Kriza politike dhe humanitare në Afganistan, ka sjellë reagimin e udhëheqësve perëndimorë, të cilët kanë shprehur qëndrime të ndryshme mbi këtë çështje. Xho Bajden e ka zhvendosur vëmendjen tek fakti se të paktën të gjithë amerikanët u evakuuan.
Boris Xhonson kërkoi që askush të mos e njohë në mënyrë bilaterale emiratin e shpallur nga talebanët. Angela Merkel e pranoi se operacioni ishte një dështim kolektiv i të gjithë anëtarëve të NATO-s. Ndërsa Mario Dragi kërkoi bashkëpunim në nivel evropian për pritjen e refugjatëve afganë.
Ndërkohë, presidenti francez Emanuel Makron reagoi nga rezidenca e tij verore, duke shprehur shqetësim në lidhje me “flukset e parregullta migratore” që mund të mbërrijnë në Evropë nga Afganistani.
Një fjalim më i ashpër se sa pritej kundër refugjatëve, që habiti shumë analistë, sidomos pasi u bënë të njëjtën ditë me imazhet dramatike të mijëra njerëzve të grumbulluar në aeroportin e Kabulit në një përpjekje të dëshpëruar për t’u larguar nga vendi, madje edhe me koston duke u kapur pas krahëve të avionëve, duke u përballur kësisoj me vdekjen e sigurt.
Vetë Franca po çuditet me fjalët e një lideri liberal, i cili me lëvizjen e tij “En Marche!”, e kishte prishur dualizmin midis republikanëve dhe socialistëve, që karakterizoi të gjithë periudhën e Republikës së Pestë. Presidenti Makron u etiketua menjëherë në rrjetet sociale si “Emanuel Lë Pen”, duke lënë të kuptohet se ai po kërkon mbështetjen e votuesve të krahut të djathtë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Kritikat në mediat sociale kanë qenë aq të shumta, sa që e detyruan presidentin francez të publikojë një video tjetër, ku sqaroi se “Franca po bën dhe do të vazhdojë të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur ata që janë më të kërcënuar”.
Nuk është hera e parë që Makron akuzohet se po kërkon të marrë vota nga krahu i djathtë. Javën e kaluar deklaratat e tij pas vrasjes në Shën Loren mbi-Sevrë, të Atë Olivie Maire, nga një njeri përgjegjës për djegien e katedrales së Nantës vitin e kaluar, habitën shumëkënd.
Në atë rast, Makron shprehu afërsi me komunitetin fetar Montfortian, duke deklaruar se “Mbrojtja e atyre që besojnë tek Zoti është një prioritet”, deklaratë që shkaktoi qindra komente kritike në rrjetet sociale nga komuniteti ateist dhe ai agnostik.
A po ndryshon Makron linjën e tij politike në funksion të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale? Në fakt jo. Të paktën sipas politologut dhe historianit zviceran Zhozef dëVek, i cili në esenë e tij, të botuar në gjermanisht “Emmanuel Macron, der revolutionäre Präsident” (Emanuel Makron, presidenti revolucionar), flet sesi banori aktual i Elizesë ka qenë gjithnjë atipik, i papërcaktushëm, dhe shum ëi vështirë për t’u kataloguar nga votuesit francezë.
Dë Vek shpjegon se Makron ishte vetëm 12-vjeç kur shembja e Murit të Berlinit i dha fund përplasjes midis fuqive liberale dhe atyre socialiste. Kjo sigurisht që ka kontribuar që koncepti i tij mbi politikën të jetë i rrjedhshëm.
Në një intervistë për portalin swissinfo.ch, Dë Vek shpjegon se dëshira e Makron për të qenë një palë e tretë si alternativë ndaj dualizmit më klasik, është e dukshme në politikat ekonomike të Makron, që e kanë origjinën që nga periudha kur punonte në bankën e investimeve “Rothschild &Cie”.
Gjatë asaj përvoje, ku ai ishte përgjegjës për një nga negociatat më të rëndësishme në historinë e Francës, atë midis kompanive Pfizer dhe Nestlé, për një total prej 11.9 miliardë eurosh, Makron kuptoi të metat e kapitalizmit bashkëkohor, duke filluar që të diktonte atë që u bë më pas ‘modus operandi’ (mënyra e tij e veprimit).
Politikat sociale të lidhura me faktorët ekonomikë kanë shkuar më thellë se ato të paraardhësit të tij, socialdemokratit Fransua Holond. Në fakt Makron ka ulur taksat mbi kapitalin, ka rritur pagat dhe pensionet minimale, dhe ka liberalizuar sektorë të ndryshëm të tregut të punës.
Gjithsesi, kjo e ka vështirësuar punën e tij dhe ka nxitur kritika si nga ata në të djathtë që e shohin atë si një progresist, po ashtu edhe nga ata në të majtë, që nuk duan të mbështesin një “neoliberal”.
Ndërkaq Makron është në të vërtetë një sinkretik, një i majtë dhe i djathtë njëkohësisht. Nuk është rastësi që “En Marche!” e përkufizon veten si një parti e qendrës, e cila merr sinjale nga të dy kampet.
Presidenti, udhëheqës i një force politike e cila në vitin 2017 sapo ishte krijuar, e fokuson shpesh vëmendjen tek Makron, por nuk mohon asnjë nga paraardhësit e tij:ai mbylli ENA, shkollën elitare të trajnimit të nëpunësve të hapur dikur nga Sharl De Gol, dhe ngriti një shkollë tjetër që lejon qasjen tek bursat e studimit për ata që janë më të disavantazhuar.
Po ashtu ai kërkon falje pse ka heshtur mbi gjenocidin në Ruandë, dhe bën publike raportet sekrete për luftën algjeriane për pavarësi; kritikon hapur paraardhësin Nikolas Sarkozi, por pajtohet me të mbi meritokracinë, duke deklaruar se “ata që punojnë më shumë, fitojnë më shumë”.
Nga ana tjetër vazhdon linjën europeiste të Zhiskar D’Estenj, duke e përshtatur atë me kohët e sotme. Goditet me shuplakë në tubime, dhe izolohet në Versajë kur infektohet me Covid-19. Pra është një personazh shumë kompleks, që i shpëton logjikës së atyre që do të donin ta përcaktonin atë si të djathtë apo të majtë, dhe që pikërisht për këtë arsye, ngjall një urrejtje të madhe tek kundërshtarët e tij.
Sigurisht, rezultatet e zgjedhjeve rajonale shënuan një dështim për Makronianët, ashtu siç i ndodhi Frontit Kombëtar të Marinë Lë Pen (që nga viti 2018 Tubimi Kombëtar), por ka ende shumë lojëra që duhen luajtur.
Mbi të gjitha, lufta kundër ndryshimit të klimës, pajtimi me ish-kolonitë franceze në Afrikë dhe lufta kundër fundamentalizmit islamik, përfaqësojnë sfidat më tinëzare për një president të ri, i cili në çdo rast ka shënuar një shkëputje me të kaluarën.
I dashur nga pak njerëz dhe i kundërshtuar në shumë fronte, Emanuel Makron është padyshim presidenti i parë post-ideologjik i Francës. Tani për tani sondazhet nuk po e shpërblejnë, por ai ka ende 1 vit kohë për t’u rikthyer në rrugën e duhur. / “Linkiesta” – Bota.al
Leave a Reply