SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (XI)
E hënë, 9 prill. U bë protesta e dytë e opozitës brenda pak ditësh. Jo për kuksianët sepse ata mbetën në burg, por tani për tregtarët e vegjël dhe taksën e re. Janë kundër tregtarët, FMN e BB. Natyrisht në raste të tilla kundër del edhe opozita, cilado qoftë ajo. Lajm nuk ishte taksa dhe sistemi fiskal, nevoja për reformim dhe transparencë, por gara e çmendur politike e televizive, sa qepena dyqanesh u ulën e sa jo, në cilën bashki pati më shumë mbështetje e në cilën jo. Edhe këtë herë nuk u morëm me thelbin, brendësinë, por me formën, imazhin. Kjo ka qenë e është mënyra sesi ne vijojmë t’i trajtojmë problemet, ndaj edhe ato nuk gjejnë asnjëherë zgjidhje optimale e afatgjatë. Sepse imazhi ka produkte afatshkurta, nuk zgjidh asgjë, kurse problemet janë si sëmundjet, – nëse nuk zbulohen, trajtohen e shërohen, kthehen në kërcënim për shëndetin dhe jetën.
E marte, 10 prill. Freedom House publikoi raportin e radhës, me dy risi: citoi e akuzoi më shumë emra politikë se çdo raport tjetër më parë, dhe organizata publikoi emrin e autorit. Është një koleg akademik “par exellence” me formim të majtë politik, por që ka qenë këshilltar në një qeveri të djathtë. Raporti u sulmua nga të gjithë, – PS sepse kritikonte Ramën e Tahirin, LSI sepse kritikonte Presidentin Meta, PD sepse kritikonte sjelljen e saj dhe aleatin e ri, LSI-në. Pra, asnjëra palë nuk foli për shqetësimin qytetar të raportit, për mesazhin e përcjellë, për bilancin gri të një viti politik dhe as për nevojën e reflektimit / përmirësimeve. Secila foli për autorin dhe palën tjetër me parimin, “i pari lideri”, “e dyta partia” “e treta Shqipëria”. Nëse raporti i FH meritonte disa kritika profesionale për shkak të leximit virtual në disa detaje, reagimi politik “konsensual” kundër tij, i jep më shumë vlerë dhe e bën raportin edhe më të butë sesa duhet të ishte. Sepse bashkimi i tri cilësive të elitës tonë politike në një prerje konsensuale (korrupsion, paaftësi, arrogancë) përbën një zhvillim të rrezikshëm dhe kërcënim të madh ndaj çdo vlere e shprese integruese dhe demokratike.
E mërkurë, 11 prill. Imagjinoni ti themi fëmijëve një histori: Llalla deshi të arrestojë Tahirin, Lu i tha të arrestojë Metën, Meta i kërkoi të arrestojë Ramën, Vlahutin i tha të arrestojë Berishën, Berisha i tha Llallës të sulmojë Lu-në, Llalla u ankua në SHBA për ambasadorin, Berisha u ankua në Bruksel për ambasadorën, Rama e Meta u ankuan në SHBA e Bruksel për njëri tjetrin, Llalla shpëtoi Metën, Meta Berishën, Berisha Bashën, Basha Ramën dhe Rama u betua, nëse do votoja 100 herë, përsëri do votoja Metën! Nëse ua themi fëmijëve këtë histori ata do ta na marrin për të çmendur, ose në rastin më të mirë, do mendojnë se është një përrallë. Nuk është haluçinacion, është ligjërimi politik i një jave nga kokat tona politike. Një skenar i denjë për filma të të premtes vonë, që ne, qytetarëve të këtij vendi, na ofrohet si ligjërim politik, si standardi më i lartë i politikës, si model komunikimi midis udhëheqësve e institucioneve, si normalitet javor, si shpresa jonë e vetme për integrim e progres, si e ardhmja pa alternativë e fëmijëve tanë!
E enjte, 12 prill. Shumica e shqiptarëve vijojnë të luhaten në limitet e varfërisë, shumë prej tyre vuajnë shumë për të siguruar ushqim për fëmijët, por të enjten paradite parlamenti u mbush me miell dhe vezë. Disa deputetë erdhën me parulla solidarizuese për të burgosurit e Kukësit dhe akti i tyre ishte pozitiv. Disa të tjerë, përfshirë edhe vajza deputete, zgjodhën një gjuhë vulgare dhe fyese për parullat e tyre, të padenja për tu shkruar as në muret e banjave publike. Pala tjetër, pasi kishte provokuar me një fjalor po ashtu fyes, u përgjigj me “luftën e ujit” ku Ministri i Jashtëm dhe i Evropës, ai që duhej të ishte më i qeti dhe më jashtë debatit, u bë protagonist kryesor. Pastaj skena dihet: ca deputetë që janë emëruar disa mandate për të bërë bodigardin e shefit dhe të fortin e fshatit, bënë të vetmen gjë që dinë të bëjnë prej vitesh në politikë: sherr dhe sharje. Janë milionerët që grindjen për rënien e fitimit midis tyre. Nga të ulurit në sallë filloi gara e sharjeve në dialekte të ndryshme, dhe kështu, “tempulli i demokracisë” ka humbur çdo element të sensit të masës e të përgjegjësisë publike. Në mbrëmje u tha se janë përjashtuar ca deputetë. Ishin vetëm 6-7 emra. Të përhershmit. Në një vend e parlament normal do të kishim bilanc tjetër: do të duhej të ishin përjashtuar të paktën 31 deputetë që u përfshinë në incidente e gjuhë jo etike, – 9 nga PS, 4 nga LSI, 18 nga PD përfshirë kryeministrin dhe ish kryeministrin, siç do të duhej të kishte një ministër të dorëhequr.
E premte 13 prill. Ca të rinj vunë trarin e pagesës rrugës për në Surrel. Simbolikë interesante, sidomos nëse do të ishte vendosur edhe Farkë, para Parlamentit apo Gjirin e Lalzit, ku jetojnë “të pa-taksueshmit”, milionerët tanë që na qeverisin me sukses nga vendi më i varfër në kontinent tek … vendi më i varfër. Media ka lajmëruar një “ndeshje” të re politike: opozita protestë në Shkodër, kryeministri vizitë në Shkodër. Në fakt, ndodhi ndryshe. Vizita e kryeministrit nuk u bë dhe protesta e opozitës bëri sikur u bë. Shefi i qeverisë zgjodhi të shkojë në Vlorë, aty ku ndjehet mirë dhe i mbrojtur nga “mielli e vezët”, kurse opozita zgjodhi të bëjë një reagim simbolik në Shkodër. Nuk ka rëndësi ky bilanc ditor sa ka rëndësi një fakt tjetër: tradicionalisht, sa herë një drejtues politik i të majtës ka pasur problem politik në Tiranë, ka udhëtuar për “punë partie” në Vlorë. Nga Alia i 1991 tek Rama 2018. Traditicionalisht sa herë një drejtues politik i të djathtës ka pasur problem politik në Tiranë, ka udhëtuar për “punë partie” Shkodër. Nga Berisha 1991 tek Basha 2018. Janë dy qytete bastione të kundërta politike. Në teori politike koncepti i bastionit lidhet me besimin e qëndrueshëm të shumicës tek vlerat e një ideologjie të caktuar politike. Në rastin tonë nuk kemi të bëjmë me vlera, por me raportet me pushtetin. Gjatë periudhës komuniste Vlora dominonte listën e zyrtarëve të lartë, Shkodra listën e atyre në burg politik. Zakonisht qytetet bastione kanë aftësi të krijojnë modele drejtimi, të reformojnë partinë që mbështesin, të mos bëjnë kompromise në dëm të vlerave dhe të përfaqësohen në nivele të larta politike. Në rastin tonë nuk ndodh as njëra as tjetra. As Shkodra dhe as Vlora nuk ofrojnë modele pozitive drejtimi, nuk kanë qenë të afta të krijojnë elita politike, nuk kanë pasur as kanë përfaqësim cilësor dhe as nuk kanë mbrojtur vlera kur ka pasur oferta politike jo dhe aq morale. Mësimi? Shkodra e Vlora futen ndër zonat e lexuara dhe që kanë kontakte intensive me Perëndimin në Shqipëri, dhe kur ato pranojnë të përdoren si kamerdare shpëtimi për liderë arrogantë e të korruptuar politikë, imagjino çfarë pritet dhe çfarë ndodh në zona të tjera, më pak të lexuara dhe shumë më tepër të izoluara nga moderniteti e liberalizmi.
E shtunë 14 prill. PD ka qenë një familje e madhe politike, diverse në mendime dhe qytetare në përfaqësim. Ka qenë, por tani është një prej 129 partive të njëjta. Ka 4 vjet pa mbledhje strukturash, ka vite pa anëtarësi reale të regjistruar, ka prekur rezultatin më të ulët historik, është e ndarë dhe përçarë, dhe nga modeli i Pjetër Arbnorit, Rushen Golemit apo Ylli Vejsiut ka përfunduar tek modeli i një turme anonime pa profesion dhe pa asnjë arritje tjetër në jetë përveçse aftësisë të kenë besimin e shefit të radhës. Tani PD ka vendosur të bëjë Kuvend Kombëtar, siç u tha, për ndryshime statusore sipas modelit britanik. Herën e fundit kur morëm një model britanik në një kontekst shqiptar (kongresi i PS) mori fund mendimi ndryshe, u përjashtuan dy shkrimtarët e vetëm të asaj partie dhe kulti i udhëheqësit po konkurron atë të Erdoganit. Tani PD thotë se po bën të njëjtën gjë. Në fakt, as PS dhe as PD nuk kanë pasur statuse britanike kur kanë qenë shumë më demokratike, më elitare, më qytetare dhe më konkurruese brenda tyre (dekada e parë e viteve ’90). Sekreti është tjetër: partitë tona kanë nevojë të “bëhen” parti jo organizata kulti që ndjekin në verbëri fjalët e udhëheqësit. Receta? Le të bëje secila votime e zgjedhje me parimin 1 anëtar – 1 votë për kryetarë degë e kryetar të madh, për deputetë e kryetarë bashkie, për këshilltarë e poste të tjera të larta; le të votojnë çdo 2-3 vjet kryetarët me votim të fshehtë, le të ligjërojnë mendimin kritik ndryshe dhe të lejojnë fraksionet, le të zbatojnë nenin 9 të Kushtetutës për financimin dhe nenin 1 për zgjedhjet dhe nenin 7 për ndarjen e pushteteve. Kaq, vetëm kaq dhe do të mund të kemi një realitet tjetër politik e shoqëror. Të tjerat, qofshin Kongrese e Kuvende, mbledhje partie apo platforma interneti, nuk kanë as produkt, as vlerë dhe as nuk përbëjnë lajm, ndaj është e vetmja pikë ku media duhet të pranojë që partitë tua sjellin kasetat e gatshme./AlpeNews.al
Ky material është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë, bēhet vetëm me lejen e redaksisë. Faleminderit pēr mirëkuptimin!
Leave a Reply