• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
AGUSTIN PALOKAJ/ Shpërbërja morale e BE-së
Home
Blog

AGUSTIN PALOKAJ/ Shpërbërja morale e BE-së

August 27th, 2018 F.autor Blog 0 comments

AGUSTIN PALOKAJ/

Ajo që e ka mbajtur BE-në bashkë janë vlerat e përbashkëta. Sot janë në pikëpyetje edhe sa janë ato vlera dhe a janë ende të përbashkëta. Nuk ka shumë dallim mes vendeve Lindore dhe atyre Perëndimore. Vlerat e BEsë sot po humben sa në Austri e Itali, aq sa edhe në Hungari dhe Poloni. Nuk janë partitë e ekstremit, të majtë apo të djathtë, fajtore për këtë gjendje, por partitë tradicionale që flirtojnë me populizmin dhe i kanë përqafuar partitë dhe vlerat e ekstremeve.

Bashkimi Europian i ka vazhduar sanksionet kundër Rusisë, të cilat kanë për qëllim dënimin e personave të përfshirë në agresionin në Ukrainë. Pak a shumë, këto sanksione janë të drejtuara kundër personave të afërt me presidentin Vladimir Putin. Në krye të Bashkimit Europian, me kryesimin e radhës, është Qeveria e Austrisë. Dhe ministrja e Jashtme e këtij shteti është aq e afërt me Presidentin e Rusisë saqë e ka ftuar atë në dasmën e saj. Ftesa në dasmë është diçka krejt private, por në këtë rast dëshmon se sa sinqerisht ajo beson se Presidenti i Rusisë dhe vendi në krye të të cilit ai është, meritojnë sanksione. Ministrja e Jashtme e Austrisë është aty për shkak se partinë e saj e ka ndihmuar Rusia dhe se Partia Konservatore e Austrisë, e udhëhequr tash nga kancelari Sebastian Kurz, ka pranuar që këtë parti të ekstremit të djathtë ta këtë partner në qeveri.

Rasti i Austrisë nuk është rasti i vetëm që dëshmon se sa të pasinqertë janë liderët europianë kur flasin për vlera. Hipokritët më të mëdhenj në këtë rast janë në grupimin më të madh të partive europiane, Partinë Popullore Europiane (EPP), e cila, sipas fjalëve të presidentit të saj, Joseph Daull, e konsideron populizmin si kërcënimin më të madh të vlerave të BE-së. Por kjo parti sillet sikur e lufton populizmin vetëm kur ai e dëmton, e jo kur i konvenon.

Pra, për EPP-në populizmi në radhët e tyre është i pranueshëm nëse u ndihmon që të sigurojnë ruajtjen e primatit si partia më e madhe në nivelin europian, në Parlamentin Europian. Prandaj nuk duhet pritur që brenda kësaj partie të ngadhënjejnë ata pak zëra që duan ta luftojnë populizmin në radhët e tyre. Ka pasur tentativa nga disa aktivistë të qendrës së djathtë nga Holanda që nga EPP të përjashtohet partia hungareze Fidesz e Kryeministri Viktor Orban, por pa sukses. Sepse kjo parti sjell vende në Parlamentin Europian. Nuk janë shumë të ndryshme as partitë e tjera. Gjithçka bëjnë nëse është nevoja për ndonjë votë. Sepse tashmë janë përzier vlerat dhe nuk dihet më se cilat janë ato vlerat europiane. Në Poloni Qeveria e ka marrë nën kontroll sistemin e gjyqësisë, qëron hesapet me shoqërinë civile nëse ajo vepron kundër aktiviteteve të qeverisë dhe ka hyrë madje në luftë edhe kundër Brukselit. Qeveria e Hungarisë tash e sa vjet po sfidon vendimet e BE-së dhe po eliminon kundërshtarët brenda shtetit. Qeveria e Italisë është në fushatë kundër emigrantëve. Edhe Gjermania, e cila pak më shumë se vendet e tjera mbron vlerat e demokracisë, bën lëshime nëse është në interes të biznesit gjerman. Kancelarja Merkel nuk heziton të takohet me Presidentin e Rusisë nëse duhen vazhduar projektet e përbashkëta. Ndonëse e ka bërë këtë në mënyrë brutale, Presidenti i SHBA-së, Trump, ka pasur të drejtë kur ka thënë se Gjermania e financon Rusinë me miliarda euro në vit duke blerë naftë dhe gaz nga ky shtet.

Ajo që e ka mbajtur BE-në bashkë janë vlerat e përbashkëta. Sot janë në pikëpyetje edhe sa janë ato vlera dhe a janë ende të përbashkëta. Dhe nuk ka shumë dallim mes vendeve Lindore dhe atyre Perëndimore. Vlerat e BE-së sot po humben sa në Austri e Itali, aq sa edhe në Hungari dhe Poloni. Nuk janë partitë e ekstremit, të majtë apo të djathtë, fajtore për këtë gjendje, por partitë tradicionale që flirtojnë me populizmin dhe i kanë përqafuar partitë dhe vlerat e ekstremeve.

Në një mënyrë, BE-ja është në procesin e shpërbërjes morale. Kjo do të ketë ndikim negativ edhe në rajonin e Ballkanit, sepse një BE e tillë nuk do të dojë dhe nuk do të ketë aq shumë fuqi morale të promovojë vlerat e demokracisë, lirive qytetare, pavarësisë së gjyqësorit, lirinë e mediave në këto vende nëse një gjë të tillë nuk mund ta sigurojnë vetë vendet e saj anëtare. Kjo shpërbërje morale e BE-së dhe mungesa e lidershipit, që do të kthente besimin te vlerat e larta në të cilat bazohej BE-ja, është një lajm i mirë për politikanët në Ballkan me tendenca totalitare. Sepse ata po bëhen edhe partnerë të mirë për BE-në e tillë. Kjo reflektohet në qasjen e dyfishtë të BE-së ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit, i kritikon ashpër, së paku një herë në vit, për lidhjet e politikës me krimin e organizuar dhe korrupsionin, për nepotizëm dhe kontroll politik ndaj gjyqësorit dhe sektorit publik, për shkeljen e lirive të mediave. Por në të njëjtën kohë, nuk bën asnjë veprim kundër atyre që janë përgjegjës kryesorë për gjendjen e tillë.

Ky nuk është lajm i ri për vendet e Ballkanit, sepse BE-ja në këtë mënyrë nuk u ndihmon atyre, por vetëm ua mban gjallë një iluzion se kinse janë në procesin e integrimeve në BE. Por gjithmonë çmimin e shkeljes së vlerave e paguajnë ata që janë jashtë BE-së, sepse atyre që janë brenda nuk kanë çfarë t’u bëjnë. BE-ja nuk do të përjashtojë nga anëtarësia shtetet e saja anëtare për shkak të shkeljes së vlerave themelore. Mund t’i dënojë ato, madje në raste ekstreme edhe duke ua hequr të drejtën e votës në Këshill ose duke ua mohuar mjetet nga fondet e BEsë, por jo edhe t’i përjashtojë nga BE-ja. Ndërsa vendet kandidate do t’i mbajë në paradhomën e pritjes për vite. Sikur sot disa vende anëtare të BE-së të ishin në procesin e negociatave të anëtarësimit, vështirë që do të bëheshin vende anëtare. Por, pasi janë tash mund të bëjnë çfarë të duan, sepse BE-ja e ka humbur fuqinë e saj morale dhe nuk ka çfarë t’u bëjë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article KOMENT/ E pazakonshme - Merkeli flet hapur!
Previous article ARTUR ZHEJI/ Nëse është i vërtetë pakti i fshehtë PS-PD dhe nevoja për një Forcë të Tretë Politike…

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k