• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ARTAN LAME/ Po nesër o katran i zi me bojë!
Home
Blog

ARTAN LAME/ Po nesër o katran i zi me bojë!

January 31st, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Dje mbrëma isha tek Opinioni. Fola për luftën italo-greke. Kam një jetë që e studioj e mbledh kujtime, dokumenta vaki e histori rreth saj, ndaj më ftoi Fevziu e vajta.

Thashë timen, që ndoshta s’është flori i kulluar, por jam i gatshëm të dëgjoj çdo mejtim se ndoshta kështu edhe ndreq pikëpamjen time.

Sot m’u përgjigj zoti Berisha, ish-president e ish-kryeministër i vendit tim: “Çakall qeveritar, i denatyruar nga vjedhja (2 herë), sharlatan apatrid, çakall i Ramës (3 herë), oligocefal, urrejtje, histeri, vjell e vjell, karikaturë e Jorgo Zografit, zëdhënës koprolatik, Plushkin i Ramës”.

Pastaj se ç’fuste një kujtesë për vitin 1995 dhe që s’merrej vesh mirë në kisha dalë unë cullak mbi gomar nga Liqeni apo Edi Rama, apo gomari ishte lakuriq, s’merrej vesh.

Të gjitha këto notonin në një postim bajagi të gjatë, ku thoshte pafund gjëra që as që i kisha thënë dje, e as që u kisha vajtur anës fare.

Dhe në fund, natyrisht që u bënte thirrje shqiptarëve të ndershëm që të ngrihen kundër Edi Ramës dhe klikës së tij. Me thënë të drejtën, i tmerruar ç’po lexoja, në atë yryshin e parë edhe unë desha të ngrihem kundër klikës, po pastaj u kujtova që i bija të isha unë klika.

Tani, unë e di fort mirë se si e mendon Saliu këtë punë e ç’mendim ka ai për shqiptarët, të dikurshmit e të sotmit. Ashtu sikundër e di shumë mire se si i mendojnë këto punë Edi Rama apo Ilir Meta, apo Fatos Nano, apo të tjera figura politike të vendit tim, ashtu sikundër i dijnë të gjithë njerëzit që janë pranë tyre, që diskutojnë, apo marrin direktiva apo u japin këshilla atyre.

Ky është luksi i të qenit bashkëkohës. Pra, unë e di shumë mirë që Saliu si njeri i kënduar, më të shumtën e gjërave i mendon 180 gradë në të kundërt të asaj që shpreh aty ku më gërmushet mua.

Ndaj ç’dokush që merr vesh nga këto punë, e kupton që Saliu i vërtetë është shumë më sqimatar e jakë-ngrirë, por puna ja do që në këto lloj shkrimesh t’i drejtohet instikteve më të ulta të turmës, të flasë me fjalë të ndyra se kështu eksitohen llauzi, apo të prekë telat e folk-populizmit me qeleshe e turbo-folk.

Mirëpo Doktor efendi, mirë që ne ta kuptojmë hallin se jemi bashkëkohës me ty, por unë që merrem me histori, dua të të kujtoj një belá që të pret pas dere. Nesër ti do vdesësh (edhe unë do vdes pas teje, a para teje s’i dihet, se janë punë të Zotit këto).

Dhe pasi të lëmë këtë botë, nuk do gjykohemi më mbi bazën e atyre që mendojnë ata rrotull nesh, që na i njohin sekretet e mejtimet e vërteta, por vetëm mbi bazën e asaj ç’ka do lëmë me të shkrojtur. “Carta canta” siç thonë latinët.

Do marrin njerëzit e kënduar të brezit tjetër të të gjykojnë e kuptojnë mbi bazën e ç’ke shkruar dhe ç’do kuptojnë! Një plak të rrjedhur dhe të sëmurë, të mbytur në fobi dhe mani persekutimi, i pa edukatë dhe gojëndyrë, që nuk artikulon asnjë mendim koheziv, që nuk prodhon dot asnjë ide racionale nga një tru i lodhur e gjithë fije të këputura apo të ngatërruara në një senilitet prekoç.

Doktor, të garantoj se kushdo që do të të njohë veç përmes shkrimeve që po lë pas, kështu do të të përcaktojë.

E pra Doktor, kjo është figura që kërkon të lësh në histori? Ti s’e mendon veten si nallbani i fshatit që ka hallin e ditës se ç’thotë mëhalla për patkonjtë, por kërkon të hysh në histori.

E pra, harro mushkë Valarenë atëhere, se do të kujtojnë veç si mysybet o Zot, ibreti alem.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article PROF. DR. MYSLIM PASHA/ Ujku, gjurma, Pakti Detar dhe akti i sotëm diplomatik
Previous article NEIL BHATIYA/ Pjesa e munguar në strategjinë botërore kundër Koresë së Veriut

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k