Shefi i qeverisë dhe i shumicës politike, Edi Rama, sipas të gjitha sondazheve dhe jo vetëm të tyre, vazhdon të mbetet njeriu më i besuar dhe më i votuar i shqiptarëve, por, si duket, kjo nuk qenka e mjaftueshme për të patur garancinë e një qeverisjeje solide, të paktën në nivelin mesatar të pritshmërisë së njerëzve.
Performanca e tij po shkon ngadalë, por ngulmueshëm, drejt rënies dhe, nëse ky ritëm rënieje do të jetë i njëjtë edhe për tri vitet e ardhshme të qeverisjes, atëherë, në një masë të ndjeshme sidomos tek të rinjtë, që ishin në shpresën e tyre më të madhe, do të shkojë drejt zhgënjimit.
Të jesh më i votuari nuk do të thotë se është e sigurtë se do të sjellësh edhe qeverisjen më të mirë të mundshme. Sado përpjekje sizifiane të bëjë shefi i qeverisë, që në fakt nuk i ka bërë, përsëri qeverisja nuk është punë e një njeriu të vetëm, por e një grupi, që shpesh herë mund të jetë edhe elita e një vendi, çka nuk ndodh me ekipin që ai ka përzgjedhur.
Nëse në vitin 2013, si asnjëherë, dëshira për të hequr nga pushteti Berishën, qeverisjen e tij korruptive dhe ngërçin familjar që kishte kapur pushtetin u konfirmua tek Edi Rama; nëse në vitin 2017 njerëzit besuan se qeverisja në një dorë të vetme mund të ishte zgjidhja më e mirë, tani alibitë e mëhershme nuk qëndrojnë më, shporta e rënkimit nga pasojat e pushtetit berishian është zbrazur, e gjithë tepsia e pushtetit është nën dorën dhe kontrollin e tij, kështu që, ndërsa zaret janë hedhur, fushëbeteja duket ende larg.
A mund të bëjë të pamundurën qeveria Rama për të qenë në të njëjtin nivel besueshmëria dhe qeverisja, besimi i djeshëm dhe perspektiva e së nesërmes; a ka gjë që duhet përmirësuar, ndryshuar dhe në fund të fundit, përmbysur.
Edi Rama, ndryshe nga paraardhësit e tij politikë, ka disa “përparësi”, që i quajta rrënuese për pushtetin e tij, të cilat, si në koret e lashtë grekë, qëndrojnë dhe, ndonëse veç e veç mund të largohen qetësisht, së bashku, janë një forcë përmbysëse.
1-“Përparësia” e parë: Basha
Asnjëherë një shef qeverie nuk ka pasur përballë një kundërshtar të tillë, kaq të dobët, kaq të rrënuar, të cilin, më shumë se gjysma e forcës politike që drejton, nuk e beson.
Në fillimet e tij pushtetore, si kurrë më shumë entuziast, epshor ndaj pushtetit dhe i paparashikuar, Berisha kishte përballë një politikan klasi, Fatos Nanon, që nisi ta zbërthente që pas një viti, në zgjedhjet e para vendore. Nano ishte e kundërta e tij, ishte liberal përballë një konservatori, modern kundrejt një politikani me kostumin e kohës së vjetër; të dy njerëz të librave, të lexuar, por njëri i kishte mbajtur brenda vetes dhe nuk i nxorri kurrë, as si vlerë të tij, Berisha, përballë tij, Nano, njeriu që botën ekonomike dhe financiare e përcillte si një roman dhe ishte më i besueshëm. Komunistë të dy, por, ndërsa Berisha e kishte marrë komunizmin seriozisht, Nano e kishte marrë me sarkazëm, si një lojë familjare.
Ndaj Berisha e burgosi Nanon. Burgosja e Nanos solli përmbysjen e Berishës. Si një letër spathi, ku, ndërsa njëri qëndron poshtë, tjetri detyrimisht është sipër.
Në vitin 2005 loja, dmth, letra spathi u përmbys. Nano i lodhur me pushtetin, ende pa u zhvilluar zgjedhjet, thirri miqtë e tij politikë jashtë Shqipërisë londineze dhe u sugjeroi të rregullonin marëdhëniet me Berishën, pasi ai, Berisha, pak javë më pas, do të ishte në pushtet.
Kur i mbushej mendja dhe në lojën e tyre futej Ilir Meta, ndodhte përmbysja tjetër. Qetësisht ai mori pjesë, sipas kohës dhe dëshirës, në përmbysjen e Nanos në vitin 2005, i hoqi nga dora kryeqytetin, Tiranën, nga duart Edi Ramës dhe në fund, hoqi edhe Berishën, për t’i thënë qeveritarëve të sotëm se loja ende është e pambaruar.
Njeriu që Rama ka përballë vetes nuk ka asgjë. Ai nuk ka as agresivitetin e Berishës dhe kur synon ta përsërisë, bëhet qesharak. Ai nuk ka as gardën pretoriane të Berishës dhe asi i tij më i fortë është njeriu që ishte roje e kësaj garde, Flamur Noka. Nëse me fjalën e Berishës mund të qeshësh, por do të bësh kujdes, me fjalën e Bashës, vetëm qesh. Askush nuk e merr seriozisht kur flet për politikë, të gjithë i sulen nga pas kur ndjejnë erën e financës.
Ai nuk është asgjë, nuk është për asgjë dhe do të mbesë tek asgjëja, është ndër ato rastet e pazakonta kur, mësuesi ka hedhur në tapet një lojtar, me të cilin qesh edhe ai vetë.
Precedenti Basha i jep qetësinë e pushtetit Ramës dhe i lejon gabimet.
Në zgjedhjet e vitit 2017 ai kishte përballë Bashën, që e thamë si është, dhe, Petrit Vasilin, të cilin askush nuk e merr seriozisht si shef qeverie. As në ëndërr. Edhe roli që i kanë caktuar tani nuk merret seriozisht. Erozioni politik që ndodh në LSI është edhe përtej tij. Mungesa e liderit dhe zevëndësimi i tij brenda familjes nuk e bën më të fortë familjen lësëiste. Ilir Meta, edhe kur qeshte, merrej seriozisht; Kryemadhi, edhe kur gjuan me çizme, merret me sarkazëm. Ndodhi të politikës, që përbëjnë forcën e Ramës, i cili, kur sheh nga e djathta, shikon një njeri që as të vetët nuk e marrin seriozisht, dhe, kur sheh gjysmë në të majtë dhe gjysmë në të djjathtë, sheh disa figurina politike, të cilat më shumë gëzohen se morën diplomën universitare, se të bëjnë hajr në politikën e vendit.
Kjo është “përparësia” makabër e një sistemi, ku krahët nuk janë të njëjtë dhe shpeh herë as të krahasueshëm dhe, për më tepër, në lojë nuk futet askush tjetër, pasi një marrëveshje e zgjuar, por rrënuese, ua ka mbyllur të gjitha dyert.
2 -“Përparësia” e dytë rrënuese: Ekonomia e papërcaktuar
Për katër vitet e para të qeverisjes, Edi Rama, ua mbushi mendjen të gjithëve, shpesh herë me të drejtë se, rrënonja financiare që kishte lënë pushteti i Berishës, ishte një humnerë aq e madhe sa që nuk ishte menduar as nga më pesimisti socialist.
Ngazëllimi hekakeq i Berishës se, në një kohë të afërt, shteti shqiptar do të shembet si fqinji grek, ishte lajmërimi ogurzi, por edhe dëshmia se ai, me qëllim, e kishte shpënë vendin në buzë të katastrofës, dhe, duke rrënuar vendin, të rikthehej për herë të tretë në pushtet. Ngjante me ata që shkretonin qytetet dhe fushat e tyre, që, ai që do të vinte, të gjente një shkreti.
Duke treguar shkretinë që kishte mbjellë, ai i jepte alibinë Edi Ramës për borxhet që duheshin larë, për boshllëqet që duheshin mbushur dhe, pa e thënë drejtpërsëdrejti, dërgonte mesazhin se rripi duhet shtrënguar.
Ndreqjen e financave nuk e nisi nga rrënimet e mëdha dhe ngritjen e resurseve që janë të prekshëm, të kapshëm dhe të dukshëm. Ishte e çuditshme se si ia arriti të bënte një ligj të zbatueshëm një detyrim normal: trajtimin si mall të energjisë elektrike, por, ishte po ashtu, e habitshme, se si oligarkët e mëdhenj, kaq lehtë e natyrshëm, nga shtrati shkelzenor i Berishës, u hodhën në shtratin guror të Ramës.
Ekonomia nuk merr frymë lirisht kur pagesa apo mos pagesa e energjisë elektrike shoqërohet me fjalëzën “burg”, ndërkohë që bizneset e mëdha “lulëzojnë” dhe të voglat ulin qepenat; ajo nuk merr frymë nga shtrëngimi, por nga mbështetja.
Shumë vetë kanë pritur që një qeveri, e shpallur e së majtës, do të mendonte për të majtën; kanë pritur që biznesi i vogël, ai i mbajtjes gjallë të një familjeje të ketë hapësirë; kanë menduar se shteti i të majtës, çka është shumica e popullsisë në Shqipëri, do të rrihte, të paktën në një masë të dukshme, drejt tyre, që ajo, qeveria e 1 milionë votave, më parë se të mendonte për lejet e ndërtimit të “peshkaqenëve” të mëdhenj, të ngrinte disa fabrika përpunimi të frutave dhe perimeve, duke nxitur me kushte lehtësuese investimin, që qindra tonë, perime e fruta, të mos hidheshin kanaleve; kanë pritur që biznesi i vogël të jetë pa asnjë taksë, mjafton të mos rëndonte shtetin; kanë dëshiruar që punësimi i një të dyti në biznesin e vogël do të thonte 50 për qind më pak taksa, por jo që të shpallen urgentisht “biznes i madh”, ndërsa të mëdhenjtë të heshtin kur i tatojnë si edhe ai e di këtë.
Deri tani, më saktë deri në shtatorin e shkuar, ekonomia e shkatërruar nga dyshja Berisha –Bode, ishte “përparësia” më e kapshme e pushtetit Rama.
Tani, nuk ecën më.
Krijimi i tre emërshit, PPP, do të jetë humnera Rama për vitet e ardhshme dhe ai e di këtë fare mirë.
Do të jetë borxhi frymëmarrës.
I duket si përparësi, si gjetje financiare, por, nëse një rastësi e bën të zakonshme, e kthen në precedent, do të ketë një rënie të ndjeshme në vitet e ardhshme. Ajo që mendohet maja 1 miliard dollarësh e investimeve, mund të jetë humnera. Nëse Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon sinqerisht për kujdes, gjithçka duhet të fillojë nga shefi i qeverisë, i cili e di krejt mirë se Shqipëria do të vazhdojë jetën edhe pas mandatit të tij si kryeministër.
Nga të gjitha të tjerat, ekonomia është ajo që të shtërngon lakun më avash se të tjerat, por më fort, më gjatë dhe është më rrënuese.
3 – “Përparësia” e tretë rrënuese – grupi parlamentar socialist
Çdo shef qeverie ka nevojë për mbështetje politike e legjislative. Ai nuk bën dot pa këtë dhe, kur e gjen, e mban fuqishëm, e nxit edhe brenda vetes dhe e bën pjesë të dytë të programit të tij qeverisës.
Edi Rama, si shefi i qeverisë, nuk ka patur nevojë ta kërkojë këtë mbështetje. Ai e ka krijuar vetë atë.E ka krijuar përmes një ndryshimi dramatik kushtetues të vitit 2008, ku shefi i partisë e kthen strukturën e tij partiake në një pashallëk të heshtur dhe ku ai vetë është pashai.
Rama dhe Berisha e bënë këtë me ndërgjegje të plotë, e bënë që shteti të ishte në dy duar të vetme dhe, dora e tretë, e cila u fut aty jo rastësisht, ishte dhe trajtohet edhe tani si një e keqe e domosdoshme.
“Përparësia” Rama e grupit të tij të heshtur parlamentar duket ngazëllyese: askush nuk kundërshton, askush nuk thotë “jo”, askujt nuk i shkon ndër mend të propozojë diçka ndryshe, apo, në fund të fundit , të thotë “nuk jam i një mendje”.
Nuk dua të krahasoj grupin parlamentar socialist me atë të krahut të djathtë, që quhet grupi Luli, sepse në këtë rast krahasimet çalojnë.
Por, nuk besoj se ky grup ka qenë ndonjëherë më i dobët se kaq. Një përbërje, ku të panjohurit sundojnë mbi vlerat dhe ku heshtja rëndon mbi fjalën.
Si e shënova, në të gjithë botën e politikës moderne, një shef kohor, edhe nëse nuk ka opozitë brenda vetes, përpiqet ta krijojë atë. Sepse i duhet mendimi ndryshe, i duhet fjala ndryshe, qëndrimi ndryshe.
Të gjithë propozimet e qeverisë, edhe kur janë shballone berishiste, edhe kur janë ende në mjegull, miratohen me forcën e kartonit jeshil të së majtës. Natyrisht, shumica parlamentare e mbështet qeverinë e saj, por, qofsha i gabuar, kjo shumicë parlamentare, më shumë po përdoret për të krijuar një alibi të përbashkët, se sa për një hapje të qëndrueshme ndaj së ardhmes.
Një grup i heshtur parlamentar është një gojë e heshtur dhe, duan apo nuk duan, bashkëfajtorë nëse kjo qeveri dështon dhe njerëzit e humbin besimin ndaj saj.
Ata, deputetët, edhe pse janë njerëzit e listës së kryetarit, duhet të kenë të paktën një përqindje sado të vogël të deputetëve të vitit 1946, më dinjitozi në historinë e këtij vendi, dhe, përmes këtij dinjiteti të mendojnë se mandati nuk iu është dhënë për t’u pasuruar, por për të bërë njerëzit të jetojnë normalisht.
4 – “Përparësia”e katërt rrënuese – shefi i grupit parlamentar
Ai quhet Taulant Balla. Nuk e njoh, nuk e kam takuar. Është militant, i gatshëm për t’u ndeshur, polemist mesatar, por, sipas kësaj mendjes sime, në një pozicion të gabuar.
Balla është i domosdoshmi i përfaqësimit të mendimit militant, por, përsëri sipas meje, nuk është zëri që kanë pasur e duhet të kenë të majtët, qofshin në pushtet apo jo.
Në vite të tëra, sido që kanë qenë, e majta ka pasur zëra të lakmuar për seriozitetin, shkallën e lartë të dinjitetit, urtësinë dhe mendjen e mprehtë, shoqëruar me një nivel të lartë kulturor. Figura të tilla, si Ismail Lleshi, Et’hem Ruka, Limos Dizdari, Xhevat Lloshi, Sabit Brokaj, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Namik Dokle, Ben Blushi, Servet Pëllumbi,… tani janë aq të rrallë dhe në vend të tyre shfaqen deputetë, për të cilët, nëse poshtë fotografive në Kuvend nuk u vendos emrat fotografi i shkëlqyer Agim Rama, pak kush i njeh.
Unë e respektoj Ballën për shpirtin e tij militant, por nuk ndjehem mirë kur mendoj se figura e dytë në Partinë Socialiste është ai, aq më tepër kur, para tij, figura të jashtëzakonshme kanë marrë përsipër atë rol të vështirë.
5 – “Përparësia” e pestë rrënuese – opozita përballë tij
Me një opozitë të tillë përballë vetes, Rama e ka të lehtë, shumë të lehtë të mendojë se qeverisja është një sport që kalon lehtësisht.
Opozita është një mish-mash politik, rrëmujaxhi, zanatlesha të politikës së vrazhdë dhe të përfitimeve të bollshme, njerëz që nëse nuk do të kishin mandatin e deputetit do të ishin trajtuar si gangsterë apo imoralë; pa asnjë ide dhe asnjë vizion, një turmë që bredh pas gjithçkaje që u shfaqet dhe bënë simbol një farë babale, si përfaqësimi më tipik i atij grupi ku, mjerisht, çjerrja e Mul Nokës vlen më shumë se mendimi i Mimës.
Një opozitë që bllokon foltoren, ndërsa shumica miraton ligjet. Një shef opozite që i thërret deputetët si bodigradë privatë dhe që skuqet duke menduar se sa mund të jenë përfitimet e qeverisë. Të cilit i del në ëndërr vjedhja masive 200 milionë euro në Rrugën e Kombit dhe që mendon se edhe shefi i tashëm do të fitojë pikërisht 200 milionë, aq sa edhe ai.
Një opozitë pa mendim, që nuk diskuton për ligjet, vendimet, që nuk sjell ide dhe nuk ka asnjë mendim, veç zhurmës e qametit, është “përparësia” e qeverisjes, por është shëmtia e parlamentit.
Mirëpo, duke ecur kaq lehtësisht në miratimin e ligjeve, qeveria edhe mund të gabojë, ashtu si ka gabuar.
Ajo që i duhet vendit, kundërvënia e mendimit, nuk ekziston. Opozita mendon përmes mendjes së Nokës, fjalëve çapraze të Palokës, moralit të Salianjit, “filozofisë” së Alibeajt, ndërkohë që qeveria hedh valle në minutat e fundit përmes kartonëve të gjelbër.
6 – “Përparësia “ e gjashtë rrënuese – qeveria dhe themeltarja e saj, vettingu
Një mik i imi, tepër i mënçur, kur u mblodhën për herë të parë dy qeveritë shqiptare, Tiranë dhe Prishtinë, më pat thënë se “me këtë qeveri Edi Rama qeveris lehtë, por nuk e di nëse qeveris gjatë”.
Ndoshta ai vetë, Rama, e di më mirë se të gjithë se kjo qeveri duhet shkundur dhe se lavdithurja është një mjet i dobët për të mbuluar zgavrat që po hapen.
Të qeverisësh lehtë nuk do të thotë se ke qeverisur mirë.
Kjo qeveri kishte në pikën e parë të saj reformën në Drejtësi. Nuk është thjeshtë meritë e saj miratimi kushtetues i kësaj reforme. Përtej tyre ishin dy ambasadorë, të cilët, si përfaqësuesit më të rëndësishëm dhe me mbështetjen e institucioneve të tyre, detyruan opozitën të ngrejë dorën në mesnatë, duke shpresuar se dita do të jetë ndryshe.
Është e lehtë, jashtëzakonisht e lehtë, për Ministren e Drejtësisë, që, përmes një shkrese, që të kujtojnë ato pusullat që lëshonte PD-ja kur erdhi në pushtet në vitin 1992, të shkarkojë nga puna me dhjetra punonjës, duke shkruar shkurt “ për mungesë të …”.
Reforma në Drejtësi, ajo që pritet të bëjë çka nuk bëri qeveria në 5 vite, ndëshkimin e krimit, nëse ecën me këtë ritëm, do të kalojë nëpër disa qeveri dhe nuk do të arrihet kurrë.
Reforma në Drejtësi nuk do të thotë që prokurorët dhe gjyqtarët e larguar nga sistemi si të korruptuar të kalojnë si avoketër, por thotë, ose kështu është kuptuar që ata, detyrimisht, të përgjigjen para ligjit. Bën më efekt një prokuror i dërguar në gjyq dhe i dënuar me të drejtë, se sa 100 njerëz, shumica fakirë që gjobiten për pagesat e energjisë elektrike apo dënohen.
Drejtësia është në kolaps. Më këtë drejtësi Rama qeveris lehtë, sepse, në fakt, nuk ka drejtësi, por ai nuk është votuar dhe nuk i është vënë para e gjithë tepsia e pushtetit për të qeverisur lehtë, me një drejtësi të shkallmuar, por që, duke vendsur drejtësinë e munguar, të bëjë atë çka ai vetë ëndërron, shtetin e së drejtës, e ligjit të barabartë, e të varfërit, e të dobtit, duke mposhtuar oligarkinë, e cila, deri tani, e ka mposhtur shtetin.
Natyrisht, unë vazhdoj të jem një njeri që me bindjet e mia i takoj së majtës, pavarësisht se opozita apo njerëzit e saj, budallshëm, të majtën e krahasojnë me mendimin komunist dhe nuk duan t’ia dinë se pikërisht e majta është ajo që ka dominuar në përcaktimin e vlerave njerëzore.
Duke e dashur qeverinë Rama dhe duke e ditur se ky shef qeverie mund të bëjë shumë më tepër se sa kaq, mendoj se është koha e largimit të përkëdheljes politike, duke thënë “se është i yni”, apo, çka është më keq, duke e njësuar mendimin e trazuar me ngrehinën e shpifjeve të opozitës.
Opozita ka ngritur mijëra e qindra akuza, edhe kur qeveria e parë Rama nuk e kishte marrë pushtetin.
Nëse e ka seriozisht le të dërgojë gjithë çka në prokurorinë e shtetit, ku ende janë dominues njerëzit e saj dhe ku forca e Arta Markut synohet të mposhtet përmes presionit.
Të sulmosh qeverinë Rama është gjë e lehtë, sidomos nga ata që mrizojnë nën hijen e Shqupit dhe u duket vetja luftëtarë.
T’ia thuash asaj atë të vërtetë që ke në vete do të thotë se ke brengën e një ndryshimi, që mund të jetë i domosdoshëm.
Edi Rama e ka shansin të bëjë shumëçka dhe, për fatin e tij të mirë, ende ka mbështetjen e duhur.
Ndërsa, për fatin e tij të keq politik, ai nuk ka asnjë alibi për çfarë nuk ka bërë dhe çfarë nuk do të bëjë.
Të gjitha, edhe meritat, edhe fajet, edhe arritjet, edhe dështimet, janë të tijat dhe vetëm të tijat. Ai është ulur i vetëm rreth tepsisë së pushtetit, ndërsa ministrat, disa prej tyre, nganjëherë më ngjajnë me ata eunukët që sjellin ujë të freskët për pashain, pa guxuar t’i thonë “të bëftë mirë”.
Kjo edhe më trishton dhe më dërgoi drejt këtij shkrimi.
Leave a Reply