Artikulimi i lidershipit politik të opozitës ka avancuar në një stand të paparashikuar dhe të pajustifikuar në një shoqëri që e ka lënë pas periudhën parapolitike.
Numri dy i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka përsëritur zyrtarisht ato që ka thënë lideri demokrat Lulzim Basha nëpër takime se, “nuk mbajmë përgjegjësi çfarë bëjnë qytetarët më 16 shkurt, pasi kjo nuk është protestë politike por qytetare”.
Një deklaratë e tillë, vetëm katër ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës sjell pështjellim dhe në radhët e vetë militantëve të opozitës, PD dhe LSI, të cilët do të vijnë për të protestuar në bulevardin kryesor të kryeqytetit, përballë kryeministrisë.
Theksimi i shprehjes se “gjithçka është në dorë të qytetarëve”, sipas deklaratave të liderëve të PD, apo se “nuk do të mbahet fjalim, pasi është protestë e qytetarëve”, sipas liderëve të LSI, ka brenda jo vetëm pasigurinë e mbarëvajtjes së protestës, por dhe më tepër.
Lulzim Basha po i bie kryq e tërthor Shqipërisë, duke lutur njerëzit, kryesisht militantët e vet që të zbarkojnë në Tiranë me 16 shkurt, për të protestuar kundër qeverisë së Ramës.
Dhe si gjithnjë, PD dhe LSI do të heqin dhe shpenzimet e lëvizjes së militantëve drejt Tiranës, përfshirë transportin dhe një vakt ushqim të thatë.
Artikulimi i premtimit ekstrem se më 16 shkurt do të rrëzohet qeveria e Ramës, e ndërthurur me deklaratën se lidershipi i opozitës nuk mban përgjegjësi se çfarë do të bëjnë protestuesit, pasi protesta është qytetare, mbart në vetëvete një precedent të rrezikshëm.
Dhe t’ju lutesh qytetarëve shtëpi më shtëpi që të vijnë në protestë, dhe t’ju ngresh mendjen se më 16 shkurt rrëzohet qeveria dhe opozita vjen në pushtet, dhe t’ju thuash atyre 4 ditë para protestës se bëni çfarë të doni, jashtë “tutelës” së atyre që ju kanë sjellë këtu, është një ftesë për detabilitet.
Të sjellësh një turmë në Tiranë, pavarësisht numrit, duke i paguar të gjitha shpenzimet dhe ti lësh në mes të sheshit, duke larë duart se s’mbajnë përgjegjësi se çfarë mund të bëjnë, është më e pakta papërgjegjëshmëeri, dhe më e shumta krim.
Për protestën e 16 shkurtit lidershipi i opozitës, pra Lulzim Basha i PD, Monika Kryemadhi e LSI dhe krerët e partive të vogla, mbajnë përgjegjësi si dreqi për çfarë mund të ndodhë aty.
Jo se parashikohet të ndodhë ndonjë gjë e madhe, sepse njerëzit nuk janë aq të pazgjuar sa të mos kuptojnë se kur një lidership politik ka një muaj që u lutet të vijnë në Tiranë për protestë më 16 shkurt kundër qeverisë, u paguan transportin dhe drekën dhe deklaron se nuk mban përgjegjësi çfarë mund të bëjnë qytetarët, po i ‘fton” në një kurth.
Një lidership i vendosur politik i opozitës, nëse organizon një protestë, i del zot asaj me të gjitha të mirat e të këqijat e saj, bën thirrje për protestë paqësore, kërkon masivizim.
Në këtë rast dhe sikur të ketë ndonjë lajthitje spontane të protestuesve, gjithçka mbetet në konturet e rrëshqitjeve e spontanitetit të grupeve të caktuara të njerëzve, të pa yshtur politikish për destabilitet.
Por të thuash se nuk mban asnjë përgjegjësi për veprimet e militantëve të tu që ke sjellë me shumë lutje për të protestuar në Tiranë, është lajthitje dhe krim.
Lidershipi i opozitës mban përgjegjësi që nga dita e sotme, pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gamzmend Bardhi, dhe për një xham që mund të thyhet më 16 shkurt. /M.Nikaj
Leave a Reply