• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ Shtëpi, shampanjë dhe shamatë
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ Shtëpi, shampanjë dhe shamatë

February 5th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Qenka bërë me shtëpi edhe presidenti i Kosovës. Është mirë që viti fillon me këtë lajm të gëzueshëm – për popullin dhe për presidentin. Kur presidenti është i lumtur, edhe popullit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të gëzohet, të duartrokit, të shastiset nga ky sihariq, nga kjo myzhde e madhe. Me para të kujt është ndërtuar kjo shtëpi? Si është financuar? A ka ndonjë dokument për transparencën financiare të ndërtimit të kësaj ngrehine? Mos u bëni smirëzi. Pyetje të tilla në parajsën shqiptare nuk shtrohen. Shtëpi, shampanjë dhe shamatë. Kjo është motoja me të cilën po e nisim vitin 2019.

Ndoshta është sall një vegim, një përhitje. Ndoshta shtëpia e presidentit as që ekziston. Ndoshta «Zonja e Parë» sot nuk është parë në oborrin e shtëpisë në periferi të Prishtinës, mund të ketë qenë ndonjë dytëshore, një kipce, që i mashtroi gazetarët për të përgatitur një kronikë të cilën presidenti do ta diskualifikojë me fjalët epokale: «Shpifje, shpifje, shpifje» ose «rrenë, rrenë, rrenë».

Shtëpi, shampanjë dhe shamatë. U bënë 20 vjet qëkur mediat e Kosovës raportojnë për shtëpitë gjigante të politikanëve, veturat e tyre të shtrenjta, pushtimet e tyre që nuk dihet kush ua paguan (nga St. Moritzi i Zvicrës deri te Baden-Baden të Gjermanisë), udhëtimet private të maskuara si zyrtare.

I pastrehë nuk është as kryeministri i Kosovës. Me vite të tëra një shtëpi e tij në Dragodan qëndronte si objekt jashtëtokësor mbi Prishtinë. Ndërkohë e ka dhënë me qira. Mjekë turq janë futur aty dhe shërojnë miletin shqiptar në Republikën postosmane të Kosovës. Tash kryeministri adresën e re e ka në një lagje në periferi të Prishtinës, atje ku ajri është më i mirë. Transparencë financiare mos kërkoni as në këtë rast. Çlirimtarëve nuk u kërkohet llogari për asgjë. Kurrë.

Por, llogari nuk duhet t’i kërkohet as politikanëve të Tiranës për vilat e tyre të mëdha. Kryeministri i Shqipërisë ka ndërtuar diku në periferi të Tiranës një vilë – hajde të themi – futuriste. Një bunker modern. Kjo nuk është fare problem, sepse shijet arkitektonike janë të ndryshme. Problem është kur politikanët sapo të marrin pushtetin gjënë e parë që ndërtojnë janë shtëpitë e tyre.

Por, vërtet nuk duhet të bëhemi smirëzi. Meqë në viset tona shqiptare s’po hapen fabrika, së paku të gëzohemi që po ndërtohen shtëpi (politikanësh). Mijëra shqiptarë ndërkohë kanë gjetur strehë e shtëpi në botën perëndimore – si refugjatë ekonomikë.

Në kulmin e krizës së refugjatëve nga Siria, në verën e vitit 2015, vendin e dytë të azilkërkuesve në Gjermani e zinin – shqiptarët nga Shqipëria. Më parë mbi 100 mijë shqiptarë ikën në Gjermani – të shtyrë nga trafikantët e njerëzve në Kosovë e Serbi. Dikush u pasurua nga ky eksod. E dikush ndërton shtëpi. Vend i lumtur. Shoqëri të lumtura. Një komb i lumtur. Jemi një!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Arben Malaj/ Një “ndikim italian” në të ardhmen e afërt të ekonomisë shqiptare?
Previous article ELDA SHABANI/ “Kutizat” TARTAN

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k