SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (IX)
E hënë, 26 mars. Në Tiranë prezantohet një libër me studime profesionale, historike, politike dhe gjeografike. Shumë prej tyre mbi cilësinë e botimeve të sotme. Por në Shqipëri lajm nuk përbën libri, lajm përbën autori. Dhe ai është Mid’hat Frashëri. Është një nga etërit themelues të shtetit, është djali i Abdyl Frashërit, është një nga mendimtarët kryesorë të viteve ‘30-’40, kundërshtar politik i mbretit Zog dhe më pas diktatorit Hoxha. Gjatë LIIB drejtoi Ballin Kombëtar dhe për këtë, regjimi komunist e shpalli armik. Nuk pati poste politike të larta as në monarki, as në republikë, as në periudhën e pushtimit. Por në Shqipërinë e 2018 kriter vlerësimi e gjykimi mbi çdo figurë historike është mesnata e 28-29 nëntorit 1944. Të majtët vijojnë të refuzojnë gjysmën tjetër, të djathtët gjithashtu. Të majtët nuk gjejnë figura pozitive tek të djathtët, të djathtët gjithashtu për rivalët e tyre politikë. PBK në vetvete duhej të ishte diçka e mesme, një parti me bazë programore shumë më socialdemokrate sesa konservatore, por që refuzoi komunistët. Kaq mjaftoi që të krijohej hendeku e më pas, gjërat të zgjidheshin “shqiptarçe” përmes armëve. Ndarja nuk është vetëm në zyra partie dhe për interesa partish, por edhe në media, në debatet publike, në studiuesit e historisë dhe kudo tjetër, – një mentalitet tipik për brezat që u formësuan në kohën e revolucionit kulturor dhe që sot janë dominues në politikë, media, shoqëri, shkencë dhe institucione. A ka forcë shoqëria jonë të gjejë paqe me veten dhe të mos përsërisë gabimet e brezave të mëparshëm përfshirë atyre të sotëm? Ende jo. Sepse nuk ka, sepse nuk di dhe sepse nuk do. Sepse është e mbetet peng i miteve të rreme.
E marte, 27 mars. Akademia e Shkencave po reformohet. Afati ishte 31 mars. Nuk e caktuan vetë akademikët, nuk ua imponoi shkenca dhe as bota akademike, por kryeministri. Janë ngritur grupe pune, janë bërë drafte ligjore dhe gjërat janë pranë një kompromisi. Midis shkencës e pushtetit? Jo, midis rrogëtarëve të shkencës dhe pushtetit. Skënder Gjinushi ka qenë një shkencëtar i ri i merituar. Në fundin e viteve ’80 konsiderohej ministër reformator dhe elitë në një sistem të kalbur të padijes. Prej atëherë ai është në politik kryetar i një partie, e cila e nisi pluralizmin me 6 deputetë dhe aktualisht arriti të bëjë pazar për një mandat formal në Shkodër. Gjinushi po drejton çështjet e reformës në Akademi. Artikulli i tij i fundit shkencor daton përpara vitit 1990, pra më shumë se 28 vjet më parë. Prej atëherë as studim, as libër, as referim dhe as ndonjë gjurmë shkencore. Por në Shqipëri kufiri midis shkencës dhe politikës është aq i brishtë, më lehtë bëhet karriera shkencore përmes politikës sesa e kundërta. Në Akademi kemi disa politikanë, shumica pa libra ose me libra pa ndonjë rëndësi, por që ishin në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me pushtetin e duhur. A mund të reformohet Akademia nga politika? Jo. Nuk ka ndodhur asnjëherë. Çështjet e Akademisë janë çështje të shkencës dhe botës akademike. Që kur është krijuar Akademia janë ndryshuar dy regjime dhe janë ndryshuar 10 kryeministra, por Akademia mbetet edhe kur shefi i radhës ikën. Ndaj reforma dhe identiteti i Akademisë nuk mund të lidhet me mandatin aktual, me miqtë aktual dhe me raportet aktuale politikë – shkencë. Është një çështje kaq serioze sa meriton analizë serioze, sjellje serioze dhe vizion afatgjatë, – tipare që aktualisht mungojnë. Të tjerat nuk kanë rëndësi.
E mërkurë, 28 mars. Një i ri i panjohur në publik, Briken Calja është shpallur kampion evropian në peshëngritje. Ishte lajmi më i mirë i javës. Por në Tiranë pak e festuan. Nuk pati pritje nga ministri (siç kemi bërë më përpara), as nga Presidenti, as dekoratë, as status në tëitter nga kryeministri dhe rivali i tij në opozitë. Heshtën të gjithë. Sepse kemi frikë nga suksesi. Të fundit që na dhuruan sukses, ca djem e vajza sportistë të talentuar, na rezultuan me doping dhe morën dënime të larta nga federata ndërkombëtare. Prej atëherë cilido që mund të fitojë shihet me dyshim, – me shpresën se nuk ka përdorur doping. Do zoti, Brikeni i ka letrat në rregull. Mjaftojnë këto radhë për të dëshmuar krizën e identitetit ku ndodhet sporti në Shqipëri. Të rinj të talentuar që përdorën nga zyrtarët për të arritur rezultate shpesh në formën e gabuar. Kush paguan çmimin? Zyrtarët? Asnjë. E paguan Shqipëri, imazhi dhe mbi të gjitha besimi tek suksesi, modeli referues për të rinjtë. Siç po ndodh edhe me Skënderbeun, – ekipin më të mirë në Shqipëri, kampionin pa rivalë prej vitesh, që na rezulton më shumë Hamza sesa Skënder. 10 vjet dënim. Kush mban përgjegjësi? Askush. Kush u hetua? Askush. Kush përfitoi financiarisht? Heshtje. Prokuroria e ka mendjen të kapë ndonjë nga ata djemtë e rinj në Kukës që gjuajtën me gurë xhamat e Çetit, për shtetin ata janë më të rrezikshëm e më prioritar sesa oligarkët që përdorën për fitime e spekulime flamurin, simbolin, shtetin, publikun, memorien dhe sportin.
E enjte, 29 mars. Ka parlament dhe kur ka parlament, ka shoë pa limit. Këtë herë pati më shumë se kaq, – të pasurit dhe të pushtetshmit e politikës u grindën pa fund mbi pasurinë dhe pushtetin personal e familjar të tyre, sa kaluan çdo limit e kufi të të foluri, nga niveli politik në banalitete të atilla sa nuk mund ti citojmë. Në parlament kemi 41 gra deputete, të gjitha ishin aty, i dëgjuan, dhe nuk reaguan. Këtë javë sapo qe krijuar Aleanca e Grave Deputete dhe u promovua angazhimi për standarde më të larta etike dhe sjelljeve. Seanca e të enjtes e shumëzoi me zero angazhimin. Siç shumëzoi me zero kartën më të madhe politike, anti-korrupsionin. Në parlamentin e vendit më të varfër në Evropë kemi politikanët më të pasur, një numër të madh individësh, të cilët duke pasur pushtet e kanë përdorur atë për të krijuar e më pas shumëfishuar numrin e apartamenteve, tokave, garazheve, pronave, bizneseve, makinave, etj, për veten, familjen dhe miqtë. Janë bërë as të pasur nuk e mbajnë mend sesi nisi historia e pasurimit. Dhe ata sot, në emër të sovranit drejtojnë gishtin me arrogancë tek gjyqtarët e prokurorët, policët e nëpunësit, mësuesit dhe mjekët, profesorët dhe akademikët, – duke i kërcënuar për veting e arrestim. Ata vetë refuzojnë çdo kontroll e hetim, çdo llogaridhënie dhe përgjegjësi. Është një deja vu, tipike për shoqëri në kriza përfaqësimi dhe kriza identiteti, ku një pakicë abuzon aq shumë në emër të shumicës sa shkëputet prej saj, krijon një botë virtuale, pa lidhje me realitetin dhe në fund, fillon të besojë se janë të zgjedhur nga lart për të sunduar në tokë. Fundi i tyre dihet, ka qenë i njëjtë gjithherë në histori. E meritojmë edhe këta të sotmit, të njëjtin fund.
E premte 30 mars. Greqia e Tirana i shkrinë akujt. Ministri i jashtëm grek ishte në Tiranë, bisedimet nisën, Presidenti e dha miratimin, dhe gjërat po ecin. Ambasada greke në Tiranë na akuzoi për mosmirënjohje, pasi nuk ia shpërblyem Greqisë pritjen e mijëra emigrantëve në vitet ’90. Dhe çfarë kërkonte Greqia? Asgjë. Heshti për Çamërinë, heshti për Kosovën, heshtni për pronat shqiptare në Greqi, na jepni ca milje det dhe të drejtën të kërkojmë varre e të krijojmë varreza në gjysmën e vendit. Kaq. Nga ana tjetër e kufirit, Erdogani, sulltani i Turqisë së sotme republikane, paralajmëroi shkarkimin e kryeministrit të Kosovës. Nuk jemi në kohën e Sulltanit dhe Kosova nuk është provincë turke, por për të ka pak rëndësi. Ai ia njeh këtë të drejtë vetes dhe Kosova nuk përgjigjet. Në Tiranë bëjnë sikur nuk dëgjojnë. As për grekët, as për turqit. Bota e sotme ka ndryshuar, globalizmi dhe integrimi kanë cenuar identitetet e shteteve dhe ndonëse flasim për më shumë demokraci e të drejta midis shteteve, për vendet e vogla si ne, ndryshimi nuk duket dhe kur duket, nuk është ai që mendojmë. Greqia e Turqia janë aleatet tona strategjike, cilësi e miratuar me votim në parlament dhe nga aleatët strategjikë priten sjellje, lajme e raporte shumë më ndryshe sesa ato që morëm këtë javë e këto vite. Faji i tyre? Vetëm pjesërisht. Problemi jemi ne, elitat tona politike. Ata flasin e veprojnë kështu pikërisht sepse e dinë kujt i adresohen.
E shtunë 31 mars. Në Kukës është lajmëruar një protestë kundër taksës. Është protesta e parë pa flamuj partiak prej vitesh. U bë. Ishte një akt proteste ndaj arrogancës, injorimit, mungesës së respektit dhe refuzimit për të qenë numra në jetën e tyre. Është qarku më i varfër në Shqipëri, i vetmi që taksohet. Është burimi kryesor turistik në vend dhe ai taksohet. Përfundimi dihet: incident me policinë, ca prishje pajisjesh, ministri që flet për “vandalë” e “barbarë”, kryeministri që i anatemon, pastaj i fton për bisedime, opozita që mundohet të përfitojë, etj. Skenari ishte i njëjtë siç jemi mësuar në 28 vite, reagimi zyrtar gjithashtu i njëjtë, si në kohën e Ramizit, Berishës, Nanos, e tani të Ramës. Pushteti tek ne prodhon arrogancë dhe secilin e bën të njëjtë, pavarësisht emri dhe sigla. Problemi thelbësor është tjetër, – çfarë po bëjmë me ekonominë, me kulturën e shtetit, me vlerat e demokracisë, me të ardhmen tone? Si është e mundur që të harxhojmë tonelata bojë për të shkruar mbi batutat e Ramës, Nanos e Berishës dhe të mos kemi një debat 1 ditor mbi ekonominë tonë, mbi sfidat tona, mbi zgjidhjet dhe perspektivën tonë? Si është e mundur të mos dimë se ku shkojnë paratë tona? Si është e mundur të mos sakrifikojmë pak pushtet apo ambicie për pushtet për të bërë sadopak shtet? Si është e mundur të mos kemi edhe pas 28 vjetësh institucione që parandalojnë konflikte e kriza, duke dialoguar e folur mbi to, por që bëhen gjallë vetëm kur kriza ndodh, për të menaxhuar viktimat e saj? Si është e mundur që lejojmë që nuk konsumojmë asnjë prej dhjetëra mekanizmave të demokracisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por shkojmë tek fjala e fundit, konfrontimi fizik? A nuk kemi mësuar asgjë nga 22 shkurti, 13 marsi, 14 shtatori, 21 janari dhe data të tjera kur politika e mbrapshtë desh na çoi në humnerë si vend, si shoqëri e si shtet? Kur nuk je i aftë të reflektosh nga gabimet apo i harron ato, je i destinuar ti përsëritësh. Në Kalimash dhe në Tiranë të shtunën u provua kjo tezë. Për të gjithë, dhe me një taksë tjetër më të lartë për vendin, politikën, shtetin e demokracinë.
Ky shkrim është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë bëhet vetëm me lejen e redaksisë!
Leave a Reply