Janë të pakta rastet, kur revoltat e drejta, rebelimi deri në dhembje, shpirti që flet/ këndon, nuk frymëzojnë. Kjo mund të ndodhë në “pazare“ tregjesh të krijuar jo mirë. Ndodhi me magjinë e këndimit të “Anës lumenjve“ e versionit Dhjetor, 2018. Nuk vlerësohet krahasuar me mediokritetin, grupimet që vrasin cilësoren, fisnikërinë e thirrjeve të çfarë vuajmë e nuk e flasim, dhe një dinjiteti që shkelet nga arroganca. Por, pazaret qendrojnë brenda atij mjedisi ku mund të zvarriten; jashtë tij, mrekullia duket. Protesta jehonë, fatmirësisht, jo vetëm që nuk lejoi të kufizohet prej zvarranikësh, por ka dhe një kolonë zanore të denjë.
E po njejtë, mrekullia duket. Mrekullia e këtyre ditëve, është studenti që qendron në rrugë sepse muret e universitetit nuk e “nxënë“, është studenti të cilin shiu e ngroh, është studenti që parrullën nuk e ka plagjiaturë, është studenti që forcën e ka të arsyetuar e jo politike, është studenti me familjen sakrifikuese që deri sot ka heshtur, por ashtu heshtur krijoi zërin e fuqishëm që po e dëgjojmë vetëm tani. Dhe po, është shumë mirë që po e degjojmë e nuk është “mekur“ ende, nuk ka fluturuar ku mund të japë e marrë drejtësisht, drejt kudoqoftë, por me dinjitet të palëvizur. I kemi akoma këtu. Edhe pse largimet e studentëve bërtasin, zëri i këtushëm flet ende. Ndryshimi është akoma këtu. Qendron me kërkesa të cilat meritojnë të dëgjohen e arrihet në marrëveshje për të cilat kanë dhënë më tepër sesa marrë. Tarifat studimore. Shumë e thjeshtë!
Çfarë jap, çfarë marr? Në Universitete të rankuara bindshëm, në Francë, Itali, Gjermani, Norvegji: të liruar nga tarifat, ose me pagesa të vogla (administration fee) tërësisht të justifikuara, 200 € – 650 €/ vit, cilësi e gjendur lartë dhe dukshëm e verifikueshme. Shqipëri: paguan ndenjësen, e vetmja e justifikuar prej tarifës. Pra çfarë merr? Cilësi në mësimdhënie apo neglizhencë e arrogancë akademike, turpërim plagjiaturash të përplasura si meritë, tekste ku të drejtat e autorit janë përkthimet e detyruara të studentëve kundrejt mësimdhënësit që krenohet me emrin në kopertinë, dixhitalizimin si njohje e operacionalizimit por jo funksionit praktik, shërbime të bërtitura e gjithsesi të paguara shtesë, për çdo firmë. Të ulen tarifat? Falas (me frikën se nuk shlyhet dot e gjitha). Rritja e peshës totale e votës studentore për zgjedhjen e dekanëve/ rektorit dhe përfaqësisë studentore në senatin akademik. Ndodh, që edhe kur studentët shohin një fushatë të denjë, me komunikimin e plotë e bërjen të njohur të një programi, artikulimin e objektivave e po aq vizionit të kandidatit për dekan, edhe kur e votojnë bindshëm sepse duan të meritojnë atë udhëheqje vlerash e pozitiviteti, nuk e shohin në krye. Oops! Fitoi dikush që nuk iu mësua as emri; nuk pati fushatë e nuk u komunikua ASGJË! Histori zgjedhjesh, zgjedhje dekanësh. Kush i do fantazma të tilla?! Pra po, pse të mos ketë rritje nga 10% në 50% të peshës totale të votës studentore për të zgjedhur më të mirën e vlerësuar? A është studenti – vëmendja? Përse të mos rritet përfaqësia e tyre në senatin akademik në 20%?
Grupet e interesit, duhet të jenë të gjitha prezente në momente diskutimesh të çështjeve të cilat i prekin/ përfshijnë. A ka pakënaqësi nëse një prej palëve, së paku, nuk llogaritet? Përse të mos ekzistojë e drejta për t’u dëgjuar e qenë pjesë? Përfaqësues në Bord! Kërkimi shkencor – plag(jiaturat)ë! Nuk mbështetet, nuk financohet, inkurajohen e pranohen kopjimet e shkarravinat si kritere për të qenë lart në hierarki! A është nevoja të kuptohet njëherë e mirë rëndësia, mirëfunksionimi e të vlerësohet objektivisht për sa shumë shkatërron nëse e “lëndojmë“? Kartën e Studentit, nuk e njeh askush. Konviktet, mjerim. Buxheti për arsimin e lartë, qesharak. Rroftë Arsimi, me e për këta studentë! Po, po kërkojnë shumë më pak nga ç’japin! Poshtë Arsimi, nëse nuk është për ta! Po marrin shumë më pak nga ç’meritojnë. Ndërsa ne, nuk do njohim dot të ardhmen e mirë! Por, ah, ku e ngritët shpresën… “Ata” duhet të mundohen t’a shohin.
Leave a Reply