• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 9th, 2026
  • HOME
ERALDIN FAZLIU/ A duhet ta paguajë Kosova çmimin e gabimeve të BE-së?
Home
Blog

ERALDIN FAZLIU/ A duhet ta paguajë Kosova çmimin e gabimeve të BE-së?

August 16th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Është demokracia e brishtë e Kosovës ajo që do të paguajë çmimin e ndonjë marrëveshjeje të arritur nga Thaçi për ndarjen e vendit. BE-ja duhet të mendohet dy herë.

Nga Eraldin Fazliu

“Kujt t’i telefonoj nëse dua t’i telefonoj Europës?” ishte pyetja e famshme e ish-sekretarit amerikan të shtetit Henry Kissinger.

Në vitin 2009 Kissinger e mori përgjitjen e tij kur Traktati i Lisbonës krijoi postin e Përfaqësuesit të Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Por edhe një dekadë më pas është bërë shumë pak për të konsoliduar 28 shtetet e BE-së rreth një politike koherente dhe të bashkuar për Kosovën.

Tani, në vrullin e saj për të nënshkruar një marrëveshje që mund t’i kalojë të gjitha partitë – të paktën liderët e tyre politikë – në një anë, BE-ja rrezikon të nënvlerësojë vetë demokracinë që u zotua të ushqente në Kosovë.

Presidentët e Serbisë dhe të Kosovës, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, kanë shkuar prej kohësh në Bruksel si “arritës të marrëveshjes”, por ata nuk kanë zbatuar më shumë se një duzinë marrëveshjesh që ka nënshkruar secili prej tyre.

Tani ata po përpiqen të na mashtrojnë duke na bërë të besojmë se një shkëmbim territoresh ose një “korrigjim i kufijve” siç po del në pah në Kosovë, është zgjidhja më e mirë.

BE-ja, e ndarë midis 23 anëtarëve që e njohin Kosovën si të pavarur dhe pesë të tjerëve që nuk e njohin, ka qenë shurdhuese në heshtjen e saj përsa i takon perspektivës së një ndarjeje etnike që Perëndimi e kundërshtoi kaq fort kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Organizatat e shoqërisë civile në Serbi dhe Kosovë i kanë shkruar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme, Federica Mogherini, duke kërkuar një refuzim të qartë të ndarjes, por Mogherini nuk ka thënë asgjë.

Në Prishtinë, demokracia do të jetë në rrezik nëse Thaçi anashkalon parlamentin dhe shkon përtej kufijve kushtetues të presidencës së tij për të nënshkruar një marrëveshje të tillë me Serbinë.

Vlerat e BE-së në dyshim

Kur Kosova shpalli pavarësinë bazuar në një plan të hartuar nga finlandezi Martti Ahtisaari, Thaçi dhe të tjerët thanë se lëshimet ndaj pakicës serbe përsa i përket një pushteti vetoje në parlament ishin një kompromis i nevojshëm për të siguruar shtetësinë.

Megjithatë, ndërsa lëshime të tilla kanë ngritur pengesa të mëdha në punën e parlamentit të Kosovës, mbështetësit kryesorë europianë të shtetësisë ende nuk kanë arritur të bindin pesë shtetet e tjera të BE-së të ndryshojnë qëndrimin e tyre, duke lënë kështu të ardhmen e Kosovës në BE në dyshim të përhershëm.

Duket se paaftësia e BE-së për të vepruar në Kosovë ka krijuar hapësirë edhe më të madhe për manovër politike nga ana e aktorëve lokalë dhe heshtja e bllokut për ndarjen sugjeron se një rishikim i kufijve mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare.

Një rezultat i tillë vetëm do të çimentonte besimin që kanë disa se shtetet multietnike nuk mund të funksionojnë në Ballkan.

Kjo do të vinte gjithashtu në dyshim vlerat thelbësore të BE-së.

Dhe do t’i hapte derën rivendosjes së kufijve të tjerë dhe do të dëshmonte se BE-ja nuk ka një plan afatgjatë për Ballkanin Perëndimor, por thjesht po i përgjigjet rrethanave gjeopolitike.

Thaçi, i cili si kryeministër në vitin 2008 lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës në parlament, nuk ka as mbështetjen e nevojshme të ligjvënësve e as të publikut për një marrëveshje të tillë.

Ai nuk mbështetet nga tre partitë kryesore të opozitës – Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosja dhe Partia Social Demokrate. Ata mbajnë pothuajse gjysmën e të gjitha vendeve në parlament.

Nisma Social-Demokrate, e udhëhequr nga Fatmir Limaj dhe pjesë e qeverisë, gjithashtu e ka kritikuar rolin e Thaçit në dialogun e Brukselit.

Prandaj, Thaçi nuk ka dy të tretat e votave parlamentare të nevojshme për të zbatuar një marrëveshje ndërkombëtare.

Kjo nuk e ka ndaluar atë më parë.

Rrezik krize kushtetuese

Në vitin 2015, si ministër i jashtëm, Thaçi nënshkroi një marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi që u deshën tre vjet që të kalonte në parlament dhe kërcënoi aftësinë e saj për të funksionuar. Kundërshtarët hodhën gaz lotsjellës në kuvend dhe gjatë protestave jashtë pati me raste edhe shpërthime dhune.

Gjithashtu në vitin 2015, në Bruksel u arrit një marrëveshje për të krijuar një asociacion të komunave me shumicë serbe dhe për t’i dhënë atyre pushtet më të madh. Përsëri, vënia e saj në zbatim është bllokuar nga një mungesë konsensusi politik me një vendim kushtetues që marrëveshja nuk ishte e shëndoshë.

BE-ja është kritikuar se i jep përparësi stabilitetit para demokracisë në Ballkan, ndërsa Thaçi dhe Vuçiçi janë bërë “stabiltokratët” e preferuar të bllokut.

Nëse BE-ja mbështet Thaçin, duke menduar vetëm për stabilitetin rajonal dhe jo demokracinë, atëherë besueshmëria e saj si nxitëse e asaj demokracie do të prishet.

Dhe, duke i lejuar Thaçit të vazhdojë pa një konsensus më të gjerë politik dhe shoqëror, ai thjesht do të thellojë polarizimin midis partive politike dhe brenda shoqërisë dhe mund të shkaktojë një krizë të re kushtetuese.

Opozita nuk do të kishte vështirësi në dërgimin e ndonjë marrëveshje ndarjeje në gjykatën kushtetuese. Mund të ketë më shumë gaz lotsjellës dhe protesta dhe Kosova do të humbiste çdo besueshmëri ndërkombëtare që i kishte mbetur për të zbatuar marrëveshjet që ajo nënshkruan.

Çfarë kuptimi ka të nënshkruash një marrëveshje për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë ndërsa krijon anomali në shtëpi?

Një skenar i tillë është i mundur vetëm nëse BE-ja vazhdon të mbështesë politikanë që qartazi u mungon legjitimiteti për të marrë vendime të tilla, por nuk e kanë aspak problem të ofrojnë firmat e tyre në këmbim të qëndrimit në pushtet.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ROBERT KAGAN/ Perëndimi ka luajtur prej 10 vitesh lojën e Vladimir Putinit
Previous article ARTAN FUGA/ 30 arsye se përse maturantët braktisin universitetet

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k