Nga Ardian Vehbiu*
Vij në Tiranë, më hidhen në qafë telenovelat turke. Më ndjekin, edhe kur i dëboj. Muzika që i shoqëron, si sherbeti bakllavanë, më fton të përtyp edhe unë skena pas skenash me gra që zbukurohen, dhe burra që burrërohen, pleq që plaken dhe të rinj që rinohen; teksa individët ngecin e nuk dalin dot nga pezhishkat e vëllezërve dhe motrave të humbura dhe të rigjetura, prindërve të rremë dhe prindërve të vërtetë, vjehërve të pasur dhe vjehrave intrigante, fëmijëve të mohuar dhe jetimëve, njerkave dhe thjeshtrave dhe trazirave të tjera relacionale; të gjitha këto të thurura në narrativa të ujshme, që pikësohen vetëm nga zilet e telefonave.
Personazhet japin e marrin mes tyre, zihen dhe pajtohen (më shumë zihen), qeshin dhe qajnë (më shumë qajnë), humbasin në mendime, humbasin pusullën, përgjojnë dhe përgjohen, ngasin makinën, meditojnë në makinë, flasin në celular, ulen të hanë vakte të bollshme, sapunisen në dush, veshin xhinse të ngushta dhe kostume poliesteri, flenë në krevate të buta, pastaj sëmuren dhe e kalojnë një pjesë të mirë të kohës herë spitaleve herë si pengje (madje edhe si pengje të spitaleve).
Nuk i sheh kurrë të hapin librin, të lexojnë gazetën, të dëgjojnë muzikë (qoftë edhe kolonën e tyre zanore), të shkojnë në teatër, në koncert, në kinema a në stadium, të luajnë me njëri-tjetrin (madje as shah), të hapin kompjuterin e të hyjnë në Internet, të merren me sport ose me ndonjë hobby tjetër; jeta e tyre përtej ndërveprimit me njëri-tjetrin është zero.
Prapa një maske realiste, telenovelat sendërgjojnë një botë artificialisht të reduktuar, të varfëruar, meskine, mizerabël në mediokritetin e saj, disiplinim në mungesë të çdo shkeljeje a kaosi; në fakt askush nuk jeton kështu, askush nuk mund të jetojë kështu. Edhe të burgosurit në death row përjetojnë më shumë gëzim dhe larmi, gjithë duke pritur momentin fatal. Përmes teknikash faux realiste, jeta na përcillet nga këndvështrimi i një qenieje rrënjësisht inferiore, me ambicien intelektuale të një miu shtëpie ose një pulastreni.
Pastaj mendoj për të gjithë ata ndër shikuesit shqiptarë që i ekspozohen këtij universi të gjymtë ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti dhe pyes: a mund të ndodhë që stili i të jetuarit, sado artificial, të rrjedhë nga ekrani në botën këtej dhe të kultivojë – pavarësisht nëse qëllimisht apo jo – farën e çfarë ka më meskine te ne? Që të na ngjitet kjo flamë nëpërmjet kontaktit? A ka rrezik që ta bëjmë tonën këtë shëmti të së jetuarit minimal a të një vegjetimi të kripur me konflikt të stisur?
A ka rrezik që ta kemi pasur tashmë tonën dhe ta kemi kamufluar me shtirje të përsosur? Do të ishte më keq se varfëria, sa kohë që do të ofrohej si model i atyre që duan të dalin nga varfëria…
Dhe këtu i vetmi ngushëllim për mua: këto personazhe telenovelash, aq të varfëruar dhe të thjeshtuar që janë në tru, të paktën nuk shohin ata vetë telenovela.(Peizazhe.com)
*Titulli origjinal: Të jetosh i sheshuar
Leave a Reply