• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ “Muuuuuu!” Kjo puna e lopës dhe qumështi i kovës së Edi Ramës
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ “Muuuuuu!” Kjo puna e lopës dhe qumështi i kovës së Edi Ramës

February 4th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Përdorimi i figurave nga bota e kafshëve ka një traditë të gjatë në politikën shqiptare. Prej «një dreq i madh ky hy’ këtu» (Rrahman Morina), «ikën me bisht ndër shalë» (Hashim Thaçi) deri te rrëfimi me lopë, qumësht i kovë i Edi Ramës.

Është një skenë e xhiruar, ku Ramush Haradinaj shihet e dëgjohet, me zë e më figurë, duke imituar lopën. Është një përpjekje e tij për të shpjeguar diçka nga politika e Kosovës. Nga mbrapshtitë e saj. I njëjti kishte thënë se është politikan për «sporte të rënda», rrjedhimisht këtë shkathtësi e tregoi kur e quajti një zyrtar shteti «peder», përplasi disa harta dhe iku nga takimi.

Disa nga pjesëmarrësit në takim heshtën, të tjerët qeshën, disa e injoruan këtë marrëzi të radhës. Imitimi i lopës është një nga videot më të shikuara nga karriera e bujshme e Haradinajt, i cili prej së është bërë kryeministër ka dëshmuar se qeveris si do ai, pa u bërë merak për kritika, sado të drejta qofshin ato.
«Le të shkojnë atje ku s’duhet…» – kështu disi iu drejtua kryeministri të gjithë atyre që në katër javët e fundit kanë kërkuar transparencë prej tij për pushimet në Zvicër. Vazhdimi i fjalisë mund të merret me mend.

Përdorimi i figurave nga bota e kafshëve nuk është risi në politikën shqiptare. Kjo çështje u aktualizua këto ditë pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se politikanët e Kosovës po sillen si lopët që i bien shkelm kovës me qumësht.

Në Kosovë disa e pritën me zemërim deklaratën e Ramës, i cili që kur filloi aventura e liderëve të Prishtinës për të zhbërë Gjykatën Speciale kishte heshtur. Tani foli – dhe foli ashpër. Mënyra se si foli Rama tregon se ai nuk ka respekt për liderët e Kosovës. Dhe për këtë nuk duhet t’i mbetet hatri asnjë shqiptari të Kosovës.

Më ashpër kundër liderëve të Kosovës flasin edhe diplomatët e stacionuar në kryeqytetin e Republikës. Natyrisht në kushte anonimiteti.

Por, flasin. Sepse me veprimet e tyre, me intrigat e tyre, me konfrontimin me bashkësinë ndërkombëtare politikanët udhëheqës të Kosovës nuk kanë lënë hapësirë që diplomatët të kenë respekt për ta. Për ta s’ka respekt as një numër i madh i qytetarëve të Kosovës, as Edi Rama.

«I shtyva pushimet për t’u kujdesur për të ardhmen e këtij vendi dhe po shikoj se si këta liderët tuaj po skijojnë në Zvicër». Kështu tha se fundi, në mirëbesim, një diplomat perëndimor.

Para se të nevrikosen me gjuhën e Edi Ramës një numër kosovarësh duhet të mendojnë edhe për gjuhën e politikanëve të tyre. «Ma hongsh…» kishte thënë kryetari i Kuvendit gjatë një debati me një deputete të opozitës. Vazhdimin e fjalisë mund t’ia lëmë fantazisë së lexuesve. «Jakupovski» – kështu e kishte quajtur Hashim Thaçi kolegun e tij partiak Jakup Krasniqi.

«Qeni që po del…», kështu kishte folur për Jakup Krasniqin kryetari i dikurshëm i Skenderajt Sami Lushtaku. «Idiote» – kështu e kishte quajtur deputeten Flora Brovina shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. «Ikën me bisht ndër shalë» – kështu kishte thënë për protestuesit e opozitës Hashim Thaçi. «Një dreq i madh ky hy’ këtu». Autor i kësaj fjalie është Rrahman Morina, një lider komunist i Kosovës gjatë heqjes së autonomisë së Kosovës nga Serbia.

Rrëfimi me lopë, qumësht e kovë i Edi Ramës renditet në vargun e deklaratave të pazakonshme (thënë më së buti) të politikanëve shqiptarë.

Por lopë tingëllon si kompliment kur të kihet parasysh se si politikanët shqiptarë e etiketojnë njëri-tjetrin (shpesh mbase edhe pas dyshime të bazuara) me fjalë si kriminel, trafikant, hajdut, kusar, cub, vjedhës, i korruptuar, vrasës.

Kjo puna e lopës nuk duhet të merret me shumë shqetësim. Me shqetësim duhet të merret fakti se politikanët e Kosovës e sollën punën deri këtu që edhe Edi Rama të humb durimin me ta, ndonëse është përkrahës aq i madh i tyre, saqë i ka bërë vaki që në parlamentin e Kosovës duke thurur elozhe për «trimat» e UÇK-së dhe «lavditë e tyre» të harrojë të përmend Ibrahim Rugovën.

Për dallim nga sundimtarët e tanishëm të Kosovës, me të cilët në Tiranë edhe tallen, Rugova kishte autoritet. Kur Sali Berisha u përpoq t’ia mohojë këtë autoritet dhe të ndërhyjë në politikën e Kosovës, Rugova e ndëshkoi rëndë: nuk e takoi kurrë më që nga mesi i viteve ’90.

Takimi i fundit i tyre ishte në dimrin e vitit 2006: Berisha para arkivolit të Rugovës, të cilit i thoshte lamtumirë mbarë Kosova. Kur gëzon respektin e qytetarëve të vendit tënd, detyrimisht do të respektojnë edhe të tjerët. Deri atëherë: «Muuuuuuuuuuuuuu!»

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article EDMOND TUPJA/ Ngrehalucët
Previous article AFRIM KRASNIQI/ SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË. Protesta, pakti grek dhe pyetja retorike e Donald Lu

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k