Nuk është e vërtetë se kombi shqiptar ka 2 Qeveri. Janë në fakt 5, Qeveritë që kanë punë me shqiptarët. Çdo nënvleftësim apo mospërfillje e kësaj të vërtete, bën që e gjithë paradigma e aspiratave tona kombëtare por edhe e qeverisjes se drejtë, demokratike dhe në liri e me dinjitet të plotë njerëzor të shqiptarëve, të ndërtohet mbi themele të gabuara.
A jam unë nacionalist, në kuptimin e një idealisti dhe aktivisti që do kombin e tij përmbi gjithçka, e që urren a përçmon gjithëkënd e gjithçka tjetër që është apo vjen nga kombe të tjera, sidomos ato fqinje? Jo. Jo dhe vetëm jo Jam kombëtarist që e dua kombin tim mbi gjithçka timen. Nuk urrej e as përçmoj askënd për shkak të dashurisë për kombin tim. Madje parimin e dinjitetit njerezor e besoj të plotë për çdo qenie njerëzore në këtë planet.
Jam kombëtarist i rritur, mëkuar dhe ndërtuar vetëm nga arsyet e dashurisë, identitetit të qartë dhe motivimet e mbara të lartësimit të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Nuk ka në botë person, fuqi a interes që mund të ma lëkundë mua këtë ekzistencë si kombëtarist nga dashuria për kombin tim dhe njeriun si qenie. Ndaj ti rikthehemi arsyetimit parësor, duke mos lënë qime personale në duart e askujt që do të kërkojë ta rrjepë këtë reflektim publik.
Qeveria e Shqipërisë është padiskutim Qeveria më përfaqësuese e kombit shqiptar. Kjo nuk vjen për meritë të vetë Qeverisë, por si rrjedhoje logjike e fakteve historike dhe gjeostrategjike. Qeveria e Kosovës është qeveri me Kryeministër e me shumicë dërrmuese e shqiptarëve, por i duhet të meret jo vetëm me punët e shqiptarëve, përpos atyre të pakicave që jetojnë atje. Qeveria e Maqedonisë është qeveri me Kryeministër sllavo-maqedonas, shumicë sllavo-maqedonase, e megjithatë ka edhe përbërje të ndjeshme të shqiptarëve. Kjo qeveri ka punë me sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët kushtimisht, e nuk mund të anashkalojë pakicat e tjera. Qeveria e Malit të Zi ka KM dhe shumicë dërrmuese malazeze, ama e ka edhe një ministër shqiptar brenda saj e duhet te kujdeset normalisht edhe për rreth 7% të popullsisë së Malit të Zi që është shqiptare. Ndërkohë që Qeveria e Greqisë ka veçantësinë që edhe pse nuk ka asnjë shqiptar, së paku të njohur formalisht si të tillë, ka shumë punë që e lidhin me shqiptarët që jetojnë atje si arvanitas, të padeklaruar, çamë ortodoksë, emigrantë, si edhe me pronat e pasuritë e shqiptarëve përfshirë këtu edhe çështjen çame.
Ky parashtrim na ndihmon të kuptojmë se asnjë deklaratë e shitur si patriotike për kinse 1 komb me 2 qeveri, nuk është e tillë, pra nuk është në të vërtetë patriotike. Është aktoreske dhe patetike, ama kurrësesi patriotike. Që 2 qeveri të bashkojnë një komb, u duhet të jenë përfaqësuese tërësore të këtij kombi. Jemi të gjithë të qartë se Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës përfaqësojnë shumicën absolute të shqiptarëve e për rrjedhojë kanë edhe detyrimin politik dhe institucional që të kujdesen e marin vendime të forta për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.
Që ta bëjnë këtë, u duhet të dyja qeverive që ndërsa punojnë e bashkërendohen për marrëveshjet dytësore, me karakter ndërshtetëror, të nisin projektimin e politikave të përbashkëta të buruara e ndërlidhura me aspiratat tona kombëtare. Janë shumë të domosdoshme edhe marrëveshjet ndërshtetërore nëse zhvillohen dhe zbatohen përpikmërisht në kohën e kornizat sipas nënshkrimeve. Sidoqoftë, që të mos rrezikojmë rënien në përdorim simbolikash dhe aktesh politike me sfond patriotik për arsye të politikave dhe marketingut ditor, ka rëndësi madhore të kërkohen dhe bashkërendohen projekte thelbësore me burim dhe qëllimësi, aspiratat tona kombëtare. E di që do të më thonë se do bashkohemi kur të jemi pjesë e familjes europiane si anëtarë të BE me të drejta të plota. Por nuk mund të rri pa iu përgjigjur atyre që thonë e mendojnë kësisoj: Po si mund të integrohemi pa u bashkuar? E nëse projekti i integrimit europian bëhet i gjatë, plot kthesa e të paditura, si mund të bashkohemi pa u integruar? A kemi ne si shqiptarët një projekt tonin, një axhendë tonën, e cila të jetë patjetër në njëfrekuencim me partnerët dhe aleatët tanë strategjikë SHBA, UK dhe BE por edhe ne të jemi të përgatitur për çdo variabël të panjohur gjeostrategjik?
Aspiratat tona kombëtare, kanë domosdoshmëri që dy qeveritë tê mos bashkërendohen si thjesht 2 qeveri, por si në një flamur. Jo vetëm të flasin për flamur, as të ngrenë e valëvisin a mbështillen me njê flamur, por të qeverisin si në një flamur. Si të tilla, pra si dy qeveri që qeverisin si nën një flamur, Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës, njëmendësohen sesi do të sillen e ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me 3 qeveritë e tjera që kanë punë me shqiptarët, pra me Qeveritë e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Nën këtë frymë, si nën flamurin kuq e zi, Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës, duhet të njëmendësohen e njëshveprojnë edhe në marrëdhëniet me Aleatët dhe Partnerët Strategjikë Ndërkombëtarë të shqiptarëve edhe në raport me integrimin europian të Shqipërisë, Kosovês, por edhe të Malit të Zi e Maqedonisë.
Gjithçka ndryshe flet për përkohësi dhe qëllime ditore të atyre që i qeverisin shqiptarët. Vetëm qeverisja si me status mendor e qëllimor si nën flamurin kuq e zi, mund ti çojë shqiptarët drejt bashkimit kombëtar, pa e parë atë si anti-integrim europian e gjithashtu edhe drejt integrimit europian, pa e parë atë si anti-bashkim kombëtar. E njëjta logjikë do të vlente edhe për marëdhëniet me Greqinë. Çështja çame nuk është si çështje anti-Greqi e as fqinjësia e mirë me Greqinë nuk është anti-çështjes çame. Që këto kundërshti politike e strategjike të pajtohen, duhet evituar udha afatshkurtër e akteve, veprimeve dhe motivimeve ditore. Udha e strategjive dhe qëllimeve afatgjata, pajton dhe normalizon gjithçka që duket e pamundur sot. Urimi im në këtë 105 vjetor të Pavarësisë sonë dhè të flamurit tonë kuq e zi është: U qeveris-shim ne shqiptarët si nën një flamur. Arian Galdini Tiranë më, 28 nëntor 2017.
Leave a Reply