• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

January 17th, 2021
  • HOME
ALTIN KETRO/ Armiku i popullit!
Home
Blog

ALTIN KETRO/ Armiku i popullit!

January 11th, 2019 bora.autor Blog 0 comments

E cili mund të ishte tjetër përveç se Gent Cakaj? Aq shumë u bë i njohur në publik e media nga përmendja e emrit orë e çast këto 48 orët e fundit, saqë tashmë ajo akuza se “ai është një anonim që s’e njeh as lagjja e vetë” tingëllon më qesharake se kurrë. E të mendosh që publiku i gjerë ende s’e ka dëgjuar drejtpërdrejtë të prononcohet në një intervistë të plotë, por të gjithë informacionin rreth tij po e merr nga përshtypjet e analistëve mediatikë ose politikanëve të mllefosur opozitarë.

Presidenti Meta nuk lëvizi nga istikami për të mos e dekretuar emërimin e tij si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Pata një besim naiv se me rastin “Cakaj”, nuk do bënte lojëra si me rastin “Lleshaj”, por ai, Presidenti, tejlakoi pritshmëritë e mia e të shumëkujt tjetër, duke e refuzuar plotësisht dekretimin e tij me anë të një sqarimi të gjatë.

Ajo çka unë kuptova nga letra e Presidentit (të cilën as nuk e vë në dyshim që ia kanë shërbyer të gatshme këshilltarët e tij defiçentë), ishte se zoti Cakaj ishte propozuar nga kryeministri Rama si ministër për Punët e Kosovës. Po, po, nuk kam gabuar fare në këtë përcaktim. Ligjërata shkresore e Presidentit mbështetej në shtyllën kryesore se zoti Cakaj përbën rrezik të shtuar për stabilitetin rajonal, pasi me deklaratat e tij (ashtu siç i kupton kabineti presidencial) kishte shfaqur hapur idenë e ndarjes së territorit midis Kosovës e Serbisë. Si është e mundur që këshilltarët e tij të “pjekur” nuk i sugjeruan zotit President që ta thërriste në një takim pune zëvendësministrin e papërvojë me qëllim që zoti Meta të njihej drejtpërdrejt me idetë e zotit Cakaj duke i ballafaquar sy më sy argumentet dhe paqartësitë?! Padyshim që ky takim i munguar do e kishte qartësuar Presidentin i cili më këtë rast do kishte një arsye më shumë për të dhënë një vlerësim më të pjekur rreth personalitetit të zotit Cakaj.

Pastaj letra vijonte më tej se ai është çun i ri e s’ka përvojë, e mbaronte me një çështje teknike; mos pasjen e certifikatës së sigurisë gjë që rrezikonte që nëpërmjet tij, pra zotit Cakaj, të binin në duar të panjohura (mbase të rusëve, kinezëve, serbëve dhe iranianëve), materiale të rëndësishme të NATO-s!!!

Teksa dëgjoja argumentet e Presidentit, befas seç më kaploi një ndjenjë ankthi e cila më trullosi fare, se mos vallë Gent Cakaj është agjent i shërbimeve të huaja? Se Presidenti i përmendte edhe Belgjikën dhe Hungarinë si vendbanime të tij të përkohshme. Kjo e fundit dihet që i ka grurë marrëdhëniet me Rusinë, kësisoj është potencialisht e besueshme se zoti Cakaj do jetë rekrutuar në rininë e tij të hershme nga dega ruse e inteligjencës me seli në Budapest.

Ankthi më shtohej kur Presidenti i përmendtte shtetësinë e dyfishtë, atë kosovare dhe shqiptare. Mos vallë zoti Cakaj do jetë edhe agjent i Kosovës, përndryshe përse ta mbajë këtë shtetësi armike? Vetëm se jo i rekrutuar nga serbët atje, por nga Presidenti i Kosovës. Pa dale, se zërat e mirëinformuar që nuk duan të identifikohen, thonë se zoti Cakaj është shtysë e vetë Baton Haxhiut, agjentin të rregjur të Serbisë. Ja pra ku doli që Gent Cakaj, përpos agjent rus, është edhe agjent serb.

Po e imagjinoja Gent Cakajn ministër që takimin e parë ndërkombëtar do e bënte me homologun serb Daçiç, ku do i shtronte në tavolinë idenë alla-Rama: “më kërkoni 8, ju jap 16”, d.m.th, kërkoni veriun e Kosovës, ne ua japim Kosovën deri në rrethinat e Prishtinës. Pastaj po e imagjinoja zotin Cakaj teksa takohej me homologun grek Cipras, ku edhe atij, nën efektin Rama, jo vetëm do i jepte det sa të dëshironte, por edhe kufi tokësor, bile deri në Shkumbin. Po imagjinoja Presidentin Meta të pafuqishëm t’ia ndryshonte mendjen ministrit Cakaj, ashtu sikurse edhe Kuvendi që nuk do i rezistonte dot mos aprovimit të këtyre dy marrëveshjeve me serbët dhe grekët. Meqë Gjykatë Kushtetuese nuk kemi, diku nga fundi i janarit besoj se këto marrëveshje do kishin hyrë në rrugën e zbatimit e konkretizimit në terren, andej e këndej kufirit.

Por kjo ëndërr me sy hapur që po shihja m’u prish teksa në vesh më buçitën teoritë konspirative të liderit opozitar Lulzim Basha, i cili, nën “efektin Meta”, duket se ishte eksituar së tepërmi. Edhe ai nuk linte rast pa e përmendur faktin e zbuluar nga Presidenti se zoti Cakaj kishte cënuar sigurinë kombëtare. E tjerri kaq shumë këtë gjë dhe i ra kaq shumë fyellit në këtë vrimë, saqë u binda se hallin nuk e kishte tek “tradhëtia” e Cakajt, por tek defaktorizimi i DSIK-së në procesin e vetting-ut. I ra njëçik gjatë nga Kina qerratai, ama në fund nuk duroi dot dhe e nxorri kokën. I shkoi gjuha atje ku dhemb dhëmbi.

Pas gjithë këtyre rrëfimeve me letër e me gojë, krijova bindjen e patundur se ti, Gent Cakaj, nuk kishe prerje për ministër të Jashtëm, sepse ti s’e kishe fare haberin e punëve tona. Ndonëse ti si zëvendësministër mbulon çështjet e integrimit europian të Shqipërisë dhe përpiqesh me mish e me shpirt që qershori të na zërë me detyra të realizuara, nuk kishe çfarë t’u bëje “diplomatëve” tanë të sprovuar opozitarë, edhe atyre me flokë të bardha por me shpirt të zi për atdheun.

Ato janë nga ajo rracë politike me përvojë që dëshiron Ilir Meta dhe që plotësojnë kriteret e tij për t’u bërë ministra të Jashtëm.

Janë Lulzim Bashët, Genc Pollot, Tritan Shehët, Enkelejd Alibeajt, Monika Kryemadhët, Tit Vasilët e çdo lloj katrani me bojë të zezë në opozitë që nuk lë rast pa e përbaltur Shqipërinë në kancelaritë europiane.

Që bëjnë çmos të sabotojnë e minojnë çdo rekomandim pozitiv që merr Shqipëria.

Që nuk lënë rast pa shfrytëzuar, edhe shtypin ndërkombëtar, për të nxirë Shqipërinë në sytë e popujve të BE-së me qëllim që qeveritë e tyre ta kenë të vështirë ta japin dakordësinë për integrimin e Shqipërisë.

Që e thonë hapur e pa u bërë syri tërr se Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave. Se për këtë qëllim bëjnë skandale sherresh e shamate edhe në Parlamentin Europian. Se në këtë vorbull, u çojnë letra gjithfarë lloj eurodeputetësh, mjafton që Shqipëria, që ata e identifikojnë me Edi Ramën, të mos avancojë në integrimin europian.

Ja, për këtë gjiriz politikanësh me përvojë moçalore kundër interesave të Shqipërisë e që cënojnë realisht sigurinë kombëtare, e ka fjalën Ilir Meta teksa i bën bilancin anti-kosovar, kosovarit Gent Cakaj.

Po i dhemb shpirti Ilir Metës për Kosovën që do “shesë” Gent Cakaj, e nuk sheh e nuk ia ndjen fare se të tijët, edhe ata brenda dhomës ku fle, e kanë mendjen si e si të minojnë interesat e Shqipërisë në proceset integruese.

Prandaj ti, Gent Cakaj, do e kesh përjetë damkën e Armikut të Popullit. Të kuptohemi: të popullit kosovar, se kundër tij e kishe synimin armiqësor sipas përkthimit presidencial. Kurse për popullin shqiptar do mbetesh Avokat i Shqipërisë, pasi iu përkushtove me aq sa pate mundësi hedhjes së hapava para në afrimin e Shqipërisë me familjen europiane.

Mos u mërzit i dashur Gent se historia e vendos çdo gjë në vendin e vetë dhe ata që të përbaltën ty kaq dhunshëm, e kanë marrë me kohë damkën e turpit prej popullit tonë. Është vetë elektorati shqiptar që i ka hedhur ata në qoshe dhe i mban aty si relike kujtese për të pasur kujdes se çfarë e gjen po u besoi atyre. 

Ti e fitove shumë shpejt sfidën tënde të parë, të cilën akuzatorët e tu e kishin aq merak: u bëre i njohur kudo në publik brenda 48 orëve, e duke lënë shumë prej akuzuesve të tu në batakun e thellë ku s’kanë për të dalë dot kurrë në sipërfaqe. Ah po, u le edhe flamurin e patriotizmit që e tundin kurdoherë që u jepet rasti, por jo për të lartësuar Shqipërinë, por për t’i vënë shkopinj nën rrota në rrugëtimin e saj drejt Europës.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article FLOGERT MUÇA/ Zoti President, nëse doni ta krijoni ju qeverinë, dorëhiquni dhe fitoni zgjedhjet!
Previous article FLOGERT MUÇA/ Përçarësi i unitetit kombëtar dhe Lulzim Basha si zëdhënës

bora.autor

Related Posts

ASTRIT PATOZI/ Dy gjela nuk mund të këndojnë majë të njëjtit pleh Blog
January 16th, 2021

ASTRIT PATOZI/ Dy gjela nuk mund të këndojnë majë të njëjtit pleh

LORENC VANGJELI/ Lidhëset elektorale të Ramës dhe këpucët e palidhura ende të opozitës Blog
January 16th, 2021

LORENC VANGJELI/ Lidhëset elektorale të Ramës dhe këpucët e palidhura ende të opozitës

MUSTAFA NANO/ Më 25 prill nuk do të ndodhë asnjë çudi, të dashur demokratë! Blog
January 15th, 2021

MUSTAFA NANO/ Më 25 prill nuk do të ndodhë asnjë çudi, të dashur demokratë!

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
FELIX STEINER/ SPD - Vdekja e tetos plakë?

FELIX STEINER/ SPD - Vdekja e tetos plakë?

Blog Feb 21st, 2018
ANDREA DANGLLI/ Unë jam Tirja, kam dy fjalë për vete e për ty nga shtylla e turpit! Aktualitet

ANDREA DANGLLI/ Unë jam Tirja, kam dy fjalë për vete e për ty nga shtylla e turpit!

Jan 13th, 2021
MERO BAZE/ Përpjekje për ti ngjarë Trumpit, edhe si viktimë Blog

MERO BAZE/ Përpjekje për ti ngjarë Trumpit, edhe si viktimë

Jan 9th, 2021
KRESHNIK SPAHIU/ “Historia ime”, me disa ministra që çoheshin nga restorantet pa paguar Aktualitet

KRESHNIK SPAHIU/ “Historia ime”, me disa ministra që çoheshin nga restorantet pa paguar

Jan 11th, 2021
BEN ANDONI/ Shqipëria, që nuk e njohim dhe nuk duam ta shohim Aktualitet

BEN ANDONI/ Shqipëria, që nuk e njohim dhe nuk duam ta shohim

Jan 5th, 2021
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k