Çdo të dielë, politologu i njohur Afrim Krasniqi nis në “Alpenews.al” rubrikën e tij: Shqipëria politike në një javë. Nëpërmjet analizës së një ngjarje kyç të çdo dite, do të kemi çdo javë një Ditar ndryshe për të gjithë lexuesit tanë, por edhe për ata që për një arësye ose një tjetër, nuk kanë patur mundësi që të ndjekin ditë pas dite zhvillimet tona politike, që do u vijnë këtu, nga pena e një studiuesi dhe analsti me përvojë.
FOTO E JAVES
E hënë: 29 janar.
Ende flitet për protestën e 27 janarit, e cila ishte protesta e parë politike prej vitit 2011. Në protestën e vitit 2011 patën humbur jetën 4 qytetarë të pafajshëm. Askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore. Çdo vit pala që organizoi protestën betohet për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve, por dukshëm bëhet e qartë se ajo nuk e ka pasur dhe as nuk e ka axhendë këtë premtim: ajo vijon ta përdorë 21 janarin dhe viktimat e saj: një traditë negative e politikanëve dhe e partive të majta e të djathtë të tranzicionit. Protesta e janarit 2017 pati një risi tjetër: është protesta e parë post-zgjedhore e një opozite që nuk bëhet për të kontestuar zgjedhjet, pra legjitimitetin e mazhorancës. Ajo testoi aleancën e re PD-LSI dhe forcën e opozitës për të mobilizuar militantët e saj, aq shumë të zhgënjyer nga rezultati dramatik në qershor 2017. Pas protestës, fundjava vijoi me debatet mbi efektivitetin e saj. Si gjithnjë, ka debat për pjesëmarrjen, për folësit, për mesazhet, për të ardhmen e protestës etj. Këto kanë rëndësi afatshkurtër. Në aspektin afatgjatë debati mbetet pa zgjidhje: si është e mundur që vetëm partitë politike kanë potencial proteste në Shqipëri? Në Rumani, Francë, Bullgari, Hungari, e kudo tjetër protestojnë qytetarët, grupet civile, dhe partitë janë përballë ose në mbështetje të tyre. Në Shqipëri vijon e kundërta, – partitë protestojnë dhe i kërkohet qytetarëve e shoqërisë civile të bëhet pjesë e tyre në garën permanente midis dy partive në 27 vjet.
E martë: 30 janar.
Lajm i ditës dhe ushqimi i javës është deklarimi i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë (Bushati) dhe homologut grek (Kotzias) lidhur me bisedimet dhe akordin e takimit të Korçës. Dy palët thonë gjëra të ndryshme, citojnë bilanc të ndryshëm dhe për më tepër, kanë qëndrime të kundërta për sa i përket bisedimeve për Marrëveshjen detare dhe mbi çështjen çame. Bushati nuk prodhoi lajm, pasi hyn tek ai lloj ministrash që flet gjatë por kryesisht me slogane, kurse homologu grek informoi thelbin e bisedimeve, marrëveshjen për detin dhe refuzimin e çështjes çame. Bisedimet shqiptaro-greke natyrisht janë të vështira dhe kanë ngarkesa historike. Secila palë do të përfitojë dhe secila palë ka interes për marrëveshje: Shqipëria që të marrë miratimin grek për vendimin e BE mbi negociatat, kurse Greqia që të përfitojë nga rasti por edhe të nisë një fazë të re ndikimi gjeopolitik pas bisedimeve të njëjta edhe me Turqinë e Maqedoninë. Por mënyra sesi dy palët operojnë janë krejt të ndryshme. Kryeministri Cipras mbajti një mesazh përpara kombit, ministri i jashtëm raportoi me detaje në parlament dhe në media, kurse në Shqipëri mungoi çdo informacion zyrtar: kryeministri dhe as ministri nuk informuan as publikun dhe as institucionet. Pasoja? Deklarata e Cipras për “zgjerimin e hapësirës me 12 milje” shkaktoi termet në Tiranë dhe u duk se kemi të bëjmë me akte të njëjta me paktin e qeverisë Berisha-Meta më 2009. U ndryshuan rolet: politikanët pro të vitit 2009 tani janë kundër, ata që ishin kundër tani janë pro. E njëjta sjellje edhe midis medias dhe ekspertëve civilë. Një traditë tjetër negative shqiptare, ku orientimi politik përcakton bindjet dhe argumentet. E vërteta do kohë të zbulohet, por kriza e re nxori në pah dy mësime: E para, duhet marrëveshje dhe me siguri, Shqipëria do të humbë shumë më tepër sesa të përfitojë prej saj. E dyta, mungesa e transparencës dhe trajtimit institucional u ka lënë hapësirë spekulimeve dhe thirrjeve populiste të shumë prej atyre që në raste të tilla përdorin “atdhetarizmin” për të rimodeluar imazhin e tyre negativ.
E mërkurë 31 janar.
Donald Lu u drejtoi një pyetje retorike politikanëve, policëve, prokurorëve: ku janë rezultatet? Komuniteti ndërkombëtar kërkon rezultate konkrete përpara vendimeve të rëndësishme këtë pranverë, tha ai. Në fakt pyetja e tij ishte më shumë përgjigje ndaj premtimit të tij se në janar do të kishte arrestime të “peshqve të mëdhenj”. Thirrja e ambasadorit shpreh konfliktin e madh midis asaj çfarë Perëndimi pret nga Shqipëria dhe asaj çfarë Shqipëria u ofron. Reforma në Drejtës ka humbur sensin e masës dhe të kohës, kriza me zgjedhjet në KLGJ e KLP, dorëheqjet që vijojnë nga ata që tashmë kanë fletëthirrjet për seanca dëgjimore, dhe koalicioni “midis politikanëve të korruptuar të secilës palë” janë një mesazh i qartë: partitë, gjyqtarët, prokurorët dhe policët nuk e duan reformën dhe as vetingun sepse kanë frikë për veten e tyre, sepse kanë konflikt interesi. Procesi po vonohet aq shumë sa BE ka vënë në diskutim vlerësimin për progresin e Shqipërisë kurse Lu e Vlahutin po shkojnë drejt mbylljes së mandatit personal si ambasadorë. Zgjidhja? Presioni pozitiv e publik ndërkombëtar. Përse nuk aplikohet sanksioni i vizave si në Kosovë e Maqedoni? Përse SHBA e BE nuk deklarojnë listën e politikanëve, zyrtarëve dhe oligarkëve përgjegjës, siç kanë bërë në Ukrainë, Bosnje apo vende të tjera? Vetëm një shtysë e fortë ndërkombëtare mund ta kthejë procesin në normalitet, me shpresën se në fundin e muajit shkurt të nisin seancat dëgjimore tek Komisionet e Vetingut.
E enjte, 1 shkurt.
Është disa e seancave parlamentare. Show politik. Asnjë prej deputetëve nuk e ka mendjen tek ligjet dhe asnjë prej partive nuk shkon në parlament për të ushtruar kompetencën ligjvënëse. Duket se një pjesë shkon për rrogë, një pjesë për show politik dhe një pjesë për testim të forcës. Pas 18 dhjetorit edhe një seancë tjetër krijoi incidente dhe përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme. Si nisi incidenti? Nuk ka rëndësi sepse nuk ka justifikim nga asnjëra palë. Si vijoi? Pa skenar, me sjellje turme, në mënyrën më të gabuar të mundshme, – një opozitë që sillet pa sens e uluret pa objektiv në sallën e Kuvendit dhe një mazhorancë që përdor kartonët për të treguar se është e gatshme të qeveris pa opozitë. Seanca e datës 31 ishte një paralajmërim i qartë mbi atë sesi do jetë parlamenti në javët dhe muajt e ardhshëm: një vend konfliktesh, grindjesh, incidentesh, fyerjesh, denigrimesh, dhe injorimi të realitetit dhe nevojave që ka vendi, – pra gjithçka tjetër përveçse Parlament si “Tempull i Demokracisë”. Seanca vijoi në mbrëmje në ekranet televizive: debate të ashpra, kërcënime e fyerje, arrogancë dhe akuza, pikërisht nga ata që kanë pushtetin real në Shqipëri, – liderit politikë.
E premte 2 shkurt.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministri i Brendshëm kanë firmosur një pakt, i cili hedh dyshime të forta nëse është akt vullneti institucional apo akt kontrolli institucional. Vite më parë PD ka bërë pakte të tilla, por tani i kundërshton, PS bëri tani, por në kohën e PD-së edhe ajo e ka kundërshtuar. Pra janë ndryshuar rolet, jo sjellja dhe as thelbi i paktit. Cili është thelbi i kontestimit të ri? Nuk është as terminologjia e përdorur dhe as përgjegjësia paralele që krijohet. Është kontestimi në bllok ndaj Prokurores dhe frika e madhe se në aventurën e saj 3 mujore mund të përdoret nga politika për të penalizuar ata që dje ishin në pushtet dhe sot janë në opozitë. E premtja nuk u mbyll aq e “zezë” sa thuhet: sepse bëri kryelajm arrestimi i dy prej menaxherëve partiakë të miliardave në rrugët kombëtare. Një akt paralajmërimi për shefat e tyre politikë? Një shenjë se do të ketë hapje të sesionit të arrestimeve? Një nismë procedurale? Të tria së bashku. Por qytetarët presin shumë më tepër sesa kaq dhe kanë të drejtë kur thonë se e korruptuar nuk është gjithnjë opozita, por kryesisht është gjithnjë pushteti.
E shtunë 3 shkurt.
Ka pasur një protestë në Tiranë, ku morën pjesë më pak sesa numri i atyre që ishin bodigardë në protestën e opozitës një javë më parë. U protestua kundër marrëveshjes për detin. Protesta është lajm, asnjë tjetër rreth saj. Ka një lajm tjetër të padukshëm që vijon të luhet prej disa ditësh e javësh: beteja e mbjelljes së pemëve në Tiranë. Çdo ditë është në TV kryetari i bashkisë dhe ministri i mjedisit, secili duke mbjellë pemë, secili duke pastruar, por asnjëri me njëri tjetrin. Duket se janë dy linja paralele për Tiranën e sotme dhe të nesërme. Dhe në funksion të saj, PS shpalli nisjen e aksionit politik për zgjedhjet e ardhshme lokale. Të hënën të gjithë deputetët u urdhëruan të shkojnë në zona për ndezjen e motorëve elektoralë, kurse të shtunën u njoftuan masa të reja “anti Tahiri” në Tiranë, ku ndikimi i tij mbetet potencial. PS po përballet në qeverisjen lokale me një realitet të ri: rivaliteti për dominim deri në akte të skajshme (rrahja masive në Dibër apo shitblerja e këshilltarëve në Durrës, Tiranë, etj), dhe mbipushteti për një parti që nuk është e përgatitur të drejtojë e vetme. PS. Me një ndryshim të madh nga e kaluara: PS ende prodhon lajme ndërkohë që mungojnë lajmet nga opozita, e cila vijon të jetojë me kujtimet dhe nostalgjinë e mbrëmjes së 17-18 majit.
Ekskluzive e “Alepenws.al”. Ndalohet ribotimi, pa lejen e redaksisë.
Leave a Reply