Dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe shenjtëria e tij rrjedh jo vetëm se njeriu është krijuar me ratio e logjikë, por sepse ai e kupton shumë mirë superioritetin dhe rolin e tij në rendin natyror. Dhe personalisht besoj që rendi shoqëror e drejtësia, duhen bazuar pikërisht te ky fakt, prandaj dhe kolegët e mi më orientojnë djathtas politikisht, kur më dëgjojnë në këtë diskurs. Por, nuk e kam dashur kurrë më përpara Saimir Tahirin se këto dy ditë, jo sepse jam i sigurt te pafajësia apo fajësia e tij, e cila do të provohet ose jo nga drejtësia, por sepse Saimiri, po mundohet me mish e me shpirt të mbrojë gjënë më të shenjtë që ia ka dhuruar Zoti ose natyra, kur e bëri njeri, dinjitetin e tij e të familjes së tij, që këto orët e fundit, po ia shkelin barbarisht e nga të gjitha anët njerëz të ngritur, që sillen me psikologji të marrë turmash.
“Lutem, dëgjoja sot mes njerëzve të ngritur që frekuentoj, që Saimiri të hajë burgun, që ta rrasin mren, ta kapin prej rreckash, e mbas tij Ramën e kompani etj. etj”. Dhe habitesha se si nga një situatë e tillë, edhe njerëzit e kultivuar zbresin në instinkte turmash. Dje, në një emision televiziv, ku ai ishte i ftuar, dëgjoja një gazetare që i thoshte me qesëndi e lumturi makabre, që fol Saimir sot, se nesër mund të jetë tepër vonë se do të të arrestojnë, dhe sytë i shndrisnin nga kënaqësia. Dhe ish-ministri, që me sy të lagur, u thoshte se do fliste kur të vinte koha, por që në mendje kishte veç dinjitetin e djalit të tij e të familjes. Edhe krimineli më i madh i botës të ishte në atë karrige, në atë moment do të kishte simpatinë time. Ne, kushdo qofshim, në asnjë rast nuk kemi të drejtë t’i trajtojmë njerëzit pa dinjitet, apo të bëhemi trima me ta kur i shikojmë të shtrirë. Ndryshe i flisnin gazetarët Saimirit, në ditët kur ishte ministër i Brendshëm.
Të njëjtin trajtim jodinjitoz, deputeti ish-ministër, e mori edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, mbledhje, që nuk ia kalonte për nga cilësia dhe ligësia, gjykatave të inkuizicionit famëkeq mesjetar, ku katarët, prisnin me qejf të digjnin heretikët mbi turra druri. Saimiri aty, dhe kolegë të tij deputetë, pavarësisht se të opozitës, bërtisnin që t’i hidhnin prangat se ky mund të arratisej. Po edhe sikur të donte, kaq i survejuar e i ndjekur nga mediat sa ç’është këto ditë, ai nuk mund të bëjë as edhe një hap, pa e marrë vesh gjithë opinioni, se ku është, çfarë thotë, apo si e luan këmbën e majtë, nga nervozizmi. Edhe prej deputetëve që pritej ta trajtonin me dinjitet, kjo nuk ndodhi.
Prokurorët nga ana tjetër, sikur kishin ardhur me shpatat në brez për ta ekzekutuar prangosjen e tij mu pikërisht aty, në sallë, i drejtoheshin me “ti”, sikur të kishin të bënin me ndonjë të pandehur, të thirrur në hetuesitë famëkeqe të para ‘90-s. Të vetmit që mundoheshin ta mbronin këto ditë, dhe me shumë të drejtë, ishin forca politike që i përket dhe simpatizantët e tij. Nëse legjislatori i ka pajisur deputetët me imunitet, atë e ka bërë pikërisht, që t’i mbrojë ata nga sulmet politike që mund t’i bëhen atij, apo edhe vetë mirëfunksionimit të parlamentit, prej organeve ligjzbatuese, madje edhe të drejtësisë, që për realitetin shqiptar të deritanishëm, dhe për mënyrën sesi zgjidhen apo emërohen, veçse të pavarura nuk janë, dhe në raste të tilla, me shumë mundësi, përdoren edhe politikisht. As që është e nevojshme të sqarojmë këtu opinionin, që e di shumë mirë, se kush kontrollon kë, në institucionet që japin drejtësi në këtë vend.
Kur ndodhën ngjarjet e 21 janarit në bulevard, personalisht isha i mahnitur nga vendosmëria e Berishës për të mbrojtur gardistët që mbrojtën institucionet, dhe loja e tij politike, për të manovruar me hapësirat ligjore, që t’u jepte atyre kohë të mjekoheshin dhe të paraqiteshin me dinjitet përpara gjykatave, konsiderohen prej meje si një nga lëvizjet e tij më gjeniale të të gjithë jetës së tij politike. Sigurisht, Berisha nuk i lëshon të vetët dhe këtu qëndron dhe sekreti i besnikërisë së palëkundur të bashkëpunëtorëve të tij. Të njëjtën gjë pres që ta bëjë tani edhe Rama me të tijtë, të mos e lëshojë Tahirin, jo në kuptimin që ta mbrojë atë nga drejtësia, por të bëjë çmos që dinjiteti i tij të mos preket në asnjë sekondë nga njerëz të dinjitarisë së lartë të këtij shteti, që vetëm dinjitetin nuk e njohin si cilësinë që e dallon njeriun nga gjallesat e tjera në planet.
Nëse ekzistojnë prova të reja, ato sigurisht që do dalin, është e vërtetuar tashmë në historinë e drejtësisë, edhe të vendeve të tjera fqinje, që krimi lë gjurmë, sidomos në këtë epokë digjitale, ku gjithçka përgjohet nga agjenci brenda e jashtë vendit, por edhe ato që s’përgjohen ngelen për një kohë të gjatë në memorie serverësh të fuqishëm. Saimiri nuk fshihet dot, çdo gjë e ndodhur, herët ose vonë do shfaqet haptazi. Por nëse opinioni sheh që një ish-ministër dhe deputet aktual, trajtohet sikur të ishte një rreckë e pavlerë, çfarë duhet të mendohet pastaj për njerëzit e thjeshtë, që akoma kapen e plasën fugonave të policisë, sepse këtë kulturë marrin punonjësit e rendit kur shohin se ç’bëjnë njerëzit me shkollë në televizion, që drejtojnë këtë vend.
“Rrimë këtu deri në 12 të natës, thoshte njëri nga ata, mjafton t’i hedhim hekurat se do na arratiset”. Shfaqje më të turpshme antidinjitet, nga njerëz të spikatur të jurisprudencës, nuk më kishin zënë sytë. Një gëzim i shumëfishtë i ka përpirë të gjithë ata, më keq nga turmat, madje ç’flas kot, edhe ndonjë turmë që u pa sot, ishte veçse në mbështetje të Saimirit, i cili me sjelljen e tij, po fiton keqardhjen e njerëzve të thjeshtë, kur shohin se si e shkelin me këmbë, pikërisht ata që janë zgjedhur të krijojnë institucionet, që duhet të na mbronin ne nga opinioni i turmave. Paradoksi i këtyre ditëve ishte flagrant. Janë ngritur turmat që të mbrojnë Saimirin nga marrëzia e institucioneve.
Në Greqi, para disa vitesh u arrestua ministri i Mbrojtjes, për abuzime multimilioneuroshe me tenderët e armatimeve ushtarake. U hetua me dinjitet, u arrestua me dinjitet, u dënua me po aq dinjitet, dhe sot mbahet në burg, në një kthinë të veçantë, veçmas nga të burgosur të tjerë ordinerë, që mund t’i cenonin dinjitetin e tij. Nëse ne duam të arrijmë standarde europiane, ku drejtësia dënon ministra e kryeministra, këtë duhet ta fillojmë pikërisht, nga trajtimi i tyre me dinjitet, dhe jo vetëm i tyre, por edhe i çdo qytetari të thjeshtë, që halli apo dobësia njerëzore, e çon që të ngatërrohet dyerve të pamëshirshme të drejtësisë.
Historia e Saimirit mund të marrë edhe kthesa të papritura, nëse prokuroria ka prova, arrestimi i tij është veçse çështje kohe a ditësh. Por trajtimi i tij me dinjitet është një çështje që na përket të gjithëve, dhe kultura jonë orientale me dëshira për prerje kokash, duhet të fillojë të ndryshojë pa vonesë. Ndaj, thashë, se e desha shumë Saimirin këto ditë, pasi e pashë në vuajtje, se nuk e meriton atë trajtim që po i bëhet. Më shumë se sa Saimirin, dua dinjitetin e tij njerëzor që e ka të shenjtë, si dinjitetin tim e të çdonjërit prej nesh. “Po ta arrestojnë, e ta lënë prapë, nëse del i pafajshëm, thoshte sot miku im i kultivuar”. Po a e mendojmë ne se çfarë dëmi moral i bëjmë ne një njeriu, që njolla e arrestimit dhe e prangave do ta ndjekin për gjithë jetën? Sigurisht, karriera e tij politike mori fund, të paktën, të mos e lëmë të marrë fund edhe dinjiteti i tij dhe i familjes së tij. Saimiri, nëse i provohet apo jo fajësia, ka gjithë të drejtën e tij, për një trajtim dinjitoz.
Në të kundërt, nëse prokuroria jonë apo drejtësia italiane nuk arrin dot të provojë fajësinë e tij, atëherë, unë do të rreshtohesha pro thënies lapidare të William Blackstone: “është më mirë të jenë 10 të fajshëm të lirë, sesa të vuajë padrejtësisht një i pafajshëm”. Fajësia e Tahirit do të duhet të provohet nga drejtësia, pavarësisht opinionit që ne kemi për këtë çështje, por mbrojtja e dinjitetit të tij, sikundër edhe e dinjitetit të çdonjërit prej qenieve njerëzore, është një detyrë që na përket të gjithëve.
Leave a Reply