David E. Sanger dhe David D. Kirkpatrick, “The New York Times”/
Për presidentin Trump dhe dy aleatët që ai vlerëson më shumë, Izraeli dhe Arabia Saudite, problemi i marrëveshjes bërthamore me Iranin nuk ka qenë para së gjithash një problem për armët bërthamore. Problemi është se marrëveshja legjitimoi dhe normalizoi qeverinë klerike të Iranit, duke e rihapur atë ndaj ekonomisë botërore me të ardhura nga nafta, që financojnë aventurat në Siri dhe Irak, programin raketor dhe mbështetjen e grupeve terroriste.
Me njoftimin e së martës mbrëma për tërheqjen nga kjo marrëveshje dhe rivendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit dhe kompanive nëpër botë që bëjnë biznes me të, Trump po hyn në një eksperiment me rrezik të madh.
Trump dhe aleatët e tij në Lindjen e Mesme kanë hapur bastin se do ta bëjnë Iranin ekonomikisht të varur, duke “thyer regjimin”, siç e ka komentuar këtë lëvizje një zyrtar i lartë europian. Në teori, tërheqja e Amerikës nga marrëveshja mund ta bëjë Iranin të lirë të prodhojë material bërthamor sa të dojë, siç bënte 5 vjet më parë, kur bota kishte frikë se po shkonte drejt bombës bërthamore.
Por skuadra e Trump-it e ka hedhur poshtë këtë rrezik: Irani nuk ka fuqinë e nevojshme ekonomike për t’u përballur me SHBA-të, Izraelin dhe Arabinë Saudite. Dhe Irani e di mirë se çdo lëvizje për të prodhuar armë të tilla do të bënte që Izraeli dhe SHBA-të të merrnin në konsideratë nisjen e veprimeve ushtarake.
Mund ta konsiderosh hapur realpolitikë qëndrimin e aleatëve europianë të Amerikës, të cilët e kanë paralajmëruar atë për një gabim historik, që mund të çojë drejt konfrontimeve dhe ndoshta edhe drejt luftës.
Ky ndryshim në politikën e jashtme amerikane shkon përkundër asaj që presidenti Obama synonte kur u nënshkrua marrëveshja. Basti i zotit Obama në atë kohë ishte i drejtpërdrejtë dhe i qartë. Ai e konsideroi Iranin si potencialisht aleat më i natyrshëm i Shteteve të Bashkuara se sa shumë prej vendeve fqinjë ku dominojnë sunitët, duke e parë si vend me një popullsi të re të orientuar nga Perëndimi, i lodhur nga qeverisja e një regjimi fetar të vjetëruar.
Duke hequr nga tryeza e bisedimeve trysninë e armëve bërthamore, administrata e Obamës pati argumentuar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të largoheshin nga tre dekada armiqësi dhe të punonin në projekte të përbashkëta, duke filluar me mposhtjen e Shtetit Islamik.
Por gjërat rezultuan ndryshe. Ndërsa marrëveshja arriti të nxirrte 97% të materialit bërthamor të Iranit nga vendi, konservatorët e Iranit dhe ushtria e tij u tërhoqën nga ideja e bashkëpunimit në ndonjë projekt me Perëndimin.
Disa muaj para se të kuptohej se zoti Trump kishte mundësi të mira për t’u zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë, ushtria iraniane e shtoi mbështetjen për presidentin sirian, Bashar al Assad, dhe e shtriu influencën në Irak duke shtuar edhe mbështetjen për grupet terroriste. Madje, edhe u angazhua në sulme kibernetike kundër objektivave në Perëndim dhe në Arabinë Saudite, duke marrë në dorë një armë të re që nuk përfshihej në marrëveshjen bërthamore.
Më pas erdhi presidenti Trump dhe deklarata e tij se marrëveshja ishte një katastrofë dhe do të anulohej. Kjo është ajo që ka bërë mbëmjen e së martës, por me një kosto kolosale.
Pak momente pas deklaratës së tij, në të cilën ai u shpreh se Irani po bënte hile, edhe pse krerët e inteligjencës kanë dëshmuar ndryshe, Trump mori qortime nga kancelarja gjermane, kryeministrja britanike dhe presidenti francez.
Tre liderët e vendeve aleate të Amerikës, praktikisht e hodhën poshtë logjikën e tij. Ata vunë në dukje se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që mbështeti marrëveshjen e Iranit në vitin 2016, “mbetet korniza ligjore detyruese ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth programit bërthamor iranian”.
Ky ishte një mënyrë e sjellshme diplomatike për të thënë se SHBA-të dhe jo Irani, ishin të parat që shkelën marrëveshjen.
Tani, krejt papritur, bota mund të shkojë drejt asaj që ishte në 2012: në një rrugë konfrontimi të pasigurt, me “shumë pak prova të një Plani B”, siç tha Boris Johnson, ministri i Jashtëm britanik, gjatë një vizite në Uashington.
Dalja nga marrëveshja, me ose pa plan, u vjen për shtat sauditëve. Ata e shohin marrëveshjen si një shpërqendrim të rrezikshëm nga problemi i vërtetë i përballjes me Iranin në rajon – një problem që Arabia Saudite beson se do të zgjidhet vetëm nga ndryshimi i lidershipit në Iran.
Sauditët kanë aleat John R. Bolton, këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump, i cili e kishte bërë të qartë para se të merrte detyrën se kishte të njëjtat pikëpamje me ta.
Përpjekja e Arabisë Saudite kundër Iranit është forcuar në muajt e fundit nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i cili në mënyrë të përsëritur i referohet udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, si “Hitleri i ri”.
“Shumë vende anembanë botës dhe në Evropë nuk e kuptonin sa Hitleri ishte i rrezikshëm deri në momentin që ndodhi ajo që e dimë të gjithë”, tha Princi Mohammed në një intervistë të fundit me programin e lajmeve CBS, “60 Minuta”. “Nuk dua të shoh të ndodhë e njëjta gjë edhe në Lindjen e Mesme “.
Në një fjalim në mars në Institutin Brookings, Adel al-Jubeir, ministri i Jashtëm saudit, pohoi se Irani ishte “problemi më i madh me të cilin përballemi në rajonin tonë”. Ai fajësoi Iranin për ndërhyrjen në vendet fqinjë, mbështetjen e grupeve të armatosura në Siri, Irakun, Libanin, Jemenin dhe gjetkë, dhe furnizimin e rebelëve të Jemenit me raketa balistike që janë lëshuar drejt vendit të tij.
Edhe nëse kufizimet e saj ndaj armëve bërthamore u shtuan apo u zgjeruan, “marrëveshja në vetvete nuk zgjidh problemin e Iranit”, tha z. Jubeir. “Irani duhet të mbajë përgjegjësi”.
Jeremy Shapiro, drejtor i hulumtimeve në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe një zyrtar i Departamentit të Shtetit gjatë administratës së Obamës, argumenton se kundërshtimi i marrëveshjes bërthamore nga Arabia Saudite, Izraeli dhe lojtarët e tjerë rajonalë ishte kryesisht në lidhje me efektet e saj në politikën amerikane dhe diplomacinë.
“Ata besojnë se janë në këtë konflikt ekzistencial me regjimin iranian, dhe armët bërthamore janë një pjesë e vogël e atij konflikti”, thotë Shapiro.
“Nëse marrëveshja hapi një rrugë për marrëdhënie më të mira midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, kjo do të ishte një fatkeqësi për sauditët”, thotë ai. “Ata duhet të sigurojnë një motivim për presionin amerikan kundër Iranit, që do të zgjasë edhe pas kësaj administrate”.
Ndërsa zraeli është rast më i komplikuar.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka shtyrë z. Trump që të dalë nga një marrëveshje që udhëheqësi izraelitë e ka kundërshtuar gjithmonë. Por këshilltarët e ushtrisë dhe inteligjencës së z. Netanyahu thonë se Izraeli është shumë më i sigurt me një Iran, rruga e të cilit drejt bombës bërthamore është bllokuar, sesa me një Iran që po e zhvillon përsëri armën e fundit.
“Individët që mbajnë përgjegjësinë për mbijetesën dhe sigurinë e Izraelit janë shfaqur plotësisht të qartë”, thotë Graham Allison, një profesor i Harvardit i cili e ka kaluar karrierën e tij duke shqyrtuar rastet e përhapjes bërthamore.
“Ka të ngjarë që kjo të çojë në një rezultat që është shumë më negativ, jo vetëm për SHBA-në, por edhe për Izraelin”, thotë Allison. “Kjo sepse marrëveshja aktuale e ktheu programin bërthamor të Iranit një dekadë mbrapa “dhe i imponoi Iranit inspektimin më të bezdisshëm që regjimi ka negociuar ndonjëherë”.
Por zoti Netanjahu mban altoparlantin e Izraelit dhe e përdori atë javën e kaluar për të bindur z. Trump që t’i heqë prizën marrëveshjes me Iranin. Duke publikuar dokumente iraniane, të vjedhura nga Teherani në janar, Netanyahu provoi atë që agjencitë e inteligjencës perëndimore e dinin prej kohësh: Një dekadë më parë apo edhe më herët, iranianët kanë punuar shumë për të hartuar një raketë bërthamore.
Për z. Netanjahu, kjo ishte një provë se Iranit nuk mund t’i zihej kurrë besë dhe e kishte arritur marrëveshjen bërthamore me pretendime të rreme, duke u hequr sikur kurrë nuk kishte pasur një program armësh bërthamore. Për z. Trump dhe aleatët e tij, zbulimi izraelit tregon më pak për kapacitetin bërthmor sesa për pabesinë e Iranit.
Duke ditur se Irani po i ruante planet e tij të bombave si mënyrë mbrojtjeje për të ardhmen, zbulimi i Izraelit tregoi se Teherani nuk ka hequr dorë nga ambiciet e tij. Siç shprehet Dennis Ross, një ish-negociator i Lindjes së Mesme, dikush duhej t’i referohet zbulimit izraelit, “në mënyrë që të mos i lihet mundësi Iranit ta vijojë programin në pikën ku e la pas marrëveshjes”.
Megjithatë, në thelb të njoftimit të z. Trump të martën qëndron bindja se zoti Obama bëri një gabim kritik kur pranoi një marrëveshje që do të kishte një afat skadence.
Argumenti i zotit Trump është se Iranit nuk mund t’i lejohet kurrë të mbledhë materialin e mjaftueshëm për të ndërtuar armën bërthamore.
Pra, kur aleatët evropianë thanë se ishte e nevojshme rihapja e negociatave, z. Trump ndaloi në vend dhe vendosi tërheqjen nga marrëveshja.
Kjo ishte një lëvizje klasike e Trump-it, e ngjashme me kohën kur ai do të shembte ndërtesat e Nju Jorkut për t’i bërë vend vizionit të tij për ndërtesa më të larta e të lavdishme.
Por, rasti në fjalë është ai i tronditjes së një ekuilibri global dhe dobësimit të një qeverie, për të cilën zoti Trump ka argumentuar, që në nisje të fushatës së tij, se duhet të largohet.
Përgatiti: Gazmira Sokoli-TemA TV
Leave a Reply