Gjithë vera më kaloi duke parë me sy grupe turistësh ose individë turistikë të vetmuar. Po këtë a e kanë matur? – kam pyetur veten.
Kam qenë diku andej nga Pogradeci a Korça këtë vit me miq të huaj. M’u desh nja një vit t’u mbush mendjen të kalojnë disa ditë vere në Shqipëri. U kënaqën shumë në fakt.
Por, aty rrotull shihja një autobuz të madh me nja pesëdhjetë a njëqind turistë të huaj brenda që qendronin në fundjavë aty pari, dhe gjithë ditët e tjera të javësh shkonin në Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Kosovë.
Punë turistësh aman! Pra ndofta kanë hyrë e kanë dalê nga kufiri shqiptar disa herë atë verë. Një pyetje më ka munduar: Nëse këta ta zemë hyjnë e dalin një dhjetë herë nga kufiri ynë, atëhere ata numurohen dhjetëfish si turistë.
Pra në vend të njëqind vetëve numurohen ta zemë njëmijë. Nëse instrumenti matës është hyrja e dalja nga kufiri, atëhere ky artefakt statistik bëhet i pashmangshëm.
Po ashtu në lagjen ku banoj në Tiranë. Këtë verë jam çmallur me Nardin, Lokun, Bertin, Qenanin, e me radhë miq të fëmijërisë dhe të rinisë sime. Kanë ardhur nga vendet ku kanë emigruar.
Disa edhe me gratë e tyre, shqiptare të të kulluara, njëqind karat edhe ato. Por, duke pirë kafen te lagja me miqtë e mi, kam menduar pas “shpinës të tyre”: Edhe këta maten si turistë?
Çfarë turisti është Qenani aman, Loku, Bimi, Meti, e të tjerë? Cfarë turisti është Zefi? Ata rrinë gjithë ditën te kafja e lagjes me mua, cmallemi duke bërë muhabet, kanë ardhur të shohin “pleqtë” dhe “plakat” e tyre, dhe do të ikin përsëri andej rrugëve të Londrës, Munihut, Parisit, e më larg akoma.
Këta janë turistë në vendin e tyre! Por, instrumenti matës në kufi, nëse është ai që përdoret, i mat edhe ata si turistë, sikur të ishte ta zemë Meti vetë një princ saudian që ka ardhur me jahtin e tij aty përballë Butrintit.
Ka edhe më. Nga ballkoni i apartamentitn që kam zënë diku në bregdet shoh ballkonet e apartamen,teve fqinje përballë banuar nga qiramarrës shqiptarë trojesh. Edhe ata e shohin ballkonin tim. Edhe ata quhen turistë sigurisht.
Ata më shohin mua çfarë ha, edhe unë i shoh ata sepse jeta në verë në plazh bëhet në ballkon, në sytë e botës. Na ka ngelur ky zakon që nga koha e çadrave në plazh në kohën e qepës. Ata gatuajnë në shtëpi. Sigurisht. Duhet të jenë të mira gjellët që bëjnë gratë e tyre. Burrat e heshtur tymosin duhan. Fëmijët ose te celulari ose luajnë me çfarë të gjejnë. Një pjesë e jona jemi popullsi që kursejmë, plazh qoftë ose dimër.
Por, edhe këta turistë që kopnsumojnë shumë pak, ose edhe ta zemë vlonjatët që shkojnë në Dhërmi me bukë me vete, futur në bagazhet e veturave të tyre, numurohen si turistët e resorteve lluksoze. Edhe këtë ndarje nuk di ta bëjë instrumenti i matjes të hyrje – daljeve nga kufiri.
Pra, nëse shërbimet tona turistike ose statistike na tregojnë poërralla, folk, si sociologët që nuk kanë baza të dhënash, për numrin e turistëve (nisur nga hyrje – daljet) në kufi, atëhere nuk kemi gjë në vijë. Nuk thashë se gënjejnë por e kanë kandarin e prishur. Si thuhej dikur : u janë prishur koqet e kandarit!
Leave a Reply