• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI: Mbi rrezikun e qorrsokakut – ose: një porosi për Lëvizjen Vetëvendosje
Home
Blog

ENVER ROBELLI: Mbi rrezikun e qorrsokakut – ose: një porosi për Lëvizjen Vetëvendosje

December 9th, 2017 Redaktor2 Blog 0 comments

Në krahasim me partinë ku krerët e saj ia kanë frikën njëri-tjetrit se mund të përballen në gjykatë për krimet më të rënda dhe e shohin njëri-tjetrin herë si të akuzuar, herë si dëshmitar; në krahasim me partinë ku funksionarët e saj njëri-tjetrit i drejtohen me fjalët «kali, çka bane, si je kali, a u lodhe kali», në krahasim me partinë që kuvendet zgjedhore i shndërron në përleshje me karrige për shkak të egove primitive të prijësve të saj – kjo zënka në Lëvizjen Vetëvendosje duket një episod i parëndësishëm.

Mund të bëhet temë e rëndësishme kjo zënkë nëse krerët e VV-së braktisin idealet për të cilat janë bashkuar dhe për të cilat kanë marrë besimin e qindra-mijëra qytetarëve. Ideali ka qenë: ndërtimi i një Kosove si shtet funksional. Që kjo të bëhet VV nuk ka nevojë as për komisarë politikë, as për intrigantë, as për të tillë që «pinë duhan tinëz», as për dallaveraxhi që nuhatin paranë dhe harrojnë për çfarë kanë hyrë në politikë. Si për çdo parti, edhe për VV-në vlen: keqpërdorimi i besimit të qytetarëve dhe harxhimi i energjisë për kurthe si dhe hedhja në gropë e njëri-tjetrit herët apo vonë ndëshkohen.

Nga një parti që ka fituar mijëra e mijëra vota për shkak se ka treguar se është ndryshe nga partitë e garniturës aktuale në pushtet, qytetarët e Kosovës presin më shumë – larg më shumë se fjalë të pamatura në viber, larg më shumë se mobilizim brigadash të Facebookut për llomotitje, larg më shumë se telegrame nga distanca të atyre që lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës e shohin si diçka të përkohshme dhe politikën duan ta zbresin në nivel të folklorit të shoqëruar me ndonjë citat filozofik.

Nga qorrsokaku i himnizimeve dhe mallkimeve të figurave të caktuara, VV (dhe çdo parti tjetër) duhet të dalë në rrafshin e ballafaqimit të ideve. Idetë janë më të rëndësishme se përfitimet e çastit. Dhe pastaj, kudo, qoftë edhe në kuvende partiake, le të maten idetë e programet. Në këtë mes një gjë duhet të jetë e qartë: kush fiton besimin, duhet të pranohet e respektohet nga anëtarësia dhe funksionarët e lartë. Në atë çast që vizioni i tij politik nuk ka sukses, duhet të jepet përgjegjësi – qoftë ai apo ajo kryetare, nënkryetare apo sekretar organizativ.

Frenimi i egove nuk ka qenë kurrë shkathtësi e politikanëve shqiptarë. Në të vërtetë nuk është shkathtësi e shumicës së shqiptarëve. Ajo barsoleta se po i the shqiptarit «a di të drejtosh avionin», ai do të përgjigjet «hajt nisma pak» – e shpjegon në mënyrë brutale mentalitetin tonë. Me rritjen e suksesit të VV-së, me sa duket, është rritur edhe numri i pilotëve. Këtu nuk ka asgjë të keqe për aq sa beteja sillet rreth programit, ideve dhe vizionit. Siç e kemi parë në çerekshekullin e fundit, kur demokracia shumëpartiake erdhi te shqiptarët, shumica e partive politike janë çarë e përçarë jo për ndonjë ide, por për shkak të ambicieve të pafrenueshme të funksionarëve. Në atë çast që një grup ka pësuar disfatë brenda partisë, ai e ka hedhur anash krejt trashëgiminë politike dhe ka tentuar të themelojë një parti të veten. Pastaj, në kuadër të saltove politike, këto parti kanë kaluar madje edhe në taborin e krahut tjetër. Ka mjaft shembuj nga Shqipëria, kur ata që hynë në politikë si kundërshtarë të komunizmit u bënë bashkë me partinë pasardhëse të Partisë së Punës (PP) – ose e kundërta: shërbëtorët e PP-së u shndërruan në «demokratë» të sertë.

Të jesh parimor nuk është lehtë në politikë, sepse – veçanërisht në viset tona – politika është një sinonim i lojërave të ndyra. Do të shihet shumë shpejt nëse VV do të jetë në gjendje të arsyetojë besimin e marrë sivjet në zgjedhje (partia më e madhe individuale në vend, fituese e zgjedhjeve në Prishtinë, Prishtinë e Kamenicë) apo do të bëhet pjesë «normalitetit jonormal politik». Pyetja më vendimtare është kjo: a do të mësojë opinioni se për çka po grinden këta burra e gra? Për parime, ideologji, para?

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article DAVID IGNATIUS: Kim Jong Un dëshiron të bashkohet me klubin e Trump
Previous article SHPËTIM NAZARKO: Imzot, çfarë i thatë në vesh Ramiz Alisë?

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k