut) dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, apo organi nga i cili dalin kandidaturat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese apo Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Nga këto organe të reja të krijuara, funksionin po e kryejnë vetëm institucionet aktore në procesin e vetingut. Ndërkohë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, megjithëse i konstituuar dy vite radhazi, nuk ka kryer asnjë funksion, përveç disa mbledhjeve pa produkt dhe pa vendime. Me gjasë, vendimet e para të këtij organi do të merren pasi procesi i vetingut të ketë përfunduar rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve anëtarë. Ndoshta vendimet e para do jepen motin e tretë të konstituimit të tij.
Nga 11 Gushti 2016, datë kur ndryshimet kushtetuese hynë në fuqi, nga Gjykata Kushtetuese kanë dhënë dorëheqjen tre gjyqtarë. Një gjyqtar tashmë është i pezulluar nga detyra, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimin vendosi shkarkimin e tij. Gjykata Kushtetuese, nga 9 anëtar që ka sipas Kushtetutës, sipas faktit ka mbetur me 5. Në këto kusht,e Gjykata Kushtetuese nuk ka kuorumin ligjor për të gjykuar në seancë gjyqësore dhe praktikisht nuk funksionon.
Sa kohë do zgjasë kjo periudhë tranzitore në vend, realisht, nuk do të ketë institucion garant të drejtësisë kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke qenë se pret t’i nënshtrohet vetingut, nuk do të çojë përpara Presidentit të Republikës, Kuvendit apo Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë emrat kandidatura për të plotësuar vakancat. Sipas gjasave, Gjykata Kushtetuese do të mbesë e pamundur për një kohë të gjatë. Gjykata e Lartë, sipas organikës së ligjit të shfuqizuar, ka 19 gjyqtarë. Po bëhet viti dhe Gjykata e Lartë efektivisht ka 9 gjyqtarë.
Që prej datës së hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese kanë dhënë dorëheqjen 7 gjyqtarë. Dy nga 19 gjyqtarët nuk u emëruan kurrë, nga mosmarrëveshjet që Kuvendi pati në dy legjislatura të ndryshme me Presidentin e Republikës. Sipas ndryshimeve kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili nuk është konstituuar akoma dhe nuk pritet të konstituohet së afërmi, për shkak se më parë duhet të kryhet procesi i vetingut për 6 kandidatët gjyqtarë. Sipas ligjeve procedurale, në mënyrë që Gjykata e Lartë të funksionojë me tre kolegje normalisht (Kolegji Penal, Civil dhe Administrativ), duhet të ketë minimumi 15 gjyqtarë.
Praktikisht, për shkak të mungesës së gjyqtarëve, nuk mblidhen dhe nuk gjykojnë dot Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë për të ruajtur koherencën dhe njëtrajtshmërinë e praktikës gjyqësore. Njëlloj Gjykata e Lartë është e pamundur, për shkak mungese kuorumi, për të zgjedhur 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Edhe kolegjet sot, me 3 apo me 5 gjyqtarë, po gjykojnë rekurse ndaj vendimeve të gjykatave të apelit, të cilat janë dhënë mesatarisht 4 vite më parë.
Sipas gjasave, edhe sikur të marrim të mirëqenë se nga procesi i vetingut s’do ketë pakësim numrash për këtë institucion, Gjykata e Lartë do të mbesë e pamundur për një kohë të gjatë. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto pamundësi faktike, në fundin e vitit 2016, Kuvendi miratoi ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në të cilin, nëpërmjet një dispozite tranzitore, ndaloi Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që të transferojë, promovojë apo emërojë në detyra të përhershme, në gjykata dhe prokurori, gjyqtarë dhe prokurorë.
Muaj më vonë Gjykata Kushtetuese e gjeti në pajtim me Kushtetutën këtë ligj, që vendoste mbarimin dhe pushimin e ekzistencës pjesërisht të shtetit. Kjo periudhë tranzitore e sistemit të drejtësisë në Shqipëri sa vjen e do të rëndohet sipas gjasave, duke pasur parasysh edhe lajmet që vijnë nga organet e vetingut. Gjyqtarët dhe prokurorët, sipas Kushtetutës dhe ligjit, sot mundet të shkarkohen, por, sipas ligjit, nuk mundet të emërohen apo zgjidhen të rinj.
Me këtë ritëm dhe raport të gjyqeve të vetingut, ndërmjet të konfirmuarve në detyrë dhe të shkarkuarve, del se për çështje muajsh numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend do të ulet me disafish dhe pamundësitë e funksionimit të sistemit të drejtësisë do të shtohen me disafish. Për opinionin publik, që është ngarkuar me të drejtë dhe pa të drejtë negativisht kundër njerëzve të sistemit të drejtësisë, duket sikur perceptimi është se këto janë probleme vetëm të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
Edhe pse në kuptimin e ngushtë kjo është e vërtetë, kushdo mendjehapur, para se të mos i bëhej vonë për gjyqtarët dhe prokurorët që po shkarkohen, do të duhej të shqetësohej edhe për fatin e shtetit të së drejtës në Shqipëri gjatë periudhës së tranzicionit të sistemit të drejtësisë. Për shtetin e së drejtës nuk mundet të jetë kurrë lajm i mirë qeverisja pa gjyqë- sor, megjithëse qeverisja pa gjyqësor mundet të jetë më e lehtë. Njëlloj për shtetin e së drejtës nuk mundet të jetë kurrë lajm i mirë kur ligjvënësi nuk gjykohet për kushtetutshmërinë e ligjeve që miraton.
Ndaj Kushtetuta e Shqipërisë ka parashikuar në nenin 7 se sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Praktikisht dhe cilësisht në Shqipërinë e tranzicionit të sistemit të drejtësisë duket sikur neni 7 i Kushtetutës po zbatohet pa pjesën e fundit të tij. Nga ana tjetër, për shtetin e së drejtës në Shqipëri nuk mundet të jetë kurrsesi lajm i mirë ekzistenca e një sistemi drejtësie vetëm formalisht, pasi materialisht ai ka treguar në mënyrë permanente se është i varur nga pushtetet e tjera dhe se funksional e bën kryesisht fenomeni i korrupsionit, karakteristika të cilat e pengojnë për të dhënë drejtësi dhe e shfrenojnë për të dhënë vendime.
Shumëkush në opinionin publik, përballë pamundësisë tranzitore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, mundet të sugjerojë që zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe kryesisht lajmet nga procesi i vetingut do të duhet të prodhohen në mënyrë të tillë që të mos paralizohet së funksionuari një nga degët e sistemit qeverisës. Në këtë mënyrë, kjo linjë arsyetimi do të synojë më së pari të mos pushojë së funksionuari pushteti gjyqësor.
Nga ana tjetër, shumëkush, për të njëjtat arsye, mundet të konkludojë se, nëse sistemi i drejtësisë prodhon vetëm vendime dhe jo drejtësi nga kapja politike, kriminale dhe korrupsioni, më mirë të mos e kemi fare dhe ta lëmë pa zbatuar pjesën e fundit të nenit 7 të Kushtetutës. Kjo ngjan të jetë dilema e popullit shqiptar, pas 27 viteve përpjekje për të ndërtuar shtetin e së drejtës, dilemë kjo shekspiriane, që përsëritet çdo ditë në fundin e dekadës së dytë të shekullit XXI nën pyetjen: Të kesh a të mos kesh sistem drejtësie? *Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Leave a Reply