• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
ERVIS ILJAZAJ/ Pasi vendosi taksa të majta, Edi Rama nuk mund të vendosë edhe taksa të djathta
Home
Blog

ERVIS ILJAZAJ/ Pasi vendosi taksa të majta, Edi Rama nuk mund të vendosë edhe taksa të djathta

April 2nd, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Protestat kundër pagesës në “rrugën e kombit”, përtej rastit konkret, nxori në pah, atë që po ndodh prej disa kohësh me politikat fiskale dhe ekonomike të qeverisë Rama.

Ka një kontradiksion të thellë apo inkoherencë, ose mospërputhje, mund ta quajmë si të duam, të politikave fiskale të qeverisë Rama. Është inkoherenca e mënyrës së taksimit të qytetarëve, e cila tregon se qeveria nuk ka një vizion apo mënyrë qeverisje të qartë në këtë fushë. Qeveria Rama, është duke aplikuar taksa të majta dhe të djathta njëkohësisht, gjë e cila është e papranueshme dhe, shpesh çon në revolta qytetare, siç ishte rasti i Kukësit.

Sepse, sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, Edi Rama vendosi taksën progresive, në koherencë me krahun politik të cilin përfaqëson, atë të majtë, edhe pse i moderuar me ardhjen e tij në krye të Partisë Socialiste.

Në këtë kuptim, politikat fiskale që propozoi qeveria Rama ishin politika të majta, duke u bazuar te slogani: “kush fiton më shumë paguan më shumë”. Jo vetëm kaq, por në përgjithësi u ndoqën politikat e taksave të larta, duke nënkuptuar se, ishte shteti ai që do të kujdesej për shërbimet publike.

Deri këtu çdo gjë është në rregull, pasi, e majta kryesisht takson shumë duke i dhënë një rol të rëndësishëm shtetit në shërbime dhe ekonomi. Në shumë shtete sociale, sidomos në Europën Kontinentale, taksat janë të larta, dhe, qytetarët pranojnë t’i paguajnë ato përkundrejt shërbimeve që më pas shteti iu jep atyre.

Mirëpo, kundër këtyre politikave të taksave të majta, Edi Rama po u kërkon qytetarëve të paguajnë edhe taksa të llojit kapitalist dhe të tregut të lirë, apo të djathta, siç është pagesa për “rrugën e kombit”, ku presupozohet që qytetarët që do përdorin atë rrugë duhet ta vetëfinancojnë nëpërmjet pagesës, dhe shërbimi do iu kthehet mbrapsht nëpërmjet një kompanie private.

Qeveria Rama duhet të zgjedhë ose njërën, ose të tjetrën mënyrë taksimi, sepse të dyja janë një barrë e papërballueshme për qytetarët shqiptarë. Një qeveri, ose mban nivelin e taksimit të lartë, dhe kujdeset vetë për shërbimet publike, ose ul taksat dhe shërbimet ia lë në dorë privatit, sipas parimit kosto-përfitim apo tregut të lirë, që është një mënyrë vetërregulluese dhe vetëfinancuese për çdo sektor, edhe atij të transportit.

Mënyra e fundit është mënyra më e mirë për zhvillimin ekonomik shqiptar, pasi të pranosh taksat e larta dhe shërbimet publike nga shteti, më së pari, duhet të kesh një administratë efikase, dhe së dyti, duhet të kesh një klasë politike të përgjegjshme dhe të ndershëm. Të dyja këto elemente nuk ekzistojnë në realitetin shqiptar. Kështu që, taksat e ulëta, iniciativa e lirë ekonomike dhe roli i vogël i shtetit në ekonomi dhe shërbime, është rruga që Shqipëria duhet të ndjekë për zhvillimin e saj.

Por, gjithmonë duke patur një strategji të qartë taksimi, dhe jo duke krijuar kontradiksione për rolin e tij nëpërmjet taksave të larta dhe të majta, dhe njëkohësisht duke u kërkuar qytetarëve të pranojnë dhe taksa të djathta. Sepse, rreziku që ekziston në këto raste, siç u shfaq edhe në protestën e Kukësit, është urrejtja ndaj pronës private, apo krijimit të idesë se ekonomia private është një e keqe e madhe për shoqërinë shqiptare, duke na kthyer kështu mbrapa te nostalgjia komuniste, të cilën shumë nga zërat publikë, në një mënyrë apo tjetër, janë duke e promovuar dhe duke nxitur urrejtje kundër tregut të lirë.

Politikat fiskale, para se të jenë instrumente të ekonomisë, janë në radhë të parë, instrumentet që tregojnë raportin që ekziston midis shtetit dhe shoqërisë. Ky raport duhet të jetë, ose në favor të individit me një shtet të vogël, ose në favor të shtetit, me një liri ekonomike të kufizuar. Të dyja bashkë nuk mund të jenë kurrsesi. Sepse gjëja e parë që ka nevojë një shoqëri, është qartësia e raportit të saj me pushtetit. Nëse ka paqartësi, atëherë revoltat si ajo e Kukësit gjithmonë e më shumë do të shtohen.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MUSTAFA NANO/ Hej njerëz, prej dhunës askush nuk fiton!
Previous article SHPËTIM LUKU/ Konkurenca hileqare

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k