Kur u hap ‘çështja Tahiri’, nisi të qarkullonte edhe një pandehmë: ndërkombtarët kishin planifikuar të zbatonin në Shqipëri skenarin maqedonas. Me një fjalë, përgjimet e Habilajve, ku përmendej edhe Tahiri, ishin vetëm një nga përgjimet e shumta që agjencitë perëndimore kishin nëpër dosje.
Parathuhej se, gradualisht dhe njeri pas tjetrit, do të hidheshin në qarkullim përgjime të tjera, që nxirrnin zbuluar ofiqarë të lartë të pushtetit dhe të shtetit. Përgjimet që prisnin radhën, thoshte pandehma, ishin edhe më skandaloze dhe do të zbuloheshin sipas parimit të asaj përrallës: ‘sa më thellë, aq më dërdënge’.
Sot, një vit e kusur më pas, duket se e gjithë kjo s’qe veçse një sendërgji. Ndërkohë, për të mbushur boshin e pritjes, ligjërimi ynë politik dhe ai mediatik kanë përcjellë disa skandale e kuaziskandale, gatuar ala shqiptarçe. Mes tyre, për nga kohëzgjatja, marrja dhe rimarrja, rifreskimet e zhurmimet, kryeson ‘çështja Babale’. Një telenovelë e gjatë që po zhvillohet në seri, ndaj nuk kanë munguar as përpjekjet për numërim: Babale 1,2, 3 etj.
Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë ‘çështja Babale’ ngjan se s’është veçse ‘meseleja Babale’. Në vend të përgjimeve serioze, si ato të të rastit maqedonas, kemi një tymnajë thellësisht provinciale, që anon shumë më tepër nga thashethemet, në dobi herë të këtij e herë të atij krahu politik, se sa nga ligjërmi serioz, që zbulon e godet skandale për t’i shërbyer interesit publik.
Pamja është sa qesharake aq dhe e dhimbshme. Më njerën anë shfaqen dy persona groteskë, dalë nga nëndheu shoqëror, tipa që janë gati të ndërrojnë skenar, sa herë që njeri apo tjetri usta ofron diçka në shkëmbim. Më anë tjetër kemi dy krahët politikë, të etur për zhvillimin e telenovelës; jo për të zbuluar të vërtetën, por për të diskretituar palën tjetër dhe për të venë kapital politik. Akoma më tej janë medjat, që zhurmërojnë e hedhin në efir turlilloj trillimesh, pa marrë mundimin të luajnë nga zyrat a studiot e të verifikojnë a, larg qoftë, investigojnë.
Dhe përfundimi shfaqet dramatik. Me dashje apo pa dashje, të gjithë aktorët e përfshirë në këtë mesele zhurmojnë e trubullojnë. Krijohet një shtjellë llafesh e thashethemesh që, në fund të ditës deligjitimon institucionet dhe vret shpresën se ky vend mund të bëhet.
2.
Në maj-qershor të këtij viti Top Channel publikoi në vazhdimësi lajme për një insekticid të quajtur methomyl. Dikur ka qenë përdorur për të luftuar parazitët e fruta perimeve, por që prej 25 vjetësh vendet e BE-së e kanë venë në listën e preparateve të ndaluara.
Edhe tek ne me ligj e letra është i ndaluar, por investigimet e Top Channel dëshmonin se mund ta gjeje lehtë në farmacitë bujqësore të Shkodrës, Lezhës, Lushnjës, Beratit, madje edhe në Tiranë e Kamëz, nën hundën e AKU-së.
Ky pesticid i ndaluar hyn kontrabandë dhe pas gjasash përdoret gjerësisht nga fermerët. Specialistët thonë se është mjaft i efektshëm për të luftuar parazitët e bimëve, por njëkohësisht merr kohë të gjatë të shpërbëhet. Qendron rreth tri javë në sipërfaqe të frutave e perimeve, ndaj mund të depërtojë në organizmin e konsumatorëve. Kjo gjasë bëhet edhe më reale nga që kanalet e depërtimit janë të shumta: lëkura, aparati tretës, madje edhe rrugët e frymëmarrjes.
Kur depërton tek njeriu shkakton një varg çrregullimesh të sistemit respirator, atij kardiovaskular, madje edhe të sistemit nervor. Kemi të bëjmë me një preparat që vret parazitët, porrrezikon rëndshëm njerëzit.Thenë shkoqur, jo një e dy por shumica e konsumatorëve janë të rrezikuar.
Top Channel u kujdes që ‘çështjen methomyl’ ta menaxhonte si një dosjer që ‘shfletohej’ para shikuesve thuajse përditë, duke zbuluar gradualisht informacion të ri, duke sjellë fakte dhe dëshmi të reja e duke strukturuar kështu një narrativë publicistike, që tërheq vemendje dhe krijon ndjeshmëri.
Përkundër gjithë këtyre cilësive, ‘çështja methomyl’ nuk e kapërceu dot hapsirën e Top Channel. Madje edhe tek ky i fundit mbeti e ngujuar thuajse vetëm në hapsirën informative, pa u marrë e rimarrë nga emisione të tjera, veçanërisht nga ato që diskutojnë dhe analizojnë çështje të rëndësishme nga kënde të ndryshme vështrimi.
3.
Në jo pak rrafshe methomyli prestonte për vemendje mediatike shumë më masive se sa Babalja. Mbështetej në fakte konkrete, të zbuluara pas investigimesh bërë në shumë rrethe të vendit. Shtjellohej e sqarohej nga specialistë të fushave të ndryshme si agronomë, toksikologë, merceologë, fermerë etj.
Me një fjalë, një diskutim i gjerë për methomylin dhe sidomos për sigurinë ushqimore do të ngrihej mbi fakte reale e të provuara. Rrjedhimisht do t’i zinte thuajse gjithë shtigjet që gazetarët dhe mediat të bëheshin shkak për të gjeneruar zhurmë e dezinformime. Nga ana tjetër, dhe kjo është më e rëndësishmja, një diskutim i gjerë do të ishte konstruktiv e i dobishëm, sepse do të shtonte trysninë të zgjidhej si çështje, fjalët të mos mbeteshin llafe por të jepnin rezultate.
‘Çështja Babale’ erdhi që në fillim si dëshmi e kontestueshme, vështirë ta përcaktoje prerë në se flitej për ngjarje reale a për sendërgji. Reputacioni i burimeve ishte i ulët. Mundësitë për dezinformim dhe përdorim politik ishin të konsiderueshme.
Të gjitha këto do të duhej t’i shtynin gazetarët e, sidomos shefat e tyre, të dyshonin dhe këtë dyshim t’ua përcillnin edhe shikuesve, qoftë me vendin relativisht modest që do t’i rezervonin kësaj fabule, qoftë me investigime plus.
Natyrisht lidhjet e pretenduara ‘mafje – pushtetarë’, që pretendon ‘çështja Babale’, janë të një rëndësie të madhe shoqërore, por helmet si methomyli, që mund të hyjnë në organizmin e qytetarëve dhe të venë në rrezik shëndetin publik, janë shumë më sensitive, madje edhe më të rëndësishme. Shëndeti doemos që vjen para politikës.
Edhe diçka tjetër. Qytetarët që rrezikohen nga methomyli dhe mëkate të tjera të sigurisë ushqimore janë të pagojë. ‘Çështja Babale’, sot e kësaj dite ka mbetur kryesisht armë lufte politike, sipsas kthesave që merr shpie ujë herë në mullirin e opozitës e herë në atë të maxhorancës. Si e tillë është e mbështetur nga dy partitë që bëjnë dhe shiun dhe diellin në ligjërimin politik dhe kanë burime të shumta amplifikimi. Kur është fjala për të zgjedhur kujt do t’i japin përparësi, interesit qytetar apo interesit të partive, mediat me integritet zgjedhin pa hezitim qytetarin dhe qytetarinë.
4.
Vetëm në një rrafsh ‘çështja Babale’ duket se merr përparësi mbi methomylin: ka më shumë intrigë e të panjohura, siç ka dhe personazhe të çuditshme, kthesa e të papritura, mbushur me thënie e kundërthenie. Si e tillë jep dorë për shtjellim me teknika telenovelash.
Në fakt edhe ‘çështja methomyl’, si rrezik shëndeti në shkallë të gjerë, është goxhá sensitive. Veç kësaj, e shtjelluar në trajtë dosieri, siç e bëri Top Channel, me informacion dhe personazhe të reja, që shfaqeshin në rrjedhën e ditëve, ngjall interes të gjerë.
Si e tillë, po të ishte marrë edhe nga media të tjera, mund të ishte bërë kauzë e rëndësishme. Jo për zhurmë, as për interesa palësh politike, por për të ndihmuar sa qytetarët, aq edhe reformime në institucione si doganat, AKU-në, drejtoritë e barnave, farmacitë etj.
Arsyeja përse Babalja u bë kauzë e vitit, kurse methomyli mbeti në hije duket se lidhet edhe me faktin që i pari u hodh në qarkullim nga një parti politike; kurse i dyti nga një television. Babalja, e prezantuar fillimisht nga PD-ja, ishte produkt që mund të mirrej nga gjithë mediat, pa kurrfarë mundi, thjeshtë duke e përsëritur motamo. Methomyli, si zbulim i një medieje, nuk mund të merrej i gatshëm, kërkonte hulumtime plus, ndryshe do të kosiderohej plagjiaturë e vjedhje.
Problemi duket teknik, por është thembër Akili për ligjërimin tonë publik. Mediat që nga halli apo nga malli, nga interesi a nga dembelia, bëhen megafonë të partive, indirekt militojnë për rritjen e skepticizmit dhe apatisë që pas gjasash rrezikojnë të bëhen asfiksuese.
Duket se disa kanale televizive punojnë sipas praktikës: hidh në qarkullim gjithçka vjen nga selitë e partive dhe pastaj organizo debate në studio për të gjetur si qendron e vërteta. Në parim ky lloj procedimi s’ka gjë për të qortuar. Që nga koha e Sokratit e këndej njerëzimi i ka shfrytëzuar si instrumen për t’iu afruar të vërtetave ligjërimet e mbështetura mbi pyetje përgjigje dhe ndeshje opinionesh të kundërta.
Ky parim universal duket se nuk funksionon në në një pjesë të mirë të diskutimeve televizive që prodhohen tek ne. Arsyeja është banale: në këto lloj diskutimesh, sidomos kur ëdhtë fjala për tema politike, marrin pjesë thuajse të njejtët persona. Etiketohen si të pavarur, por në çdo rast e kurdoherë rropaten të mbrojnë pikëpamjen e të njëjtës parti, pavarësisht nga çështja që diskutohet e pavarësisht nga anon e vërteta.Parë kështu, shumicën e herëve debatet televizive për politikën ngjajnë si zgjatim i luftës për pushtet që bëjnë partitë. Kësaj i thonë t’i bësh petullat e së vërtetës sipas parimit shto ujë e shto ujë.
5.
Televizionet kanë harxhuar dhjetra ore me lajme dhe emisione për ‘çështjen Babale’. Gazetat kanë nxirë shumë faqe me raportime dhe opinione gjithfarëllojesh. Përkundër gjithë këtyre, sot e kësaj ditë kjo çështje ka mbetur gurrë thashethemesh e shpifjesh, larg një zgjidhjeje që do të zbulonte të vërtetën.
Opinioni duket i ndarë më tresh, militantët e të dyja palëve që besojnë thuajse verbërisht ‘të vërtetën’ e partisë dhe një masë e konsiderueshme qytetarësh që përditë e më shumë bëhen dyshues. Edhe vendimi i pritshëm i gjykatës vështirë se do ndryshojë këtë reshtim forcash. Propaganda partiake e amplifikuar nga mediat prej vitesh ia ka dalë që korrupsionin e një mase gjyqtarësh e prokurorësh ta paraqesë si korrupsion të gjithë sistemit të drejtësisë.
Pas të gjitha gjasave, në fund të ditës, ‘çështja Babale’ do gropost në varrezën e tejpopulluar të çështjeve ‘shumë zhurmë për pakogjë’, të diskutimeve publike që u shërbejnë sidokudo partive politike, por në rrafsh qytetar prishin shumë më tepër se sa ndreqin.
Dhe për ta kompletuar gjithë pamjen, në sfond të zhurmnajave me skandale të njëpasnjëshme, reale e të shpikura, të përfolura por pothuajse kurrë të sqaruara e të gjykuara besueshëm, shfaqet vargani i gjatë i të rinjve që, shpresëvrarë marrin këmbët në sup dhe kërkojnë të realizohen dherave të huaja.
‘Zhurmnajë dhe hemoragji’ do të ishte një nga paradigmat më përfaqsuese dhe më të dhimbshme të këtij tranzicioni që zgjatet e zgjatet si bisht lugati.
Leave a Reply