“Mësuesi që la gjurmë tek unë” është nisma më e re e Portalit Shkollor, e cila fton njerëzit e njohur të flasin për mësuesin që la gjurmë tek ata. Sot, gazetarja Erjona Rusi na tregon për mësuesen e saj të parë Belkize Stërniqi.
Kur je në atë moshë, nuk perception dot shumë gjëra, mbase as vrazhdësinë apo ndonjë të bërtitur. Mbase edhe mund të inatosesh kollaj me mësuesen/in tënd. Por vetëm kur arrin në këtë fazë të jetës ku jam unë, kupton se çfarë roli ka mësuesja/mësuesi i parë. Në kujtimet e mia kam një grua disi të ashpër në fytyrë, e gjatë e hollë dhe aspak të sheqerosur. Madje mbaj mend që nuk buzëqeshte shumë e dukej e rreptë (ose të paktën këtë imazh mbaj mend unë). E megjithatë, ishte një grua me një fuqi të madhe shpirti, që për shumë vjet e ndau nga pak me të gjithë ata që u ndante nga pak dije çdo ditë. Unë mbaj mend një grua të fortë që rrezatonte mirësi, kurajo dhe mbi të gjitha besim. Një grua që më dha forcë në hapat e mi të parë, më dha guxim për të ecur vetë, besoi tek unë, tek aftësitë e mia. E nuk ka gjë më të rëndësishme për një fëmijë se sa të besosh tek ai, kur nis rrugën e dijes, kur nis të zbulojë dalëngadalë se çfarë dëshirash ka e çfarë mund të arrijë në këtë jetë. Nuk ka ndjesi më të bukur se kur njeriu i dytë më i rëndësishëm pas prindërve, të jep aq shumë fuqi, jo thjesht për të mësuar e për të marrë 10-a, por për të besuar se mund t’ja dalësh mbanë vetë dhe të arrish të dalësh mbi turrmën duke krijuar kështu një personalitet e individualitet të fortë.
Kështuqë nëse unë sot jam një grua e fortë, që kam arritur të bëj diçka në jetën time personale e profesionale, një copëz meritë të madhe e ka edhe mësuesja ime e parë Belkize Stërniqi. E për këtë, nuk besoj që mund të them dot mjaftueshëm faleminderit.
Leave a Reply