Jeta luksoze dhe keqpërdorimi i buxhetit i kanë vënë në siklet disa drejtorë të qeverisë së qytetit të Gjenevës. Njëri prej tyre ka premtuar se vullnetarisht do t’ia kthejë shtetit 58 mijë franga.
Nga Gjeneva këto ditë vijnë lajme, të cilat këtë metropol zviceran e bëjnë të ngjashëm me kazatë dhe kasabatë e Ballkanit. Drejtorët e qeverisë së qytetit po ballafaqohen me kritika të ashpra për shkak të keqpërdorimit të buxhetit. Ata akuzohen se me para të taksapaguesve paguajnë rakinë, koktejet, shampanjën, ndejat feudale, faturat e taksive dhe të telefonit mobil. Kjo jetë luksoze vitin e kaluar i ka kushtuar taksapaguesve të Gjenevës 120 mijë franga. Këtë e ka konstatuar auditori gjatë një hetimi. Dje hetuesit e zyrës së auditorit kanë prezantuar rezultatet e tyre, sot shumica e mediave zvicerane raportojnë gjerësisht mbi jetën luksoze të politikanëve të Gjenevës. Raportohet se auditorët fillimisht ishin penguar në punën e tyre. Por, në fund kishin arritur të kontrollojnë të gjitha dokumentet lidhur me financat.
Gjatë vitit të kaluar në emër të reprezentacionit drejtorëve u janë paguar 120 mijë franga nga arka e shtetit. Këtu nuk llogaritet shuma prej 13’200 franga, të cilën si reprezentacion e merr çdo drejtor çdo vit. Madje kryetari i qeverisë komunale merr më shumë: 19’700 franga. Këto para si duket drejtorëve nuk u kanë mjaftuar. Andaj, i kanë shkaktuar shtetit edhe 120 mijë franga shpenzime. Dallimet mes politikanëve janë të mëdha: më i pamëshirshmi ka qenë drejtori demokristian Guillaume Barazzone, ndërsa socialdemokratja Sandrine Salerno ka harxhuar 11 mijë franga për reprezentacion.
Guillaume Barazzone ka paguar nga arka e shtetit 17 mijë franga për fatura të telefonit të tij mobil, 12 mijë për ftesa (dreka, darka etj.), 4300 për bujtje në hotele dhe 4 mijë për taksi. Barazzone kishte paguar me kartelë të shtetit edhe mes orës 01:00 dhe 06:00 të mëngjesit, kur nuk ka qenë në zyrë. I mbështetur për muri pas bërjes publike të dhënave mbi jetën e tij luksoze në kurriz të qytetarëve, Barazzone doli para mediave dhe pranoi se jo gjithçka ka shkuar mirë sa i përket harxhimeve. Pastaj tha se ngjyra e kartelës së tij private dhe e asaj të shtetit është e njëjtë – e hirtë. Kështu, tha ai, ka bërë vaki që nganjëherë i ka ngatërruar kartelat dhe faturat private i ka paguar me kartelë të shtetit. Njëherë, sipas auditorëve, drejtori Barazzone me para të shtetit kishte paguar në orën 6 të mëngjesit gjysmën e një shishe me shampanjë. Barazzone, i cili është edhe deputet nacional, tha se kishte gabuar pa qëllim dhe njoftoi se do t’ia kthejë arkës së shtetit 58 mijë franga. Barazonne dhe ministri kantonal i Gjenevës nga partia FDP, Pierre Maudet, para disa vitesh kishin pranuar një ftesë për pushime në Abu Dabi. Prokuroria e Gjenevës është duke zhvilluar hetime. Pierre Maudet i janë shkurtuar kompetencat nga ana e qeverisë kantonale.
Fillimisht ishte planifikuar që dje në Gjenevë të shfaqeshin para mediave auditorët dhe drejtorët e qeverisë së qytetit, në mënyrë që aty për aty të japin përgjigje për shpenzimet. Por, për shkak të raportit të tensionuar me auditorët dhe nga frika se do të diskreditoheshin edhe më shumë para mediave, drejtorët organizuan një konferencë të veçantë për media, e cila, sipas gazetës «Neue Zürcher Zeitung», i ngjante një shfaqjeje bizare teatrale.
Leave a Reply