Nga Bedri Islami
Prej disa ditësh politika është mbërthyer në një vorbull të pashoq përplasjesh, të cilat, duke mos e patur të mjaftueshëm truallin e sallat parlamentare brenda vendit, nuk e kanë për gjë të spostohen edhe larg, në Bruksel, ku me ngut dhe me një dëshirë të madhe, jemi të gatshëm të përdhosim çdo lloj vlere dhe të hahemi me njëri tjetrin, herë si çakej e herë si hiena.
Opozita ka bërë të sajat dy kauza të cilat do të ishin të turpshme edhe për një periferi mendimi afrikan, ndërsa shumica hedh, në të njëjtën kohë dy britma të forta, të cilat, në kohën e hedhur, më shumë se preokupim politik, ngjasojnë me gjetje kryeministrore, si një kundërvënie ndaj sulmit opozitar.
Opozita, prej disa muajve, ka marrë në duart e saj dy “asa” të politikës së saj; së pari Babalen, të cilën as ajo vetë nuk do e kishte besuar po të ishte në pushtet dhe të qepur me një fill aq të dukshëm budalla, sa që do të ishte e turpshme për të zvargur edhe më tej drejt vetes si një urë drejt pushtetit.
Çështja “Babale” është pa dyshim një shfaqje sinjifikative sa se poshtë ka rënë niveli i politikës sonë. Më tej se mjerim i saj, ajo është përdallimi i vlerave ndaj antivlerës së hedhur në treg politik, por që në fund krijoi një frazeologjizëm të ri, “babalizëm”, si shenjë e ngritjes së kauzës nga antivlerat, qofshin njerëzore, qofshin politike.
Përgjigjja fb-she ndaj këtij fenomeni të neveritshëm nga shumica qeveritare, më shumë se trazim i saj dhe çështje serioziteti, është një dëshirë e saj për të mbajtur diskutimin politik në këtë nivel, gjithnjë duke shpresuar se, në fund të fundit, opozita do të njësohet me babalizmin, si shenjë e degradimit të saj. Dashje, pa dashje, duke u bërë pjesë e këtij diskutimi, më shumë se marroq, ajo vijon të ulë edhe vlerat e saja, pra të bëhet pjesë e një lojë kungulleshkash, e cila, jo vetëm nuk e vlerëson atë, por e bën të njëllojtë edhe me nivelin politik të opozitës.
Çështja e dytë e opozitës krijohet nga një histori të rëndomtë dashurie, e cila, si kam shkuar më herët, do të harrohet shpejt, dhe do të ishte harruar, nëse djali i burgosur tashmë nuk do të ishte bir i një deputeti, edhe ashtu anonim. Një histori që po shuhet, lindur nga një oficer gjyqësori që kishte detyrën për ta mbrojtur dhe që e përdori si alibi për të fituar një ditë të drejtën e strehimit politik si paraardhësit e tij të lidhur me opozitën. Një letër e bërë publike pasi i ishte përcjellur ish-shefit të qeverisë, që këto ditë, si shenjë solidarizimi me të varfërit festoi fejesën e të birit me lugë, thikë dhe pirunj të larë në flori, tregoi budallshëm se nga kishte nisur rruga drejt një kauze të re, që nuk ishte asgjë tjetër veçse mendja e budallepsur e një njeriu që, me brekë nëpër këmbë, bën thirrje për revolucion e përmbysje.
Një farsë komike e kthyer në kauzë është dëshmi e nivelit mediokër se ku është katandisur klasa politike.
Shumica, sikur deri tani nuk ishte këtu, shpejton të hedhë në tregun e politikës dy mallra, që, në fakt janë të blershëm, por që koha e zgjedhur, jo rastësisht, përkon me këtë kakafoni politike, që nuk gjen dot zgjidhje. Të dy hedhjet e shumicës, lojërat e fatit dhe shpifja si njësi që duhet dënuar, janë të drejta, të nevojshme dhe të domosdoshme, por edhe pse të vonuara, koha e zgjedhur rënkon nga pasiguria.
Mes tyre, si një aktor komik, sillet një njeri, i cili në politikën shqiptare, duke sjellë si shenjë dalluese të tij babalizmin dhe përgjimin, si mjete drejt pushtetit, në fakt sjell dëshminë e një përmbysje totale të mendimit politik të opozitës. I zvjerdhur në mendimin e tij si lider i emëruar, i gatshëm për përfitime të mëdha, shitës parimesh dhe i shitur përmes mohimit të parimeve, si kurrë më parë, një ujk i politikës si Berisha është shndërruar në një vemje rrëshqitëse, i cili, edhe kur kërcënon, bëhet qesharak.
Sikur të mos mjaftonte teatri përtallës në skenën politike shqiptare, Basha synon të ndërtojë një skenë tjetër jashtë kufijve shtetërorë, shumë larg prej këndej, aty ku mund të vendosen disa piketa të një rruge ndryshe të vendit. Ai sulet drejt Brukselit si një kalorës vetmitar, për të shpënë kumtin e lig të një vendi që nuk e pranon si lider dhe as që ka ndër mend ta pranojë.
Edhe ai vetë është i bindur se pushteti për të, përmes një rruge të zakonshme e normale, është vite drite larg, dhe kjo, më shumë se për këdo tjetër, është e ditur për vetë atë. Ndërkohë ai grumbullon rreth vetes një trupë të gatshme për të shitur gjithçka, për të shantazhuar, për të përdhosur vlera dhe e gjithë selia mbytet përmes katër vetëve, ku asnjëri prej tyre nuk i përket gardës politike berishiane.
Ndërkohë, ndërsa grindet vazhdojnë për babalen, si mjet pushtëllëku në politikë, për një vajzë që as vetë nuk e di se si u sulën mbi të korbat mediatikë, përmes një figure të shumicës, jo rastësisht Balla, duke rendur drejt një dialogu të largët dhe memec në të njëjtën kohë, dy forcat e mëdha politike, harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë hallet e mëdha.
Në vend që opozita të ulet ku e kanë ftuar, se si do të përmbushen kushtet e vënë nga Brukseli për të qenë pjesë e BE, opozita, qorrasi, sulet për të bërë të kundërtën. Për të përmbysur. Kërkojnë përmes përgjimeve një shkak , nëse nuk e gjejnë e krijojnë, nëse nuk u del hesapi bëjnë llogari të reja dhe, nëse cënohet kunati, si njësi vetjake e njësi politike, tërbohen si askurrë më parë.
Çfarë kërkon opozita në këtë kohë dhe çfarë nuk afron shumica?
Opozita bën sikur do pjesë të pushtetit përmes revolucionit Kryemadh, manipulon me ndjenja rinore që një ditë do të pësojnë zhgënjim marramendës; ajo sulet drejt territ duke çoroditur dhe, nëse nuk e bën këtë për parime, atëherë duhet shikuar se si kjo ndjenjë revolucionare, edhe e çupëlinave politike, shndërrohet në vila, udhëtime, pasuri. Opozita kërkon pjesë të pushtetit përmes shantazhit dhe e di mirëfilli se askush nuk do ua japë atë kaq shtruar, përmes deklaratave politike studiove TV; se askush nuk ka ndër mend të kthehet drejt asaj që është provuar dhe që ka çuar drejt dështimit. Pasuria, në dy anët e saj, të mos preket ajo që është vënë, ndaj krijuan alibinë e Vetingut për njerëzit e politikës dhe të krijohet pasuria e re përmes shfrytëzimit të pushtetit parlamentar, janë ata që mbivendosen në kauzat e tyre. Në fakt, nuk kanë kauzë, por ndjenjë përfitimi.
Shumica e lejon këtë farsë, ndoshta edhe e nxit, asaj i vjen për mbarë që të vazhdojë babalizmi, ku e dinë se janë të fituar; u vjen për shtat të vazhdojë britma për një vajzë, e cila nuk ishte e para dhe as e fundit që do të goditet dhe kjo është dobësi e pushtetit; i lejon duke buzëqeshur që britmat e tyre antishtet, antikushtetuese dhe të dënueshme të lodrojnë nëpër buzët e atyre që në fakt ose duhej të ishin tashmë të dënuar , ose janë obligim i drejtësisë të vazhdojë trajtesën e tyre.
Po shkon edhe një vit. Pak më shumë se 8 muaj ndajnë ditën e zgjedhjeve vendore.
Për politikën është më interesante se çfarë mashtron një njeri si Babale, se sa ndryshimi i domosdoshëm o Kodit Zgjedhor.
Kërcënimi i Bashës se nuk do të futen në zgjedhje ngjajnë me ngashërimin e fëmijëve që e dinë se nuk do të kenë kurrë në duar një lodër të ëndërruar.
Leave a Reply