• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

May 13th, 2025
  • HOME
ENVER ROBELLI/ Supershqiptari!
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ Supershqiptari!

April 6th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Një diplomat duhet të heshtë, kur të gjithë presin që ai të flasë me gjuhë të qartë.

Ai duhet të thotë haptazi atë që nuk e mendon. Dhe kështu me radhë. Diplomatët e shkollës së vjetër, i njohin këto rregulla bazike.

Donald Lu i shpërfill haptazi ato. Kështu ndodhi për shembull para disa javësh. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri mbajti një fjalim para gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai bëri deklarata të forta, aspak diplomatike.

«Qeveria shqiptare duhet t’i shpallë luftë krimit të organizuar», u shpreh me ton të ashpër Lu. Ka ardhur koha të arrestohen «peshqit e mëdhenj». Vendi i tij pritës, është kapur për fyti nga trafikantët e drogës dhe pastruesit e parave. Pastaj diplomati u bë edhe më konkret. Katër klane mafioze kontrollojnë sot Shqipërinë.

Në veçanti Lu përmendi tre mbretër të botës së krimit, të cilët i kishin shpëtuar drejtësisë së paaftë dhe të korruptuar shqiptare: Emiljano Shullazi, Lulëzim Berisha dhe Klement Balili. Çdo shqiptar i njeh emrat e tyre, raportet e medias rreth krimeve të tyre janë të njohura, dhe lidhjet e politikanëve me mafian. E tëra është një spektakël pa pasoja për keqbërësit.

Baronët e drogës fitojnë miliarda

Shqipëria, vendi i vogël në Adriatik, është shndërruar në një nga prodhuesit më të mëdhenj të mariuanës në botë gjatë viteve të fundit. Baronët e drogës fitojnë miliarda. Ata mund t’i përdorin paratë për t’u dhënë ryshfete deputetëve, prokurorëve dhe policëve. Kryeministri socialist, Edi Rama, i zgjedhur për një mandat të dytë qeverisës, premton në mënyrë teatrale se qeveria e tij do të fitojë luftën kundër industrisë së paligjshme të kanabisit.

Për ambasadorin amerikan, këto janë deklarata boshe. Vitin e kaluar, në Shqipëri u ndaluan 1349 persona me akuzën e trafikut të drogës, por vetëm 100 prej tyre u dënuan. S’ka asnjë bos të mafias në mesin e tyre, u shpreh ambasadori Lu në fjalimin e tij para gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në kryeqytetin e vendit, Tiranë. Ai e di se akuzat e tij të forta, kanë futur në siklet shumë politikanë në Shqipëri. Por askush nuk ka guxim të kundërshtojë publikisht amerikanin, pasi ai i referohet hapur një të vërtete të pakëndshme. Lu denoncon vilat e shtrenjta të politikanëve, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet jashtë vendit.

Në opinionin publik Donald Lu konsiderohet si supershqiptar, i cili është më i shqetësuar për të ardhmen e vendit, sesa mjeshtrit e frazave të politikës shqiptare. Ai tregon me gisht drejt zyrtarëve të korruptuar, sulmon prokurorin e përgjithshëm, sepse, sipas tij, po saboton reformën gjyqësore, dhe i inkurajon qytetarët t’i vënë para përgjegjësisë qeveritarët e tyre.

Nëse një gjykatës dëshiron t’u mbyllë gojën gazetarëve me një padi, vetëm për shkak se këta të fundit duan të dinë se si ai e ka bërë pasurinë e tij të madhe, ndërhyn xha Lu-ja. «Beteja juaj është beteja jonë», thotë diplomati – dhe gazetarëve u lejohet të vazhdojnë punën e tyre.

Para se Lu të vinte në Tiranë në fund të vitit 2014, ai iu drejtua shqiptarëve me një video-mesazh. Në të njëjtën kohë ai fliste rrjedhshëm shqip, dhe fitoi zemrat e shumë njerëzve. Më në fund dikush që merrte parasysh shqetësimet e tyre seriozisht, më në fund dikush që nuk e lejon veten të miklohet nga komplimentet e politikanëve lokalë.

Kështu mendojnë shumë shqiptarë për Donald Lu, të cilit i pëlqen të jetë i drejtpërdrejtë në mesazhet e tij. Si një fëmijë emigranti, ai i detyrohej shumë babait të tij. Ky i fundit emigroi nga Kina në SHBA, dhe i siguroi familjes së tij, nëpërmjet një pune të madhe, ëndrrën amerikane.

“Atëherë ju jeni të korruptuar!”

Tani ai është duke luftuar për ëndrrën e tij shqiptare: një shtet funksional, që të mund t’i bashkohet një ditë të largët Bashkimit Europian. Ambasadori Lu ka nxitur miratimin në Parlament të një reforme në sistemin gjyqësor përkundër rezistencës së shumicës së politikanëve, dhe tashmë ai duhet të kujdeset që ajo të vihet në zbatim.

Qëllimi i reformës është të shqyrtojë figurën e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve sa i përket integritetit të tyre moral, kualifikimit profesional dhe kontaktet me botën e nëndheshme të krimit. Përpara fillimit të kësaj procedure, disa zyrtarë të sistemit gjyqësor dhanë dorëheqjen.

Sipas një studimi, pasuritë e 81 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, qenë shumëfishuar që nga viti 2004. Gjykatës të tillë, kishte parasysh ambasadori amerikan, kur tha në një takim: «Nëse ju mbani një orë në dorë, e cila është më e shtrenjtë se makina ime, ju jeni të korruptuar!» Në aktivitetin e radhës, gjyqtarët kishin hequr aksesorët e luksit. Për zotin Lu, s’ka arsye për t’u çlodhur. Ai e sheh dekriminalizimin e drejtësisë dhe të politikës shqiptare si detyrën e tij më të rëndësishme në Shqipëri.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ELDA SHABANI/ Veshja, impuls që vjen nga brenda
Previous article "THE NEW YORK TIMES"/ A është Vladimir Putini një agjent i CIA-s?

Redaktor2

Related Posts

EDUARD ZALOSHNJA/ Vlerësim paraprak: Votuan 1.7 milionë shtetas, nga 3.71 milionë gjithsej në listat zgjedhore Blog
May 11th, 2025

EDUARD ZALOSHNJA/ Vlerësim paraprak: Votuan 1.7 milionë shtetas, nga 3.71 milionë gjithsej në listat zgjedhore

LUTFI DERVISHI/ Një letër për grupin e gatshëm të replikuesve Blog
May 10th, 2025

LUTFI DERVISHI/ Një letër për grupin e gatshëm të replikuesve

BAJRAM PEÇI/ 5 Maji dhe 29 Nëntori ka ndarë e do ndajë ende për shumë kohë fituesin e çdo palë zgjedhjesh Blog
May 1st, 2025

BAJRAM PEÇI/ 5 Maji dhe 29 Nëntori ka ndarë e do ndajë ende për shumë kohë fituesin e çdo palë zgjedhjesh

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Patriotët e Shqipërisë nuk financojnë miliona për ‘aleancën greke’ të partisë

KRESHNIK SPAHIU/ Patriotët e Shqipërisë nuk financojnë miliona për ‘aleancën greke’ të partisë

Blog Apr 30th, 2025
BAJRAM PEÇI/ 5 Maji dhe 29 Nëntori ka ndarë e do ndajë ende për shumë kohë fituesin e çdo palë zgjedhjesh Blog

BAJRAM PEÇI/ 5 Maji dhe 29 Nëntori ka ndarë e do ndajë ende për shumë kohë fituesin e çdo palë zgjedhjesh

May 1st, 2025
BEN ANDONI/ “Mallkimi i bukur” i Shqipërisë Blog

BEN ANDONI/ “Mallkimi i bukur” i Shqipërisë

Apr 29th, 2025
MERO BAZE/ Si po udhëheq Edi Rama fushatën e opozitës Blog

MERO BAZE/ Si po udhëheq Edi Rama fushatën e opozitës

Apr 23rd, 2025
EDUARD ZALOSHNJA/ Vlerësim paraprak: Votuan 1.7 milionë shtetas, nga 3.71 milionë gjithsej në listat zgjedhore Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Vlerësim paraprak: Votuan 1.7 milionë shtetas, nga 3.71 milionë gjithsej në listat zgjedhore

May 11th, 2025
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k