Viti që lamë pas, u karakterizua nga një gjendje statike e ndjeshme, ku përveç debateve para dhe paszgjedhore, marrëveshja e majit dhe dyshimet që ajo ngriti, nuk pati asgjë konkrete për sa i përket qeverisjes së vendit dhe çuarjes përpara të reformave të nisura nga qeveria Rama 1.
Një çadër e hapur me bujë dhe e mbyllur me urdhër nga lart, disa protesta të lodhura dhe seriali i krimit, drogës dhe përmbytjeve nuk është diçka që e nderon një qeverisje të mirë. Edhe nëse përmbytjet nuk kontrollohen se janë në dorë të Zotit, territori i Republikës, se çfarë ndërtohet dhe çfarë mbillet apo kalon në rrugët e tij, duhet të jenë nën autoritetin e qeverisë, dhe një nga blasfemitë që nuk i lejohet një shtetari të lartë të thotë është shprehja, nuk dija gjë.
Në një vend ku të gjithë njihen nga të gjithë, dhe ku informacioni shpërndahet edhe për hobi nëpër biseda kafenesh, gjërat dihen, thjesht ato nuk futen nëpër dosje hetimesh, siç bëhet në vendet që na rrethojnë, në territorin e të cilave, nuk mund të kalojë asnjë “mushkonjë” e të mos merret vesh. Të paktën këta fluturakët tanë, janë ndjekur, përgjuar, regjistruar e dokumentuar deri në detaj.
Një moment tjetër është ai i gjuetisë ndërkombëtare të ish-ministrit të Brendshëm, të cilit emrin ia përmendin të gjithë, nga gazetarët, dosjet dhe ambasadorët, por asnjë organ hetimor apo gjyqësor, nuk ka arritur t’i ngrejë deri tani asnjë akuzë të bazuar në prova. Në këtë kuptim urojmë që një 2017 inkuizicioni publik, mos i ndodhtë askujt. Nëse dikush di më tepër sesa është thënë dhe mendon se ndëshkimi i një personi është përfolja e tij publike, më shumë se procedimi i tij, ta dijë se nuk është duke e ndihmuar drejtësinë. Madje këto histori me legjenda mafiozësh, gjerdane e kostume, veçse sa e relativizojnë një histori, deri në pikën që opinioni të thotë, hë mo, se fjalë janë, thënë edhe nga ndërkombëtarët.
Reforma në drejtësi, prodhoi më shumë kaos, paqartësi, vetëmjaftueshëmëri në interpretimet kushtetuese të dispozitave tranzitore, saqë të gjithë u bënë juristë, konstitucionalistë, prokurorë e gjyqtarë. Nuk mbeti njeri pa i zgjidhur ngërçet e institucioneve në drejtësi, dhe aq shumë është shtuar ekspertiza në këtë fushë, saqë vetëm Gjykatës Kushtetuese nuk iu drejtuar askush për interpretim, pasi disa menduan që edhe ajo ka hyrë në ujë nga kjo reformë dhe nuk do të ishte tepër e besueshme nëse do të pyetej. Dhe Kushtetuesja e ka një të mirë, nëse nuk e pyet, nuk thotë gjë fare.
2017-a ishte dhe vit spektakolar, që nga këmishat me numra të Kryeministrit në fushatë, deri të dy gishtat e ngritur të tij, që nga çitjanet e tironsve të vjetër, deri tek atletet nëpër kancelaritë perëndimore, aq shumë u përpoq kreu i mazhorancës të dukej, me çorape e me kravata, saqë nuk ia kursyen edhe një çizme kokës, një çizme që është një shkallë më lart sesa një këpucë, duke e bërë edhe në këtë pikë Kryeministrin tonë unikal. As Bushi, Hillari, Erdogani e ministra e kryeministra, deri në Indinë e largët, nuk e kishin shijuar çizmen e një zonje, ata ishin mjaftuar vetëm me peshën e një këpuce të rregullt. Sigurisht, Rama, kështu u ndërkombëtarizua më shumë sesa me atletet e benevrekët e tij, dhe për këtë duhet t’i jetë thellësisht mirënjohës, znj. Kryemadhi, veprimin e të cilës, Presidenti i Republikës, me shumë të drejtë e cilësoi si të pafalshëm.
Pra, një vit me zhurmë, spektakël, legjenda urbane, thashetheme, drogë e banda që i bënin karshillëk policisë, këmisha, atlete e çizme, a, se harruam, shpalljen e jubileut për Skënderbeun, që do të zëvendësojë Ismail Qemalin e mandatit të parë. Të gjitha këto për të fshehur vetëm dhe vetëm një të vërtetë, mungesën totale të qeverisjes, si dhe lënien përgjysmë të reformave të nisura me shumë bujë në mandatin e parë, që nga ajo në arsim, e deri tek ajo administrative apo ajo e drejtësisë. Për të mos folur për atë elektorale, që shihet si kutia e Pandorës, të cilën askush nuk do ta hapë.
Po pse kjo dëshirë e munguar për të qeverisur? Mungon guximi apo instrumentet? Paratë apo vullneti i mazhorancës? Mbështetja e ndërkombëtarëve apo frika nga Trumpi, për votën dhënë kundër tij, thua se bëmë qametin në botë? Mendoj se asnjëra nga këto. E vetmja energji bllokuese vjen nga frika e reformës në drejtësi, të cilën nuk mund ta parashikojë askush se çfarë do të prodhojë, madje as ata që janë atje lartë, që e votuan me hir e me pahir. Të gjithë janë tërhequr në pozicionet e tyre, edhe ata që drejtojnë mazhorancën, edhe minorancën, edhe ata që janë mbi palët, edhe pse mes palëve. Të gjithë po presin me ankth se çfarë do t’u sjellë për dhuratë viti i ri 2018, disa mendojnë që gjëra të pahasura më parë, do të ndodhin që në tremujorin e parë.
Sido që të jetë, askush nuk ka dëshirë të bëjë asgjë, shumë gjykatës janë me gjak të ngrirë, nëse kanë lënë apo nuk kanë lënë gjurmë të milionave të mbledhura, të njëjtën pasiguri për vete dhe për familjarët e tyre e kanë edhe personazhet historikë të këtij tranzicioni. Nëse ia hedhin dhe kësaj radhe, atëherë nuk do t’i japin më llogari askujt veç Zotit, por atij do t’i kërkojnë amnisti dhe ai fal. Dhe e gjithë kjo, vetëm nëse do të arrijnë t’ia kalojnë pa u lagur 2018-n. Përndryshe, i bie që i paskëshin bërë llogaritë pa hanxhiun.
Po opozita, edhe ajo statike, e zënë në kurthin e një shkundjeje të brendshme, sikundër edhe të një karakteristike bipolare dhe multipolare. Në dukje dykrenëshe, pra me dy kryetarë, ajo herë-herë tenton të bëhet edhe qesharake. Aleanca e 20 partive inekzistente realisht, përveçse në ca letra, e tregon më së miri këtë gjë. Disa nga ato parti, janë që nga koha e Zogut, të tjerat i kanë ndarë njerëzit me zona e me raca, gjë që duhet të marrë fund njëherë e mirë. Opozita nuk e ka luksin e të qenit kaq e paqartë dhe e shpërndarë. Ajo duhet të jetë e unifikuar, me një drejtues, të fortë, karizmatik dhe që të sjellë një model ndryshe nga Kryeministri aktual. Përndryshe përse do ta votonin njerëzit kryetarin e saj, që duhet të premtojë dhe ndezë besimin e njerëzve në një qeverisje alternative, më e mirë nga kjo që është?
Thënë më thjeshtë, njerëzit do të zgjedhin nëse do të mbajnë Ramën Kryeministër, apo do t’ia besojnë qeverisjen Bashës? Këto dy figura do të konkurrojnë para shqiptarëve, 20 e ca kryetarët e tjerë, përveçse e mbajnë peng, janë diversioni më i keq që i bëhet Bashës brenda kampit të djathtë opozitar. Shihni Ramën, edhe ndonjërin që donte ta rivalizonte e nxori me ceremoni jashtë partisë e jashtë sistemit dhe me të drejtë. Askush nuk mund të kërcejë pa patur votues realë me vete. Për këtë arsye, vetëm nga Basha pritet që të lëshohet një shkëndijë shpresëdhënëse që 2018-a të vijë si një vit dinamik. Ai duhet të pastrojë në kohën e mbetur rrugën e tij jashtë partisë, se brenda e ka mbaruar si operacion. Dhe organet e prera dhe të nxjerra jashtë si të papërdorshme, duhet t’i zëvendësojë urgjent me të reja. Zgjedhja e tyre duhet bërë me mençuri që edhe dallimi të bëhet i ndjeshëm në elektorat. Përndryshe mirë kemi këta që kemi, se të paktën dinë të vishen e të flasin e ta shkruajnë më bukur shqipen. Kaq i mjafton shumicës së njerëzve elektorë.
Si përfundim, duke u uruar një vit të ri të mbarë lexuesve të gazetës Mapo, në këtë analizë të vitit që lamë pas, le të urojmë që 2018-a të sjellë pastrimin dhe shkundjen e sistemit kaq të dëshiruar nga shqiptarët dhe të sjellë një dialektikë dhe dinamizëm të ri. Që më në fund dikush të kujtohet të qeverisë, ose dikush të kujtohet të sjellë një frymë të re shprese për një rotacion qeverisës. Sido që të ndodhë, këtë do të na e tregojë 2018-a, që javët dhe muajt e parë të saj.
Leave a Reply