• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

July 3rd, 2022
  • HOME
EDMOND ARIZAJ/ Tradhtia e Librazhdit që na prishi traditat
Home
Sociale

EDMOND ARIZAJ/ Tradhtia e Librazhdit që na prishi traditat

May 30th, 2022 bora.autor Aktualitet, Blog, Sociale 0 comments

Si ka mundësi që traditat tona, arbërore-shqiptare po rrënohen çdo ditë e më shumë? A mund të mendohej para 100 vjetësh që ajo vajza nga Librazhdi që përdhosi krevatin e pangrohur nga burri e që për punë e shërbim e kishin marrë, të shpëtonte gjallë, pasi e kapën me jaranin në shtëpinë ku flinte vetëm prej tri vitesh?

Si ka mundësi që nderi dhe namuzi ynë, për të cilin jemi mburrur në shekuj, tani është katandisur vetëm në shkopinj e dru, jo në plumb?! Si ka mundësi që degjenerimi i dikurshëm, aq i bukur dhe autentik që bëhej nëpër lagje, apo fshat për hatara të tilla, tani bëhet me video nëpër rrjete sociale, pa shkaktuar atë ngazëllimin e kokave që zgjateshin nga dritaret duke kukurisur “o ç’u kënaqëm”?

Po si ka mundësi që prindërit e saj, pritën 17 vjet për ta martuar dhe jo 13 e 14 sa e kemi pasur traditë?! Po si vallë nuk e kanë më atë gjakun e ndezur që të merrte gjak në vetull dikur, e nuk ia prenë vajzës mishin me gërshërë e kështu ta vinin nderin në vend dhe me miqtë e para fshatit të mos turpëroheshin? Po si vallë ata vjehërr e vjerrë, pasardhës të denjë të Lekës, nuk i prenë hundën siç e kërkojnë rregullat e inkuizicionit në këto raste, që tërë jetën të tregohej me gisht?

Po si vallë në gjithë shoqërinë tonë me prejardhje hyjnore pellazgo-arbërore, ka ende tek -tuk ndonjë që i vjen keq për atë vajzë? Dhe si ka mundësi, si ka mundësi, ka disa qelbësira që thonë të merren masa për ata që i përhapën videot, pa menduar që kjo shërben për t’u dhënë një mësim të mirë gjithë atyre vajzave e grave që e kanë zakon të përdredhin bishtin?

Si mund dikush të mbrojë një femër të tillë të ulët, që tradhëton burrin, sepse arbërorët në këto 30 vjet i kanë çuar vetë a i kanë shitur në Itali të fejuarat dhe gratë, por kjo s’ka pse të jetë skandal, ato plaçkë janë tek e fundit?

Po si vallë ne, pasardhësit direkt të virtytit, nderit, burrërisë, besnikërisë, të prekur nga dora e Zotit që në përmbytjen e Noes, të pamolisur nga rrjetet sociale dhe videot me bythë e gjokse jashtë; me programe televizive ku puna, inteligjenca, talenti dhe mundi marrin vlerësim; ku nuk çmendemi fare nga programe që promovojnë seksin e shfrenuar, marrëdhëniet me shumë partnerë, fjalorin e denjë për kuplara në programe të rinjsh; që jemi qibarë e nuk pranojmë që eskortat të na shiten si modele; që kundërshtojmë si shoqëri pasuritë e vëna nga vajza e gra që nuk kanë punuar kurrë as si modele…të na dalë një pispilluqe nga Librazhdi dhe të na prishë imazhin?

(Pyetja ime e parë, me vete sigurisht, ishte: Mirë nusen, po as djalin nuk e deshën këta që bënë videon, sepse në njëfarë mënyre edhe ai ndihet keq dhe i rënduar nga gjithë kjo shfryrje shoqërore? Pse pra meqë e bënë videon, t’ja nisnin dhe t’i thoshin, o bir, kjo vajzë nuk bën për ty, na fal?)

Nuk ka Jezus mes nesh që të thotë kush nuk ka bërë mëkate të hedhë gurin i pari mbi mëkataren, sepse nuk është pa faj dhe ajo vajza sigurisht. Por vrisni njëherë mendjen, mblidhini faktet, imagjinoni trysninë, vendosuni në vendin e kësaj fëmije (minimumi 10 vjet më e vogël se gjithë personazhet e tjerë) e pashkolluar ndoshta, shtojini kësaj bombardimin prej një viti të merakut të madh kombëtar cilën ka lënë dhe cilën ka zënë Donaldi mes Alesias, Borës dhe Beatrixit, apo ndonjë bombardimi tjetër, dhe do dalë i pastër qelbi shoqëror i Librazhdit, por që besoj ka mbledhur në shumë e shumë vende e familje të tjera të Shqipërisë.

Në kokat pellazgo-arbërore duhet të nisë të ngulitet mirë një gjë: Tradhëtia është “punë” vetëm e dy-tre njerëzve dhe zgjidhet në gjykatë. Gjithë tjerët duhet ta mbajnë hundën brenda punëve të tyre, edhe vjehrrat, edhe baballarët, edhe komshijtë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article LORENC VANGJELI/ Rama, Shansi i katërt për të zgjedhur me 84 vota Presidentin
Previous article MERO BAZE/ Berisha, “i treti i vërteti”

bora.autor

Related Posts

LUTFI DERVISHI/ Rama dhe Qeveria e tij rrezikon seriozisht të lërë pa punë Portokallinë Blog
July 2nd, 2022

LUTFI DERVISHI/ Rama dhe Qeveria e tij rrezikon seriozisht të lërë pa punë Portokallinë

EDUAR ZALOSHNJA/ Si votoi vjet gjysma më e varfër dhë më e pasur e elektoratit? Blog
June 28th, 2022

EDUAR ZALOSHNJA/ Si votoi vjet gjysma më e varfër dhë më e pasur e elektoratit?

BEN ANDONI/ Buzëqeshja që të kafshon e Evropës, Ballkani dhe sëmundja e Putinit Blog
June 24th, 2022

BEN ANDONI/ Buzëqeshja që të kafshon e Evropës, Ballkani dhe sëmundja e Putinit

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
ALFRED PEZA/ “Këshilla një gazetari" për Alketa Vejsiun

ALFRED PEZA/ “Këshilla një gazetari" për Alketa Vejsiun

OP-ED Feb 7th, 2020
FALEMINDERIT "heronjve të heshtur". Budallai mbaron ku fillon... HEROI Aktualitet

FALEMINDERIT "heronjve të heshtur". Budallai mbaron ku fillon... HEROI

Mar 27th, 2020
Kush është kryesharlatani? Koloneli i Detit i përgjigjet Berishës: Pakti i fshehtë që bëre ti… Blog

Kush është kryesharlatani? Koloneli i Detit i përgjigjet Berishës: Pakti i fshehtë që bëre ti…

Mar 7th, 2018
JONAS DRIEGDER/ Sa ndikim ka realisht Rusia mbi Gjermaninë? Blog

JONAS DRIEGDER/ Sa ndikim ka realisht Rusia mbi Gjermaninë?

Jul 30th, 2018
SKËNDER BRATAJ/ Shoferi që kërkon të bëhet deputet Aktualitet

SKËNDER BRATAJ/ Shoferi që kërkon të bëhet deputet

Nov 19th, 2020
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k