1./
Të ngujuar të gjithë brenda kullës së një cinizmi kolektiv, nga frëngjia e ngushtë zgjasim kokat, nxjerrim armët dhe po qëllojmë pa ndaluar me një batarre të paparë virtuale.
Mallkojmë, ofendojmë, masturbojmë, ulërasim, bërtasim pse njëra nga vajzat tona u ftua të prezantonte një festival kënge te vendi ynë fqinj.
Me pisqollat e ndryshkura të një race që kompleksohet nga arti dhe e bukura, nuk po bëjmë dot pushim as në fundjavë por lodhemi e lodhemi si maratonomaku mediokër:
-Pse veshe fustanin rozë para atij të kuqit?
-Pse u tregove italianëve për brengat tona gjatë diktaturës?
-Pse fole aq shpejt?
-Pse gënjeve për prezantimet e festivaleve tona?
-Pse nuk tregon kush të ndihmoi të prezantoje San Remon?
-Pse stonove kur këndove?…
2./
Edhe në Shtëpinë e Bardhë sikur të kishte shkuar kjo Alketë, edhe sikur të ishte zyrtare shqiptare e të mbante fjalime në OKB, Bashkim Evropian, Konferencë Islamike apo NATO nuk do intimidohej “e perdhunohej” kaq dendur e kaq ashpër nga ne të gjithë.
Është një prezantuese televizive që kurrë nuk ka punuar në administratën publike, nuk ka marrë rrogë nga taksat tona, nuk ka përfituar tendera apo bonuse qeveritare. Një prezantuese dhe showgirl që paguhet me honorare nga radio apo televizione private e cila në ekonomi tregu ka marrë rolin e një individi të argëtojë miletin.
Alketa Vejsiu nuk u ka thirrur kurrë në fushata elektorale ti jepni votën, nuk u ka kërkuar ta duartrokisni të sforcuar, nuk u ka kërkuar ta mbani pultin të gozhduar vetëm në një kanal televiziv.
Le ti kërkojmë Alketës nëse paguan tatimfitim mbi honoraret që merr, nëse burri ndërtues i Alketës paguan taksat, paguan rrogat dhe sigurimet e punonjësve, nëse familja e saj është korrekte me institucionet fiskale të këtij vendi.
Ti lemë sulmet bajate dhe energjinë që harxhojmë për Alketën ta orientojmë për deputetin, ministrin, opozitarin, gangsterin apo zyrtarin publik. Në fund të ditës ti shkon në shtëpi dhe aty te lagjia krimi plagos komshium, nga rubineti nuk të pikon ujë, frigoriferi gjysēm bosh, stomaku dremit i pangrënë por përsëri shqetësohesh kush e çoi në San Remo zonjën Vejsiu?
Milet i dashur, misioni i Alketës është të të argëtojē trurin dhe shpirtin, stomakun duhet ta argëtosh ti me ushqime që i ble me lekët e punës që bën, jo me llogje Kavaje e as me llogje San Remoje!
Leave a Reply