/Arian Galdini
Kreu i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, Arian Galdini ka shpërndarë për mediat një deklaratë nëpërmjet të cilës bën publike platformën e kësaj partie për çlirimin e zgjedhjeve.
Në deklaratën e tij, Kryetari i Partisë Opozitare LDE, Arian Galdini shkruan se:
Kjo javë ka nisur me një ndarje të qartë të dakordësuar mes palëve.
Aleati ynë i madh që edhe është edhe Partia Udhëheqëse e Koalicionit Opozitar, PD së bashku me aleatët parlamentarë shpallën dje platformën e tyre për çlirimin e zgjedhjeve.
Sot Partia Socialiste shpalos platformën e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Në dukje të ndara, të dyja palët krejt qartazi janë dakordësuar për mosndryshime, andaj shpalosin të veçuara platforma kinse propozuese, ndërsa synojnë bllokimin ose reduktimin ne minimalizëm të ndryshimeve për të cilat janë marrë vesh.
Të dyja platformat nisen me paradigmën mosndryshimit apo në rastin më të mirë, tê reduktimit në maksimum dhe nën kontroll, të ndryshimeve të mundshme.
Në këto kushte LDE deklaron se Zgjedhjet më së pari duhet të çlirohen nga konsensusi negativ PD – LSI që synon ti mbajë zgjedhjet si proçedurë pengmarrjeje ndaj vullnetit të qytetarëve.
LDE shpreh habinë dhe zemëratën publike ndaj arrogancës dhe dritëshkurtësisë që po manifeston PD e cila prej më shumë se 1 viti e ka reduktuar Koalicionin Opozitar në Koalicion Opozitar me vetëm Partitë Parlamentare.
Madje arbitrarisht dhe me gjuhë të fortë mospërfilljeje, PD edhe në shpalljen e Platformës së saj për Çlirimin e Zgjedhjeve, nuk denjoi ti ftonte aleatët joparlamentarë të Koalicionit Opozitar.
Dhe kjo gjuhë e fortë mospërfilljeje vjen në një kohë kur Lulzim Basha përsërit papushim se po bashkon Opozitën.
Bashkim me mospërfillje, bashkim me mohim, bashkim me veçim, vetëm Lulzim Basha mund të bëjë.
LDE është ende një parti e paprovuar elektoralisht, por ne besojmë se peshën tonë specifike elektorale do ta dëshmojmë në zgjedhjet e pritshme për pushtetin lokal.
Ndaj ne si LDE propozojmë:
1. Në zbatim të detyrimit kushtetues për barazinë e zgjedhjeve, në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore të shtohet edhe komponenti i tretë me të drejtë veto si dy palët e tjera. Duke qenë se Bipartizanismi është vendosur në zbatim të kësaj porosie të Kushtetutës në mënyrë që Shumica dhe Opozita Parlamentare të jenë të përfaqësuara në këtë Komision me peshë të barabartë, tashmë që edhe Grupimi i Partive JoParlamentare që prej dy vjetësh apelon për Zgjedhje të Lira dhe të Barabarta, gëzon të drejtën e BashkëKryetarit dhe ekspertëve të tij në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Tripartizanizmi i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore do të ishte një zgjidhje që i afron sa më shumë zgjedhjet me konceptin e barazisë sipas Kushtetutës.
2. Në vijimësi të kësaj të drejte Kushtetuese, Grupimi i Partive JoParlamentare të ketë të drejtën e Anëtarit të KQZ dhe të një Komisioneri dhe Numëruesi në të gjithë linjën e qendrave të votimit.
3. Përfundimin e samëparshëm të Reformës në Administratën Publike. Ndarja e Shtetit nga Partia është emergjente. Përndryshe, përsa kohë Partia fituese e ka Administratën si Depozitë Punësimesh të Militantëve, të gjithë punonjësit e shtetit do kenë frikë të pashmangshme nga Partia apo Partitë. Kjo gjë sjell përdorimin e militantëve si aspirues për punë në Administratë dhe përdorimin e Administratës si mish për top. Diktatura e urisë dhe frika nga Partia e bëjnë Administratën një megaoperator elektoral.
4. Miratimin e një tavani shpenzimesh elektorale për kandidatët për deputetë, Kryetarë Bashkie dhe Këshilltarë. Propozimi ynë është që kandidatit për deputet ti lejohet të shpenzojë sa minimumi jetik i një shqiptari × nr e deputetëve që ka Kuvendi i Shqipërisë. Një formulë e ngjashme mund të aplikohet edhe për të zgjedhurit lokalë. Kush provohet se tejkalon këtë tavan shpenzimesh elektorale, i hiqet automatikisht e drejta e vijimit të garës elektorale. Nëse provat vijnë pas zgjedhjeve, i hiqet automatikisht mandati i fituar.
5. Ngritjen e Komisioneve të Vlerësimit të Kosotove dhe Eventeve Elektorale me njerëz të pavarur të cilët kanë të drejtën e auditit dhe investigimit të shpenzimeve elektorale të partive dhe kandidatëve.
6. Detyrimin ligjor që çdo ditë të bëhet publikimi transparent i shpenzimeve financiare dhe elektorale nga çdo kandidat dhe parti politike.
7. Demonopolizimin e kohës mediatike për të respektuar parimin kushtetues te zgjedhjeve të barabarta.
8. Ushtrimin e vullnetit politik të të gjitha partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje, nëpërmjet firmosjes së një Memorandumi dhe zbatimit të tij, në të cilin angazhohen për mosvjedhje, mostjetërsim, mostundim, mosjoshje, moskërcënim, mostrysnim, mos shitblerje të votave dhe vullnetit të qytetarëve. Ndarje nga bandat dhe kriminelët. Moskandidim të banditëve apo të përfaqësuesve të bandave apo klientelës së oligarkëve.
Këta 8 pika janë vetëm maja e ajsbergut që mund të sjellë fillimin e një proçesi që garanton zgjedhje të lira dhe të barabarta.
Kjo është platforma e LDE.
Leave a Reply