Pamjet televizive që vinin drejtpërdrejt nga një shtëpi banimi pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ky familjet që banojnë aty janë në konflikt pronësor me një tjetër pretendent i cili këmbëngul se i takon atij, ishin vërtetë tronditëse. Nga një anë familjet që banojnë aty prej vitesh dhe si të thuash, kanë thurur pse jo, edhe ëndrra se ai vend përveç se si banesë aktuale nesër mund t’u sjellë shumë të ardhura kur t’i bjerë plani për ndërtim në lartësi. Nga ana tjetër, një pretendent i cili ka po të njëjtat qëllime në perspektivë.
Një problematikë që ka kaluar një kalvar të gjatë në dyert e gjykatave dhe si përfundim i ka dhënë të drejtë pretendentit të paraqitur si familje ish-pronarësh. E pamundur tashmë kur drejtësia ka dhënë verdikt pro tij në të dyja shkallët e gjykimit, të diskutosh e ka të drejtë fituesi apo pala humbëse. Dy palë që edhe pas kësaj vijojnë akuzat ndaj njëri- tjetrit ku fituesi anatemohet si falsifikator, e humbësit si zaptues.
U bënë protagonistë një zyrë përmbarimore që ka detyrim ligjor të zbatojnë një titull ekzekutiv, e një skuadër policore që e ka po ashtu detyrim ligjor ta mbështesë zyrën për të shmangur konfliktet e mundshme e të pashmangshme.
Ndjeshmëria publike nga pamjet e drejtpërdrejta nëpër televizionet informative patën një ndikim të madh, duke marr secili syresh nga publiku rol gjykatësi pa qenë kurrkush prej tyre në brendësi të së vërtetës. Natyrisht që ndjeshmëria sociale anonte mbi ato familje që po detyroheshin të dilnin nga shtëpia dhe ajo që rriti dramacitetin ishte më së shumti përfshirja e grave, fëmijëve dhe pjesëtarëve me probleme shëndetësore në këtë proces.
Prania e shtuar e policisë dhe vështirësia e saj për të shmangur përplasjet e konfrontimet e palëve nga njëra anë, dhe krijimit të kushteve përmbaruesve për të kryer detyrën nga ana tjetër, krijoi atë perceptimin e keq gjë që ndikoi në zbrazjen e një arsenali fyerjesh prej komentuesve në rrjetet sociale duke thënë fjalë të rënda në adresë të qeverisë apo bashkisë. Si një situatë e përsëritur disa muaj më parë, pikërisht për atë pronë, duhej gjetur mënyra për të ndërmjetësuar paqësisht një proces kaq delikat ku asnjëra palë nuk lëshon pe.
Po, a është ky një rast i veçuar apo i pa ndodhur më parë? Unë them që jo dhe këtë gjë kam rastin ta provoj me shembuj. Por përpara se t’i paraqes ato, do të më duhet të nxjerr në pah hipokrizinë e opozitës së sotme e cila të jep përshtypjen se sapo ka zbritur nga ndonjë planet tjetër dhe bën moral për çështje po aq të ngjashme të cilat i ka trajtuar me akte ligjore që i ka nxjerrë po vetë.
Në vitin 2012, pra vetëm 7 vite më parë, qeveria e PD-së me kryeministër Sali Berishën çuan në Kuvend një Akt Normativ i cili detyronte zbrazjen e shtëpive të ish-pronarëve prej atyre që kishin deri dhe 70 vite që banonin e investonin në to. Partia Socialiste votoi kundër sepse kërkoi që kjo gjë të bëhej me ligj ku të theksohej që ai ish-pronar i cili kishte fituar gjatë regjimit komunist një shtëpi tjetër të cilën e kishte privatizuar gjatë fillimeve të demokracisë, ta lironte atë dhe të rimerrte shtëpinë e dikurshme. Shtëpia e liruar në këtë rast t’i kalonte familjes që po lironte shtëpinë e vjetër të ish-pronarit. Një interpretim më se logjik, por që s’u mor parasysh nga ish-mazhoranca. E kësisoj shumë ish-pronarët mbajtën edhe shtëpitë që ua kish dhënë regjimi komunist, njëkohësisht morën edhe shtëpitë e dikurshme. Kurse ata që i banuan për 70 vjet ato shtëpi dolën në rrugë të madhe.
Në vigjilje të zbatimit në terren, ish-ministri Olldashi, iniciues i atij akti, do të shprehej: “Kemi materializuar procesin sepse sipas asaj që akti parashikonte, pronarët legjitimë iu drejtuan entit, enti më pas iu drejtua gjykatës, gjykata nxori titullin ekzekutiv dhe sikurse ju e patë sot ne kemi shpërndarë 30 titujt e parë ekzekutiv për qytetin e Durrësit. Titujt me të cilët pronarët do t’u drejtohen zyrave të Përmbarimit për të kryer tashmë lirimin e pronës së tyre të ligjshme, të pronës që prej 70 vjetësh pengohen ta gëzojnë. Në këtë moment misioni i MPPT dhe i Entit Kombëtar të Banesave përfundon. Dhe gjithçka mbetet në duar të institucioneve, tashmë të Përmbarimit Gjyqësor për ekzekutimin material të këtyre vendimeve të nxjerra nga Gjykata”.
Si sot i kam parasysh skenat e nxjerrjes me forcë pas 1 nëntorit 2012 të këtyre familjeve. Pamjet televizive nga Durrësi na tregonin se si një çift pleqsh që u prekën të parët nga akti gjetën si strehë banimi stolat në lulishte të mbuluar me plasmas. Pati protesta në Durrës sepse prekeshin mijëra familje të cilat iu ngelën në derë pushtetit vendor për t’iu siguruar menjëherë shtëpi. Po kështu e pësoi e moshuara shëndetlig P. Xhaferi në Tiranë pranë bllokut të ambasadave që mbeti rrugëve me shi nën një strehë të improvizuar më dërrasa e plasmas.
Të njëjtin fat pësuan edhe 12 familjet e ish-çerdhes 36 tek zona e “21 Dhjetorit” në Tiranë ku u konfrontuan me policinë private që mbështeste zyrën përmbarimore dhe Policia e Shtetit që bënte sehir nga larg. Janë pafundësisht raste të ngjashme anembanë Shqipërisë që u prekën atë kohë nga ai akt normativ. Herë me vullnet e herë me kundërshti, ato shtëpi u liruan pavarësisht nëse kishin mundësi strehimi të larguarit apo jo.
Vitet kalojnë dhe ato që dikur ishin qeveritarë, sot janë në opozitë dhe natyrisht u takon të bëjnë edhe politikë me raste të tilla me ndikim të fortë socio-emocional. Ama, hipokrizia në prononcimet mbi konfliktet që lindin në kësi rastesh, ndërkohë që të tilla ka pasur edhe në kohën e tyre, t’i neverit më shumë seç edhe janë, sepse përpiqen të na trajtojnë si budallenj apo sikur ne të tjerët s’kemi jetuar këtu bashkë me ta.
Klithmat e “Petro Ninit” buçitën edhe në atë kohë, por s’patën mundësinë të dëgjoheshin pasi nuk arritën dot të shkojnë deri tek veshët e ish-qeveritarëve për të prekur sadopak telat e ndjenjave të tyre shpirtërore. Ato s’u dëgjuan as kur të prekurit iu mblodhën përpara Kuvendit ku i kërkuan ligjvënësve demokratë të mos e miratonin aktin. Deputetët dhe ish-qeveritarët s’u ndikuan as nga fakti se ai akt ishte rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese.
Gjithsesi, jashtë këtij rasti, çështje e pronësisë mbi tokën apo ndërtesën, është një nga ato plagë që shoqëria shqiptare do ta vuajë për shumë vite. Përpos konfiskimeve gjatë regjimit komunist, edhe teoria e “tokës së zënë” që u aplikua në fillim vitet ’90 prej atyre që nuk donin shtet, por përshesh për vota, ka qenë aq vrastare saqë edhe sot pas tri dekadash plagët e saj mbeten ende të pashëruara.
Kur më pas palë u bënë hipotekat, arkivat apo gjykatat me letra false e vendime të korruptuara, situata bëhet më dramatike. Më e rëndë do të bëhet edhe prej faturave financiare kundrejt ish-pronarëve që duhet të paguajë secili prej njerëzve të ndershëm të këtij vendi, që kurrë nuk tentuan të zaptojnë pronën e tjetrit, e që kurrë nuk hodhën një tullë pa leje për të lartësuar territore të zaptuara. Është një plagë e madhe sociale e një mallkim që do e kemi kushedi se sa kohë mbi kokë si “shpata e Demokleut”. Për fatkeqësinë tonë të përbashkët!
Leave a Reply