Në luftën e ashpër të politikës shqiptare, nisur edhe nga zhvillimet e fundit ku opozita ka dorëzuar mandatet e përfaqësimit të popullit në Kuvend, pritet të shihet se si do të jetë sjellja e saj në zgjedhjet e 30 qershorit. Kur kanë mbetur afro 4 muaj nga zhvillimi i tyre, mbetet e paqartë pozicioni nëse kjo opozitë jashtë parlamentit, do pranojë të hyjë në zgjedhjet vendore, apo do t’i bojkotojë ato.
Ka një tension të madh brendapërbrenda kampit opozitar, ndonëse në publik përpiqen të mos e nxjerrin në pah. Dy partitë kryesore të opozitës, PD e LSI, janë majë më majë me njëra tjetrën për të arritur një marrëveshje të gjithëpranuar prej tyre si dhe nga baza e partisë.
Kriza politike që po kalon aktualisht Shqipëria, përveç aspektit që opozita (në dukje e bashkuar) është e pafuqishme të përballet me PS-në në zgjedhje, faktit që ngritja e institucioneve anti-korrupsion në drejtësi i ka tronditur po aq sa po i trondit edhe gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar vetting-u, ka edhe një anë tjetër me shumë rëndësi: Lufta e ethshme Basha-Kryemadhi për protagonizëm në zgjedhjet vendore.
Në rast pjesëmarrje në zgjedhje, zonja Kryemadhi do luftojë fort që të sigurojë mbështetje nga PD-ja në bashkitë që drejton aktualisht: Berat, Gjirokastër, Prrenjas, Skrapar, Cërrik, Delvinë, Bulqizë, Kuçovë, si dhe të marrë konsensusin e saj për t’i lënë të lira 4 bashkitë: Lezhë, Kukës, Pogradec dhe Vorë, të cilat, në vitin 2015, si pjesë e marrëveshjes me PS, ishin zona të lira për të.
Zonja Kryemadhi padiskutim që do hasë kundërshti nga zoti Basha, jo vetëm në katër bashkitë që aktualisht i drejton PD, por edhe tek ndonjë që e ka ende në varësi LSI, siç është për shembull Berati, ku demokratët kanë pikasur si kandidaturë të tyre, atë të zotit Kasem Mahmutaj. Kandidaturë që çuditërisht zonja Kryemadhi e ka anatemuar shumë kohët e fundit duke e identifikuar me PS-në. Një lojë e pisët nën brez kjo prej saj ndaj aleatit të vet politik, duke i dhënë kështu sinjale indirekte që këtë bashki mos tentojnë t’ia zënë.
Padyshim që LSI-ja do kërkojë me këmbëngulje lënien të lirë qoftë edhe të një bashkie qendër qarku, por në secilën prej tyre zoti Basha do ketë rezistencë nga të tijët që të mos bëjë lëshime. Gjithsesi, për hir të koalicionit, besoj se do u lërë një bashki të tillë, qoftë kjo edhe me dhimbje të forta barku.
Megjithatë, logjika ta thotë se zonja Kryemadhi nuk mund të kërkojë më pak zona ndaj PD-së se sa kërkoi dikur zoti Meta ndaj PS-së. Vetëm se, duke marrë për bazë rezultatet e kaluara, avantazhin që ka aktualisht PS-ja, Partia Demokratike rrezikon që jo vetëm të mos mbajë zonat e fituara në vitin 2015, por të rrudhet më tej. Këtu do të jetë edhe zanafilla e konfliktit.
LSI-ja ka rritur shumë elektorat gjatë kohës që ka qenë në pushtet. Kjo pasi qenia në pushtet është një mundësi motivimi për elektoratin për ta mbajtur me shpresa se vota ndaj saj sjell të mira pasi të ofrohet punë. Tani që është në opozitë, LSI-ja, si një pari mercenare dhe pa ideale, do ta ketë shumë të vështirë që të motivojë zgjedhësit e vetë.
Problemi që do ndeshet si zonja Kryemadhi, ashtu dhe zoti Basha, është se elektoratet respektive të PD e LSI kanë urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Urrejtje që buron qysh nga periudha 2009-2013 dhe që u thellua në periudhën 2013-2017 ku demokratët flakeshin në rrugë pa mëshirë prej drejtuesve të LSI-së.
Ekziston rreziku që të dyja këto parti të përballen me sabotime të brendshme kur të vijë puna tek zonat e lira me kandidatë të përbashkët. Nëse kandidati do të jetë i LSI, demokratët në rastin më mirë nuk do dalin në votime, kurse në rastin më të keq do ia japin votën kundërshtarit se sa atij të LSI-së. Për kompensim, edhe ata të LSI do veprojnë kështu kur të jetë si kandidaturë e përbashkët dikush nga PD.
Prandaj mos u çudisni që opozita PD-LSI të ndërmarrë në çastet e fundit edhe vendimin tjetër ekstrem, atë të mos pjesëmarrjes në zgjedhje, duke pasur si shkak këto arsye. Nuk ua uroj këtë gjë sepse dëshiroj fort të di jo vetëm se sa do të jenë të aftë dy liderët për kompromis, por edhe se si do të reagojë elektorati i tyre në bazë për kandidatët e përbashkët.
Sprova për të ndarë zonat e influencës padyshim që do të jetë sfida më e madhe që opozita shqiptare do t’i duhet të përballojë brenda vetes. Mënyra se si do konkludojnë, me pjesëmarrje apo me bojkot, do të përcaktojë përfundimisht jo vetëm rezultatin e tyre elektoral, por edhe fatin e tyre politik, si liderë e si parti.
Leave a Reply