SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (VI)
E hënë, 5 mars. Një raport ndërkombëtar mbi policinë e shtetit ka një shifër shikuese: në Shqipëri mesatarisht një oficer policie qëndron në funksion vetëm 8 muaj. Çdo 8 muaj ai kalon për ndjekje ose shkarkohet. Në Britani mesatarja është 11 vjet, në Gjermani 10 vjet, në Itali 9 vjet. Kaq mjafton për të kuptuar se cfarë i kemi bërë policisë së shtetit në 26 vitet e fundit. E kemi shndërruar në një eskortë partie, pa status, pa garanci, pa kriter, pa ligj dhe pa dinjitet. Policia nuk ndryshon vetëm kur ndryshon qeveria (më 2013-2014 u shkarkuan 80% e zinxhirit të lartë drejtues të policisë), por edhe kur ndryshojnë ministrat brenda të njëjtës qeveri (ministri i ri shkarkoi 50% të zinxhirit drejtues të policisë nën ministrin tjetër, koleg të së njëjtës parti). Për pasojë, policia shihet më shumë si një vend ku përmes pushtetit, forcës, uniformës, shtetit mund të bëhen para, mund të bëhet trafik, mund të bëhet pasuri dhe të fitohet status social, sesa si një shërbim rendi ndaj qytetarëve, shtetit, shoqërisë. Ky degradim ka koston e vet: aktualisht më shumë kemi punonjës e oficerë policie në kërkim, në arrest ose nën hetim sesa kemi p.sh, trafikantë droge civilë. Kaq mjafton për të kuptuar ku përfundoi “policia që duam” dhe se çfarë mund të ndodhë nëse policia dhe shteti përdoren për shërbime private, si eskorta partie, familjeje, miqsh dhe grupe çunash rivalë të zonës së Bllokut! Zgjidhja? Nuk duhet ende në horizont. Parlamenti miratoi të hënën ligjin për vetingun në polici. Një lëvizje e mençur e Xhafajt, por më shumë politike sesa praktike. Megjithatë mund të japë efektet e para, për të shpresuar se pas dita vitesh mekanizmi i ri do të funksionojë. Natyrisht, nëse qeveria e re, ministri i ri, partia e re ose drejtori i ri, kurdo që të vijnë ata, të kenë mësuar diçka nga gabimet e djeshme e të sotme.
E marte, 6 mars. Nisi me shërbimet energjetike, vijoi me shërbimet e kontrollit në dogana e tatime, me shëndetësinë, me shërbimet publike, me pastrimin, kartat e identitetit dhe tani pritet të vazhdojë me ujin, arsimin dhe sektorët e tjerë (ende) shtetërorë. PPP ose kalim i funksioneve të shtetit tek privati, me një ndryshim madhor nga koncepti i tregut të lirë, – shteti mbulon humbjet e munguara të biznesit privat dhe se biznesi privat në të shumtën e rasteve investon vetëm letra, jo para. Janë biznese që kanë lidhje të forta politike dhe që përmes PPP duan ti forcojnë këto lidhje, – në sistemin e mbyllur, – merr favore nga shteti jep favore në fushata elektorale! E bëri e djathta, por e majta premtoi t’i anulojë. Sapo erdhi në pushtet e majta dhe e djathta ndryshuan mendjen, e majta po i bën, e djathta premton t’i anulojë. Në fakt asnjëra palë nuk mendon anulimin por ka në kohë emrin e biznesit që do zëvendësojë klientin e palës tjetër. Por ka një faktor të tretë që kërkon ndalimin e menjëhershëm të tyre: Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ata folën publikisht, si më 1996 për piramidat, duke paralajmëruar kopals ekonomik nëse procesi del jashtë kontrollit, siç edhe po ndodh. FMN ka të drejtë siç kishte më 1996. Atëherë interesat politike dolën mbi FMN, tani interesat privato-politike rrezikojnë të përsëritin të njëjtin skenar.
E mërkurë, 7 mars. Dikur ishim mësuar se 7 marsi është dita e mësuesve dhe modeli ynë ishte zakonisht dashuria e parë, mësuesi i fillores. Tani kohët kanë ndryshuar. Cili është modeli? Çdo 7 mars shohim se model na imponohet kryeministri i radhës, ministri i radhës, kryetari i partisë së radhës, kryebashkiaku i radhës, deputeti i radhës, drejtori i radhës…por jo mësuesit. Në ditën e tyre ata përdoren për fasadë, duhet të aktrojnë, të marrin ca lule e të bëjnë ca lëvdata, të mos flasin për gjendjen krizën e vlerave ku ndodhet shkolla dhe as për rrogat qesharake, të heshtin për punësimin me kartë partie dhe për një sistem që po nxjerr breza analfabetes funksionalë, të pranojnë nënshtrimin në cdo rast e me cdo kusht sepse 7 marsi, dita e tyre, mund të kthehet edhe dita e fundit e punës në shtet ose privat. Mësuesi sot trajtohet si një send muzeal, për vitrinë dhe soditje. Shumica e prindërve të fëmijëve e shohin atë si aleat për më shumë 10-ta në një vend ku shkencëtarët numërohen me gishtat e njërës dorë; të tjerë e shohin si aleat në një botë korrupsioni, ku përmes dhuratës krijohet lidhja dhe fitohet statusi social për fëmijën; shteti e shikon mësuesin si ngarkesë e tepërt, sektor që merr para dhe nuk jep para; politika e shikon mësuesin si potencial elektoral në zonat ku punojnë, shoqëria e shikon si shtresë në nevojë. E dini që Shqipëria ka komitete e këshilla për ujin, drurin, kafshët, internetin, telefoninë, energjinë, shëndetin, etj, por nuk ka pasur dhe as nuk ka një komitet apo këshill shtetëror për arsimin e për më tepër për kërkimin shkencor? E dini se kaluam 7 marsin e parë prej 46 vitesh pa Akademi të Shkencave? E dini që VIP e shtetit dhe politikës nuk kanë lënë këto 5 vite vend pa vizituar me përjashtim të një vendi, – qendrës së vetme albanologjike në Shqipëri? Mjaftojnë këto pyetje retorike për ta lexuar 7 marsin shqiptar dhe përçmimin shekullor ndaj dijes.
E enjte, 8 mars. Në parlament kemi 41 gra deputete, rekord nga 1991. Kemi 47% ministre, rekord nga 1991. Kemi prokurore të përgjithshme, vetingu në drejtësi drejtohet nga gra, institucioni i avokatit të popullit gjithashtu. Ka plot statistika të tjera që tregojnë se statistikisht jemi mirë. Por ka një statistike për të cilën pakkush flet: mbi 80% e fuqisë ekonomike në vend dominohet nga burrat, mbi 90% e grave paguhen më pak se burrat për të njëjtën punë që kryejnë, mbi 70% e nënave që lindin nuk arrijnë dot të marrin ndihmën minimale shtetërore për fëmijën, mbi 20% e martesave të viteve të fundit shkojnë drejt divorcit, mbi 60% e studentëve janë vajza por vetëm 10% e tyre ka shanse reale për një vend pune në profesion. Duhen të tjera shifra? Le të shohim parlamentin: sa herë liderit politikë duan të denigrojnë dikë të palës tjetër nxjerrin një grua në konferencë shtypi, sa herë duan të akuzojnë rivalët politikë i fyejnë familjen, sa herë ka interesa të mëdha politike në lojë edhe gratë deputete bëhen “më burra sesa burrat”, dhe se ligjërimi politik mbetet aq diskriminues saqë kur dy vjet më parë një grua ish ministre donte të thoshte diçka “të rëndësishme” iu drejtua akuzuesit në opozitë “po të flas si burri burrit”. Një shoqëri plot dhimbje dhe në sfidë të përhershme mbijetese sa shoqëria shqiptare i ka aq shumë borxhe nënës, bashkëshortes, motrës, sa miliona tufa lulesh e urime për mijëra vjet nuk mjaftojnë. Por mund të bëjmë gjëra të vogla, p.sh, tua japim 8 marsin grave e vajzave, të mos ua vjedhim ditën e tyre, të mos i përdorim për politikë dhe as për imazh por ta nisim ditën me një ndjesë të madhe e të thellë.
E premte 9 mars. Kur partitë mbyllën llogaritë e tyre me kontrollin formal në KQZ zyrtarisht u tha se transparenca financiare u krye. Statistikisht është sukses. Por përtej statistikës dhe falë modeleve demokratike amerikane që ne ende as në ëndërr nuk i shohim, rezultoi se tri partitë tona të mëdha kanë harxhuar mbi 3 milion euro për lobing politik në SHBA. Nuk e kanë bërë për Shqipërinë, e kanë bërë për veten e tyre, kundër kundërshtarëve të tyre politikë këtu. Njëri donte foto me Trump, tjetri donte të ishte në ceremoninë e betimit të tij, tjetri donte të porosiste ca artikuj pozitiv në media dhe të pranohej nga njeriu, të cilin pa një dalldisje anadollake e kishte anatemuar në shtëpinë e tij në CNN. Janë 3 milion euro nga taksat tona të hedhura në numra llogarie pa lidhje me Shqipërinë. Thelbi i problemit? Partitë tona politike vijojnë të jenë kazani më i madh informal në Shqipëri, janë grupet më të mëdha kriminale në ekonomik dhe janë kundërshtarët më të mëdha të shtetit të së drejtës, ligjit dhe llogaridhënies. Ato janë të gatshme të burgosin çdo qytetar që nuk paguan faturat e ujit apo dritave, por për miliona eurot e luksit politik nuk pranojnë as hetim, as përgjegjësi, as korrigjim. Thjesht, ndërsa bëjnë sikur zihen për to, po paguajnë paralelisht miliona të tjerë për imazh, konsulentë e lobing personal, për tu bërë të pranueshëm për një shoqëri që nuk i pranon as para dhe as pas pagesës.
E shtunë 10 mars. Për herë të parë pas shumë vitesh po flitet për influencë ruse në politikë. Është termi që përdoret kur mazhoranca sot akuzon opozitën. Në dekadën e parë të tranzicionit ishte e kundërta, opozita e sotme akuzonte mazhorancën e sotme si pro ruse. Nuk kemi asnjë mekanizëm për ta mësuar të vërtetën, por një reflektim del nga kjo histori me spiunazh politik: nëse bëjmë një bilanc të detajuar të sjelljeve politike politikanët tanë të lartë i shërbejnë në rrugë private me bësnikëri, servilizëm e vendosmëri çdo fuqie politike rajonale e ndërkombëtare që mund të ketë një rol në karrierën e tyre personale, – herë Greqisë, herë Turqisë, herë Italisë, herë Francës, herë SHBA-ve, herë Rusisë, ndofta në dekadën e ardhshme edhe Kinës apo Indisë. Pyetja është: përse nuk i shërbejnë me të njëjtin pasion, korrektese, cmim e vendosmëri shtetit të tyre, Shqipërisë? Përse nuk e lidhin fatin e tyre politik me vendin e vet, me atë që qytetarët duan e mendojnë? Përse sillen me aq shumë arrogancë ndaj nesh dhe aq pa dinjitet ndaj të huajve? Përse flasin paralelisht dy gjuhë, – një gjuhë orientale, kërcënuese dhe shantazhuese ndaj nesh qytetarëve të tyre dhe një gjuhë servile e patetike ndaj të huajve? Dhe e fundit, përse sa herë dy palë grinden e zihen, rivalët akuzojnë njëri tjetrin si agjentë e të të tjerëve dhe jo ashtu siç de facto janë: modele orientale politike, pa ide, pa vizion, pa sens mase e përgjegjësie, pa kurajë për të vërtetat dhe as integritet për tu bërë udhëheqës.
Ky material është ekskluziv i AlpeNews.al, riprodhimi i tij mund të bëhet vetēm me lejen e redaksisë
Leave a Reply