Kravata është një gjest i fuqishëm dhe jo rrallë herë impakti I saj është nënvlerësuar. Historia e shallit të hollë, i ndërlikuar në lidhje, por që mund të thotë kaq shumë me kaq pak, njihet si historia e elegancës. Kravata prej mëndafshi, si dhe arti i lidhjes së saj mbetet tregues i një njeriu “genteel” ose gentleman.
“Më tregoni kravatën e një mashkulli dhe unë do t’ju them se c’personalitet ka ai”, thotë John Molloy, 1988 duke vlerësuar kravatën si mënyrën më të mirë për të shprehur statusin social të një personi.
Ndërsa në romanin e shkrimtarit anglez Charles Dickens ‘Kënga e Krishtlindjeve,’ paraqet jetën e varfër të një familje. Në një fragment, autori jep një detaj të vogël, por shumë domethënës kur Bobi i jep djalit të tij, Pjetri, një kravatë. Pjetri u ngazëllye aq shumë sa rendi për t’i treguar të gjithëve në Parkun e madh, ku bëhej moda nga të rinjtë e pasur.
Kravata është një fjalë që vjen nga frëngjishtja, përdorur për herë të parë në shekullin e 17-të, edhe pse versioni i parë mendohet të jetë gjetur në varrin e perandorit të parë të Kinës, Shih Huang Ti, 210 p.e.s, i cili u zbulua në vitin 1974, pranë kryeqytetit të lashtë të Xianit. Në eshtrat e tij u gjend një pëlhurë mëndafshi e hollë, si shall i derdhur. Por i gjithë trendi i këtij aksesori të vogël e që i ka mbijetuar kohërave, nisi në periudhën e Rilindjes gjatë Luftës Tridhjetëvjeçare (1618-1648) nga ushtarët kroatë të cilët erdhën në Francë. Në uniformën e tyre, ata lidhnin rreth qafës një shami. Gjithashtu një shami të tillë ia dhuronin dhe të dashurës në çastin e nisjes për luftë. Fjala “cravat” është një derivat i fjalës “croat” nga ku mori dhe emrin që njohim dhe ne sot ‘kravat.’ Gjatë mbretërimit të Luigjit XIV, stili i përgjithshëm i ushtarëve kroatë i bëri
shumë përshtypje homologëve të tyre francezë dhe u bë nje mani e veshjes në të gjithë Evropën, si për meshkuj, ashtu edhe për gratë. Forma e parë e saj ishte me dantella dhe xhufka, të cilat të merrnin shumë kohë për t’u sistemuar e veshur. Me revolucionin industrial, kravata u bë më e thjeshtë dhe më e rehatshme. Një tjetër tip kravate quhej Ascot, e cila u përdor për veshje ceremoniale dhe në darka formale. Ndërsa për femrat, ajo ishte më komplekse, në formën e jakave të mëdha e të ngrira. Ndërkohë, më vonë u bënë më të vogla e më të këndshme dhe visheshin nga zonjat aristokrate, të cilat gjatë kësaj periudhe filluan aktivitete sportive siç ishte edhe kalërimi.
Ndërkohë në fund të shek. 18-të, ato u rikthyhen edhe njëherë, por më fuqishëm. Kjo i atribohet një grupi të rinjsh të pasur, të ngeshëm, të rritur mes luksit të quajtur “macaroni” (siç përmendet në këngën e njohur amerikane “Yankee Doodle”). Këta ishin anglez të rinj që nuk kishin profesion tjetër përveç elegances, të cilët u kthyen nga Italia dhe sollën me vete ide të reja të modës italiane. Në këtë kohë, Dandy u shfaq në shoqërinë angleze të periudhës se regjencës me Xhorxh Brumelin, tek i cili dashuria për të bukurën dhe të pazakonshmen u shfaqën si në veshje ashtu dhe në stil jetese. Kështu shumë shpejt, kravata u bë një shenjë e elegancës por edhe e pushtetit. Shumë njerëz të tjerë të shoqërisë se lartë, poetë dhe romancierë të suksesshëm të famshëm të dashuruar pas artit të veshjes si Oscar Uajld, Bajron, Sharl Bodleri e shumë piktorë si Xhovani Boldini ishin të dhënë pas këtij aksesori, duke u bërë pjesë e pandarë në përditshmërinë e tyre.
Mjafton të kujtojmë një nga kryeveprat e O.Uajld, Portreti i Dorian Grejit, 1891 si dhe Xhovani Boldini me portretin e Kontit Rober de Monteskju-Fezensak, 1897 për
të kuptuar se për ndjekësit e vertetë të modës, moda nuk ishtë tjeter vecse simbol i fisnikërisë së shpirtit të atij që e zotëron.
E ndërsa ky shekull i nëntëmbëdhjetë e konsideroi kravatën si pjesë të përditshmërisë jashtë kontekstit formal apo profesional, për femrën u bë më e dallueshme dhe më e krahasueshme për nga pëlhura, forma, dizajni. Kështu për t’i dhënë një stil me modern dhe më femëror, fustani u zbukurua me një jakë të madhe me dantella. Ishte periudha kur femra luftonte për të fituar më shumë liri dhe të drejta shoqërore. Qasja në edukim e ndoshta nevojën për t’u marrë seriozisht u reflektua edhe në veshje në një stil më mashkullor. E ndërsa Era Viktoriane ishte në një farë mënyre drejt fundit, Edward VII princi playboy ishte inspirim për stilin e veshjes. Kravata Ascot si dhe papjoni ishin të njohura gjatë kësaj periudhe. Mëndafshi ishte pëlhura e preferuar, meqenëse Londra ishte vendi dominues në Evropë për prodhimin e saj. Kravata u konsolidua në atë që njohim sot të gjithë vetëm në vitin 1920 me ekspertin e kravatës Jesse Langsdorf. Emrat kryesorë në art dhe ne modë si Pablo Picasso, Jean Patou, Jacques Fath dhe e pavdekshmja e stilit surrealist Elsa Schiaparelli, kishin krijuar kravatën luksoze prej mëndafshi për blerësit e shtresës së lartë, duke pranuar se njerëzit do të paguajnë për emrin dhe për cilësinë. Shumë emra të tjerë të njohur do të vijonin këtë traditë si Paul Smith, Pierre Cardin Hermes dhe Yves Saint Laurent të cilët sollën kravatën ose shallin elegant të mëndafshtë për femrën.
Art Deco, solli shallin e butë për të zbukuruar dekoltenë femërore duke sjellë imazhin fatal të saj. Kështu balerina e suksesshme e Art Decos, Isadora Duncan gjithmonë është e shfaqur me shallin e saj të gjatë transparent, i cili ishte një detaj i vogël, por i rëndësishëm në një botë të dominuar nga meshkujt.
Rreth vitit 1944, kravata u bë më e gjerë, duke i dhënë mashkullit një “look” më të fuqishëm dhe autoritar i njohur ndryshe Bold Look. Ndërsa vitet 70-të panë një kthim të papjonit floppy për femrën. Kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, e vishte shpesh dhe e shihte si pjesë e rëndësishme në garderobën e një politikaneje.
Ndërsa në portretin e Diana Spencer, fjongoja e vogël shihej si një trend delikat dhe shumë femërore në vitet 80-të. Por gjatë këtyre dy dekadave, ’60-80 ishin vitet e famshme hippy dhe kravata pothuajse nuk u përdor, pasi stili i të rinjve ishte shumë i shkujdesur dhe informal. Lufta në Vietnam pati ndikim të rëndësishëm në art dhe sigurisht edhe në modën e asaj periudhe, jo vetëm në Amerikë, por edhe përtej atlantikut ku, baballarët ‘gentleman” nuk i mësuan më fëmijëve të tzre, veshjen tipike prej Gentee homme. Kjo do të reflektonte në mënyrë të pandërgjegjshme në stilin e veshjes veçanërisht tek meshkuj në dekadat në vijim. E megjithatë, një tip tjetë kravate ajo prej stofi e thurur shënoi kulmin e saj në1960. Kjo kravatë u bë simboli i shpirtit rebel anglez veçanërisht kur u vesh nga grupi Beatles, gjatë takimit legjendar me JFK. Në vitet 1980-90 grupi Duran Duran solli ne modë kravatën e hollë.
Në fillim të shekullit të 21-të, u rikthye edhe një herë kravata e gjerë me një gamë e fantazie e modelesh abstrakte, humoristike, vija tradicionale klasike, por edhe regjimentit, ose e një klani me një dizajn simbolik. Kështu quhet kravata e lindur në Anglinë e gjeneralëve të mëdhenj, për të dalluar ata që i përkisnin një regjimenti (nga ku ka marrë edhe emrin), dhe që me kalimin e viteve i kaloi kufijtë dhe përcaktoi kushtet e elegancës mashkullore e jo vetëm kaq.
Kravata Regjionale është me vija të trasha me një kuptim të fortë identifikimi dhe klanor. Në versionin tradicional anglez, kravata regjionale ka një model të linjës nga e majta në të djathtë ose, siç është zakon të thuhet për të kujtuar origjinën e saj ushtarake, nga zemra në drejtim të shpatës si dhe për të përcaktuar idealet dhe vlerat e atyre gjeneratave që ranë në luftë. Përveç historisë magjepsëse të Regjimentit, sot kravata me vija është një domosdoshmëri për elegancën e meshkujve si dhe me një shprehje të lartë të ekspresivitetit dhe autoritetit.
Edhe pse në kohën e teknologjisë dhe të internetit, ekziston një ndikim i fortë i veshjes sportive e ku shohim më shumë njerëz me famë në botën e ShowBizz-it dhe jo vetëm por edhe në fushën e politikës, të cilët mbajnë veshje sportive, këmisha të hapura dhe xhaketa pa kravatë, duhet pranuar se kravata mbetet si instrumenti me identifikues i personalitetit. Pa hezitim mund të pohojmë se është një mundësi e mirë për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve.
Pra, nëse jeni në dilemën të mbash ose jo sot një kravatë? Personalisht, do të preferoja traditën në vend të Modës (kjo e fundit është në ndryshim të vazhdueshëm.) Gjithçka varet nga ajo që ju përshtatet …por elegancë dhe sprezzatura(sikurse thonë edhe vet italianët) janë receta e shërimit të këtij shekulli të rrëmujshëm e të vrullshëm; është kjo receta e revolucionit për brezin e ri për të na rikthyer sërish modelin ‘Un gentilhomme’
Leave a Reply