Nga Artur Ajazi/
Edhe të ma kishte thënë njeri, nuk do ta kisha besuar, që lideri i opozitës së “bashkuar” do të arrinte deri atje, sa të paralajmeronte si dikur Enveri pronarë dhe biznesmenë se “po erdha një ditë në pushtet mjerë ju”. Ai në daljen e rradhës ka listuar dhjetra e dhjetra biznese, me emra dhe mbiemra, pronarë firmash dhe kompanish private, që kanë mbi 25 vjet që ndërtojnë, kontribuojnë, derdhin taksa dhe ndihmojnë (madje financiarisht shumë edhe PD) në rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin e vendit.
Por ja që Lulzim Basha kryetari i një partie e cila ka 30 vjet që thotë se “jam e djathtë” por që në fakt është thelbësisht e majtë, e cila ka 30 vjet që thotë se “jemi për ekonominë e tregut”, por që në fakt është për biznesin e xhepit, e cila ka 30 vjet që thotë se “jemi europianistë” por që në fakt janë puro majtistë, nuk e duan biznesin. Nxitoi zoti Basha dhe doli në ekrane dhe faqe gazetash duke deklaruar, dhe paralajmëroi me mburrje madje se “sa të vijmë ne në pushtet, të gjithë oligarkët do të japin llogari, do të penalizohen dhe do tu merren paratë dhe pasuritë”, duke mos kursyer as kunatin e tij oligark. Deklaratë të tillë do të bënte Enver Hoxha dikur nga Kongresi Përmetit, por që ta bënte edhe pas 70 e ca vitesh edhe kryetari i një partie të djathtë, këtë nuk do ta kishte besuar as vetë diktatori. Por si ka mundësi që Lulzim Basha nuk rresht së gjeturi shkaqe, arsye dhe mundësi qëllimboshe, për të bërë të pamundurën të jetë protagonist në politikë dhe opozitar i “paepur”.
Si mundet që një kryetar i një force politike të djathtë (që ka brënda shumicë të majtë ama) të mos lerë gur pa lëvizur derisa të inatosë së fundi edhe pronarët dhe biznesmenët e këtij vendi, vetëm e vetëm të bëhet objekt diskutimi dhe përgjërimi për ata ? Përse Lulzim Basha nuk merret me hartime programesh dhe prezantime idesh, që rrisin kredibilitetin në popull por dhe bashkëpunimin institucional me mazhorancën në të mirë të vendin, por gjithmonë sulmet absurde i shigjeton pas “pilafit” ?
Përse Lulzim Basha e ka kapitulluar Partinë Demokratike dhe sfondin opozitar duke i paraprirë vetë i pari, një humbje tjetër katastrofike forcës tij politike edhe në zgjedhjet e 2019 ? Natyrisht përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe dhjetra pyetjeve të tjera, zoti Basha dhe pasanikët që mban rreth tij, duhet t’ja japin shqiptarëve me sinqeritet dhe jo me hipokrizi, tani dhe jo në fushata elektorale.
Duke parë dhe lexuar deklaratën e tij, mendoj se me vetëdije të plotë nuk e ka harruar edhe kunatin e tij biznesmen (oligark) vetëm e vetëm të bëhet protagonist kryesor në politikën e sotme shqiptare. Kryetari i një partie të djathtë, që pretendon të marrë një ditë pushtetin, mburret dhe paralajmëron taksapaguesit më të mëdhanj të këtij vendi, se “do tu marrim çdo qindarkë të fituar nga pazaret me pushtetin”.
Si mundet që një kryetar partie të bëhet njëherë ministër i Brëndshëm, njëherë prokuror, njëherë gjyqtar, njëherë investigues përgjimesh, dhe të mos e ndjejë se gabon, të mos e ndjejë se po lëndon shtresa që dikur, apo dhe sot e kësaj dite e ndihmojnë atë financiarisht në fushata elektorale, në mitingje të ligjshme dhe të paligjshme, në festa dhe gostira politike?
Të bësh opozitarin, nuk do të thotë domosdo të çirresh dhe ofendosh qeveritarin, nuk do të thotë domosdo të shinjestrosh cilindo që dikur ishte me ty dhe sot ka dalë në llogoren e duhur, nuk do të thotë të paralajmërosh dhe kërcënosh biznesin që dikur ishte “blu” dhe sot ka ndryshuar ngjyrë, apo të shpikësh Vetting për politikanët.
Biznesi dhe në veçanti ai i madh, ka qenë dhe mbetet shtresa më kryesore dhe më kontributore në rritjen e të ardhurave, për vetë nivelin e lartë të taksave që ata derdhin në arkën e shtetit. Zoti Basha, Shqipëria nuk është në ditën e çlirimit, por në ditët e lulëzimit dhe integrimit europian, ndaj dhe deklarata juaj thjesht mund të merret seriozisht për momentin, pastaj gjithçka shkon në vendin e vet.
Deklarata juaj thjesht e kthen PD, 70 e ca vite pas, duke larguar nga ajo parti edhe ata “oligarkë” që deri dje ju kanë ndihmuar, dhe asgjë tjetër.
Leave a Reply