Nga Bledi Lumani
Ka një entuziasëm të pakuptueshëm tek opozita dhe mediat pranë saj, pas vizitës së fundit të Albin Kurtit në Tiranë dhe shfaqjes së tij tek Fakulteti i Shkencave Sociale, ku foli për një “Pranverë shqiptare” dhe për rrëzimin e Ramës e Hashim Thaçit.
Që prej dje, ai është shpallur lideri kombëtar, që do shpëtojë dy vendet tona, Shqipërinë dhe Kosovën.
Shkruesit afër PD-së thonë se ai zbarkoi në Tiranë në prag të protestës së 16 shkurtit, pasi Albini e ka kuptuar që Edi Rama qenkërka sponsori i ndarjes së Kosovës, dhe ka ardhur ta rrëzojë, për të shpëtuar Kosovën nga gjëma.
Aq qesharake u bë gara e shkrimeve lavdëruese ndaj Albinit, sa një prej gazetave pranë opozitës shkruante se pasi po përballet me “bajlozët e zinj” në Kosovë, Albini ka ardhur të “ndeshet” me oligarkët dhe neotrafikantët e Tiranës.
Edhe më qesharake ishte thirrja e e ndonjë gazete të majtë, që i “lutej” Albinit t’i qendronte larg Sali Berishës dhe të mos bëjë lojën e tij.
Albin Kurti prej vitesh është një prej politikanëve më të dashur në trojet shqiptare, jo vetëm për shkak të idesë së bashkimit kombëtar, por sepse që në fillim u shfaq si një politikan i pakompromis, i pakorruptuar, që shiste shtëpinë e vet për të financuar lëvizjen e tij, që ka qenë kundër kastave drejtuese dhe gjithmonë me “vegjëlinë”, që dilte vetë në ballë të protestave dhe përleshej me policët për mbrojtjen e kufijëve, që nuk pyeste as për ndërkombëtarët. Pra, shkurt një politikan idealist!
Një politikan që ne në Shqipëri na ka munguar dhe për këtë arsye, e kemi idealizuar Albinin, ndoshta më shumë se ç’duhet.
Pikërisht këtë Albin, po përpiqet që ta shfrytëzojë opozita e Tiranës, me shpresën se njerëzit do të frymëzohen nga ai për të rrëzuar Edi Ramën, pasi për fatin e tyre të keq, por edhe tonin, në opozitën zyrtare nuk ka asnjeri që të bëjë Albinin. Pra, që të frymëzojë njerëzit të dalin në shesh.
PD është investuar në figurina qesharake, të tipit Balliu-Salianji, ndërsa LSI nuk mundi të dalë jashtë familjes Meta. Ndaj dhe sot, më shumë se kurrë, atyre iu duhet Albini, sepse nuk e kanë një të tillë në radhët e tyre.
Por, Albini nuk është ai politikani që kemi “adhuruar” për vite. Ka edhe ai dritë-hijet e tij, të cilat dolën në pah muaj më parë, në betejën e egër që ndërmorri brenda partisë së tij, duke iu imponuar dhunshëm bashkëpunëtorëve të vet të ngushtë për vite me radhë, të cilët më pas i zboi nga partia.
Albini nuk është në fakt ai “demokrati” që mund të bënte ndryshimin e madh, pasi në rastin e partisë së tij, e tregoi se është një rimishërim i diktatorëve komunistë, të cilët për pushtet të vet, prisnin kokat e bashkëpunëtorëve të tyre.
Në rastin kur ai duhej të tregohej një lider bashkues, u shfaq si një njeri i vogël, duke përçarë partinë e vet, në emër të egos dhe ambicies së vet.
Dhe një njeri që nuk bashkon dot partinë e vet, mos prisni që të bashkojë politikën shqiptare këtej dhe matanë kufirit.
Dy vendet, jo e jo!
Leave a Reply