Nga Enver Robelli
Sërish një firmë gjermane ka hapur fabrikë në Serbi. «ZF» është kompani udhëheqëse në prodhimin e reparteve për automjete elektrike.
Është paralajmëruar se do të investohen 160 milionë euro.
Firma e auditorëve Ernst & Young së fundi njoftoi se Serbia renditet mes vendeve me numrin më të madhe të investimeve të huaja.
«Vëllezër gjermanë, faleminderit që jeni këtu, jeni të mirëseardhur, qëndroni gjatë dhe ejani edhe më shumë». Kështu tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq me rastin e hapjes së fabrikës. Maqedonia po bën përpjekje serioze për të zgjidhur çështjen e emrit.
Mali i Zi po përparon në negociatat për anëtarësim në BE. Me pak fat edhe Shqipërisë me gjasë do t’i hapen portat për integrim të përshpejtuar në BE. Turizmi në Shqipëri po bëhet degë e rëndësishme e ekonomisë.
Në çdo vend të rajonit ka lëvizje pozitive. Përjashtim bën Kosova. Në Kosovë qeveria (jo vetëm kjo, edhe qeveritë e mëparshme të PDK-së) nuk kanë arritur të sjellin asnjë investitor serioz.
Ata që u afruan, ikën duke parë moçalin e korrupsionit të grupeve mafioze të dirigjuara nga PDK dhe satelitët e saj. Të tjerët flasin për vende pune, ne flasim për rrogat që ia ka rritur vetes qeveria.
BE kritikon rritjen e rrogave, një këshilltar i kryeministrit polemizon: mos u merrni ju me rrogat tona, ju bashibozukët e Brukselit, kjo është shtëpia jonë, plaçka jonë.
Këto janë mesazhet cinike të zyrtarëve të Prishtinës. Sa për kujtesë: vetëm mes viteve 2014 dhe 2020 BE ka ndarë 645 milionë euro për Kosovën. Ndërsa qeveritë e vendeve të tjera zgjidhin ndonjë problem të qytetarëve, ne «argëtohemi» me eskapadat e politikanëve tanë.
Shembulli më i neveritshëm është i ashtuquajturi «dialog me Serbinë». Kryetari pa mandat të parlamentit ka vendosur të shkojë në Bruksel për të negociuar me kolegun e tij serb, por para se të shkojë një këshilltar i kryeministrit thotë se nuk pret asgjë nga takimi, ndërsa kryetari i një komune afër Prishtinës me cinizëm i uron «punë të mbarë» presidentit në Bruksel.
Çfarë klase politike e paaftë, e paide, e pafokusuar, e etur vetëm për ta plaçkitur vendin. Ky është, fatkeqësisht, mallkimi ynë i përditshëm.
Do të ketë termocentral të ri? Po, menjëherë, thotë pushteti, ndonëse Banka Botërore alarmon se nuk do ta financojë këtë projekt për shkak se mund të shkatërrojë edhe më shumë ambientin. Kush bëhet merak për ambient në ketë qeveri dhe kush është bërë merak në qeveritë e mëhershme? Askush. Jetohet jetë e lumtur në Prishtinë, qyteti ndër më të ndoturit në Europë, me numër në rritje të sëmundjeve të rënda, sidomos kanceri.
Në spitale, ku duhet të shërohen njerëzit, mbretëron gjendje e nderë. Spitale të sëmura. Ku herë mungojnë penjtë për të qepur plagë, herë çarçafë për të mbuluar pacientin, herë shiringa. Miliona euro për çdo vit harxhohen në Shkup, Beograd e gjetiu për të shëruar pacientët e Kosovës. Atje paratë i marrin me qejf dhe njëkohësisht kanë mundësinë të tallen me qytetarët e një vendi që s’po bëhet vend funksional.
Funksionaliteti i këtij vendi matet me metrat e asfaltit të shtruar, ku janë vjedhur e vidhen qindra miliona euro nga buxheti i Kosovës. Drejtësia nuk ka guxim të hetojë, andaj qeveria është e guximshme të paguajë edhe mbi 50 milionë të tjera për autostradën në drejtim të Shkupit.
Askush nuk duhet të jetë kundër modernizimit të infrastrukturës rrugore të Kosovës, por të gjithë duhet të jenë kundër keqpërdorimeve masive. Meqë shumica durojnë, zullumi nuk ndalet.
Leave a Reply