• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
BEDRI ISLAMI/ Kungulli ka nevojë për një gardh
Home
Blog

BEDRI ISLAMI/ Kungulli ka nevojë për një gardh

September 2nd, 2018 F.autor Blog 0 comments

Më në fund, ajo që pritej të ndodhte, ndodhi. Dy partitë e mëdha opozitare iu rikthyen dashurisë së vjetër dhe u bënë bashkë në zgjedhjet lokale, si një fillim për të bërë më tej në të ardhmen.

Nuk është një lajm i ri: edhe disa vite më parë, pikërisht në zgjedhjet lokale, LSI u bë një patericë e fuqishme e PD-së, dhe u përpoqën të rrëmbenin të gjitha bashkitë në veten e parë, çka edhe nuk ndodhi.

Jo rastësisht, edhe atëherë, edhe tani, njeriu të cilin LSI do e mbështesë më fort se gjithçka tjetër, është i njëjti, Basha. Por, duke mos mësuar nga e djeshmja, ata përsëritin të njëjtin gabim. Nëse në katër vitet e qeverisjes së tij bashkiake Basha bëri gjumin e madh, tani ai kërkon të vërë në gjumë të gjithë bashkitë e mundshme, si një narkozë e pushtetit të tij.

Në të vërtetë, dy forcat kryesore të opozitës nuk kishin rrugë tjetër. Pasi bënë qejf sa mundën një vit më parë, duke sharë e shaluar njëri-tjetrin, dhe duke pritur secili në heshtje se cilin do thërrasë Edi Rama në bashkëqeverisje, ata gjetën të vetmen rrugë të mundshme të mbijetesës. Të bëhen bashkë. Thonë, jo më kot se, kungulli që të rritet e ka nevojë për një gardh ku të mbështetet dhe, si më herët, LSI po bëhet gardhi i një kungulli politik, i cili mund të jetë i pjekur nga jashtë, por është i uthulluar nga brenda.

LSI dhe PD i kanë bërë të gjithë hesapet në këto muaj opozitarë. Kanë ngritur hamendje e kanë testuar në të gjitha anët dhe kanë arritur në përfundimin e njëjtë: të vetëm, mund të humbasin gjithçka; së bashku, të paktën të fitojnë atë që mund të shpëtohet.

Basha e di krejt mirë se ka shansin e fundit të jetë dikush në politikë dhe të jetë njëkohësisht njëri ndër afaristët më të mëdhenj të politikës. Një humbje e re, qoftë edhe disi më pak tragjike për të se ajo e qershorit të shkuar, do të thotë kthim në Holandë dhe kavërdisje me dhjamin që ka vënë deri tani dhe që është i mjaftueshëm për disa breza.

Humbja e re e Bashës do të zgjojë gjithë demonët që janë brenda PD-së, dhe lukunia e kundërshtarëve të tij do të shtohej, brenda vetes, në mënyrë gjeometrike, marramendshëm shpejt dhe fati i tij do të përpihej nga tallazi i stërzgjatur i një jete politike keqbërëse.

Mbi jetën politike të Bashës , por jo vetëm politike, rëndojnë aq shumë mëkate e faje saqë nuk do të kishte mjaftuar vetëm një humbje tjetër për t’i shpalosur të gjitha. Zakonisht në PD “dosjet” hapen gjithnjë nga brenda. Kështu ka ndodhur me “rebelimet” e Cekës, Pollos, Imamit; kështu ka  ndodhur me Hajdarin, ndaj të cilit u afishuan të gjitha krimet që ishin bërë bashkarisht, që nga 2 prilli e deri në pragun e vrasjes së tij; kështu ka ndodhur sa herë që thela e pushtetit nuk ka shkuar ku kanë dashur të tjerët.

Për Bashën zemërimi do të ishte edhe më i ndjeshëm: të gjitha fajet do i hidheshin mbi kurriz, të bëra prej tij ose ku ka qenë vetëm vëzhgues dhe shumë vetë, edhe ata që sot duken si beniaminët e tij, do të fërkonin duart për ikjen e turpshme.

Shansi i fundit mbështetet tek një forcë politike, e cila, megjithë rritjen e ndjeshme nga prakticiteti dhe guximi i një njeriu të vetëm, mund të rrënohet nga njeriu më i afërt i tij.

Ndodh edhe kështu. Njëri ndërton, tjetri rrënon, megjithëse marrin frymë njëlloj.

Kryemadhi e di po aq mirë sa kushdo tjetër se rrudhja e LSI-së do të jetë fatale nëse ajo nuk kontrollon disa bashki, pra nëse nuk është pjesë e pushtetit.

Brenda pushtetit LSI lëviz lirisht, si në truallin e saj; jashtë pushtetit LSI asfiksohet. Ajrimin e saj nuk mund ta bëjnë disa të rinj e të reja që kërkojnë “burrneshën”, të ngjashëm në mentalitet me ato që një shekull më parë thërrisnin “ duam babën”.

LSI, në të vërtetë është më tej se një strukturë partiake. Është një detashment politik, që frymohet bashkarisht, që jeton bashkarisht, që nxiton bashkarisht, që mbështet bashkarisht dhe që, në fund, përvetëson bashkarisht.

Është e vetmja forcë politike ku roli i Njëshit është i barabartë më rolin e të fundit dhe ku gatishmëria për përplasje dhe vijëzim idesh është maksimale.

LSI ka nevojë për numrat lëvizës të PD-së. Pa këto numra është një ide, por jo një realitet. Jashtë këtyre numrave ka frymëzim, por nuk lëviz.

PD-ja ka nevojë urgjente për frymën e lësëistëve. PD-ja është e metingashëve, por jo e njerëzve që lëvizin gjërat nga vendi. Pa shpërblim pak kush lëviz në partinë më të madhe opozitare. Ndodh kështu sepse janë mësuar. Në LSI , fryma që mungon në pëdëistët është zotëruese, është detashmenti kryengritës, sepse nuk sheh vetëm vendin e punës, por edhe besnikërinë ndaj një lideri. Ka mbetur e vogël, por shpërthyese. Nëse humbet në zgjedhjet vendore do të rrudhet edhe më tej. E vetme humbet kudo, tani i jep vetes një shans, pavarësisht se humbet gjithçka të sajën. Nga forcë politike bëhet bashkërrugëtare e bashkërrogëtare financiare.

Dy mace, thonin të vjetrit, nuk e bëjnë një maçok.

Opozita ka disa synime të saj, si parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme politike. Synon Tiranën, ku në një të ardhme mund të jenë më shumë se një e katërta e gjithë votave shqiptare; synon Durrësin, ku kanë shpresë për rikthim të pushtetit; vrapojnë drejt Elbasanit, duke e quajtur të sigurtë Kamzën, Shkodrën, Kukësin e ndonjë pjesë tjetër.

Megjithatë është ende heret për të parë nëse e kanë vërtetë seriozisht apo , përmes një dialogu do të përpiqen të nxjerrin sytë e njëri-tjetrit.

Sherri do të fillojë kur gjërat të jenë konkrete: kush do të kandidojë në qendrat e mëdha; cilat bashki do të jenë lëshime politike për LSI-në dhe cilat do të krijojnë hatërmbetje; do të ketë mbështetje reale në bazën e forcave politike apo “ dashuria” tiranase nuk do të arrijë në rrethe; kush do i prirë kësaj lufte nervash mes atyre që janë përdhosur me njëri-tjetrin deri në heqje të shpirtit; cilat interesa përputhen.

Në Shqipëri, për fat të keq, nocioni i së majtës dhe i së djathtës, ka humbur çdo vlerë. Të gjithë janë të majtë kur ia do puna; të gjithë bëhen të djathtë kur i tërheq financa.

Çfarë të reje do të sjellë një bashkim i tillë: PD plus LSI?

Asgjë nuk është e re dhe asnjë mbarësi nuk do të ketë. Ndoshta Rama, si drejtuesi i shumicës do të mbledhë mendjen dhe do të thërrasë rreth vetes të gjitha forcat politike që e kanë mbështetur deri tani dhe do të bëjnë sëbashku një ofertë serioze dhe të denjë. Por me kushtin e vetëm që, ato që do të shkruhen të bëhen, jo sipas metodës së njohur shqiptare, kalova lumin.., kalin.

Kjo mund të jetë e vetmja e mirë, por edhe kësaj here, jashtë tyre.

Bashkimi PD dhe LSI nuk ka asnjë të mirë tjetër. Bashkohet vera e prishur me uthullën e dobët. Bashkohet ajo që kemi njohur mjaft mirë me atë që nuk është enigmë. Shembujt e qeverisjes lokale të PD-së kanë qenë katastrofale, edhe kur drejtues ka qenë i pari i tyre, edhe kur është një tjetër. Qeversja lësëiste nuk ka qenë më e mirë. Asnjë shembull nuk mund të nxjerrin si përvojë. Kryetarë bashkish, përfaqësues të LSI-së që kërkojnë vizë amerikane, të tjerë që futin gjithë farefisin në zyrat e bashkisë.

Sidoqoftë, zaret u hodhën.

Por, si e thamë, kungulli, që të rritet, ka nevojë për gardh. Mjerë kungulli nëse gardhi rrëzohet.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article DASHNOR KALOÇI/ Mbi madhёshtinё e njeriut dhe tё keqen absolute tё regjimit totalitar
Previous article ENTELA RESULI/ Disa histori divorci nga Gjykata e Tiranës

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k