SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (XII)
E hënë, 16 prill
SHBA ka njoftuar zyrtarisht shpalljen “non grada” të një politikani shqiptar. Nuk ka rëndësi emri dhe as reagimi. Akti ka vlerë, sidomos mesazhi dhe vazhdimi i tij. Ka disa individë të pasur dhe me pushtet të madh që në çdo sistem zgjedhor i nxjerr nga dera dhe të hyjnë nga dritarja në parlament. SHBA e di se kjo nuk është çështje votuesish, programi dhe as alternative. Është çështje e mënyrës sesi oligarkia vepron dhe sesi sistemi ynë përfaqësues funksionon. Ju kujtohen deklaratat e çdo ministri të brendshëm në çdo protestë, se midis turmës ka individë të dyshuar për precedentë penalë. Në Shqipëri kemi parlament e parti politike me individë me precedent penalë. Jo të dyshuar, por të provuar dhe madje krenarë për këtë CV. Qytetarët që mirëpritën reformën në drejtësi nuk e bënë këtë për të hequr nga puna ndonjë prokuror nga qytetet periferike, por mbi të gjitha me shpresën se me një sistem të ri drejtësie do të ketë veting për politikën dhe politikanët. Nëse gjyqtarët e prokurorët e korruptuar na vodhën paratë, pronat dhe disa të drejta, politikanët e korruptuar na vodhën atdheun, lirinë, shpresën dhe të ardhmen e fëmijëve. Ndaj janë e mbeten shumëfish më të rrezikshëm. SHBA e di këtë dhe ndaj po jep sinjale, të cilat nuk janë për individin e përmendur si person, por mbi të gjitha janë për sponsorit e këtij sistemi korruptiv, drejtuesit e tij, ata që emërojnë deputetët si biznesmenë e biznesmenët si deputetë, oligarkët e rinj të Shqipërisë.
E martë, 17 prill
BE publikoi raportin e programit mbi Shqipërinë. Mbi 110 faqe, gjuhë diplomatike që edhe kur është shkruar shqip ka nevojë për përkthyes, por në thelb, vlerësime pozitive për Shqipërinë. Ata që e kanë shkruar kanë pasur një qëllim dhe si shqiptarë, duket tu jemi mirënjohës. Kanë hyrë në banesën tonë, dhe kanë rendur pas gjërave të mira sepse kanë dashur të na shohin sa më mirë. Raporti dha shpresë se koha e humbur mund të ndarë rrjedhën dhe se ka shanse për ndryshim. Po ne si u sollëm me të? Dikush recitoi një fjalim ku renditi veten krahas Skënderbeut, dikush tha kjo ishte fundi i historisë, të tjerë u mërzitën dhe akuzën Brukselin se ka parë gjëra që ne nuk i shohim dhe në fund të ditës, askush në Tiranë nuk u ul ta lexojë dhe të nxjerrë prej raportit pika e detyrime, afate dhe angazhime, të cilat në një vend e kohë serioze do të përbënin axhendë prioritare pune për të gjithë, qeveri e opozitë, institucione e qytetarë. Nuk pati as mbledhje të komisionit integrues për ta trajtuar raportin, as seancë parlamentare, as dialog midis mazhorancës e opozitës, asgjë. Vetëm fjalë e replika fëmijësh në facebook.
E mërkurë, 18 prill
Diku midis viteve 2000 ish kryeministri konservator norvegjez erdhi në Tiranë dhe takoi ish presidentin SB. Në bisedë ai shprehu keqardhjen që më 1996 PD e djathtë kishte bërë deklarata kundër disa eurosocialistëve të majtë që patën ardhur vëzhgues në zgjedhje. Përse? Ata nuk janë të djathtë…u tha pala shqiptare. Ata janë norvegjezë, – u përgjigj kryeministri, dhe fjalët denigruese ndaj tyre janë denigrim për çdo qytetar të atij vendi! Ky leksion skandinav duhet kujtuar e rikujtuar këto ditë në Tiranë, kur burimet mediatike qeveritare dhe vetë kryeministri nisën sulme frontale kundër disa politikanëve kritikë gjermane, përfshirë një drejtues të lartë parlamentar. Akuza? Tipike shqiptare: përderisa është me bindje të tjera politike është armiku ynë dhe sipas standardit të fletërrufeve kineze, armiku duhet denigruar si i shitur, i keq, i degjeneruar. Ashtu u bë. Pasoja? Shumë zyrtarë të djathtë e të majtë në Berlin u shokuan. Dhe do duan kohë ta kapërdijnë sjelljen orientale shqiptare. Sepse në botën e qytetëruar kritika është vlerë dhe bazë për dialog, jo mjet për të lajmëruar duel për jetë a vdekje. Kryeministri gaboi, media pranë tij gaboi, militantët e tij gabuan, por në fund të ditës çmimin nuk e paguajnë ata: ata janë në pushtet, merren me tendera, numërojnë para dhe u duket se gjithçka është në drejtimin e duhur. Faturën e paguan imazhi dhe prestigji i një vendi kaq të varfër dhe të lodhur nga aventurat politike sa ka mbetur e fundit në çdo listë, përfshirë në shpresën për një shans gjeopolitik për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
E enjte, 19 prill
Sytë tek Kuvendi: do duhet të shihet sa kanë reflektuar politikanët tanë nga raporti i BE dhe sfida e integrimit. Rezultati? Ylli i medias së të enjtes në Kuvend u bë ai që në asnjë variant serioz nuk do duhej të ishte: ish ministri i brendshëm. Saimir Tahiri ka qenë ministri më i rëndësishëm në qeverinë e majtë 2013-2017 dhe njëherësh ministri më i cituar në raportet ndërkombëtare kritike me Shqipërinë. Nga supër-pushteti ministror dhe improvizimet me policë që qanin në largimin e tij, sot Tahiri është një politikan që të gjitha palët politike janë të gatshme ta braktisin. Ai e di këtë dhe ndaj përdor arkivën e supër-pushtetit për të mbajtur në këmbë një imazh artificial dhe të destinuar të dështojë. Nuk është ai emri më i korruptuar në vend, madje as në qeveri dhe as në politikë. Ka një listë të gjatë përpara tij. Por ai luajti fort dhe vetëm kundër të gjithëve, duke llogaritur të jetë pasues i kryeministrit, dhe në fund, është ndër të vetmit që drejtësia ka një dosje, raportet hetimore kanë disa fakte dhe ndaj të cilit ka nisur një proces i pakthyeshëm gjyqësor. Raste të tilla na ndihmojnë të marrim dy mësime: e para, politika nuk është sport i lehtë që mund të përballohet me sukses nga secili që e kërkon, por është produkt i fazave të gjata të lidhjes midis eksperiencës, aftësisë dhe vullnetit, – dy nga tre elementë që nuk i gjen as tek ish ministri i brendshëm dhe as në shumicën e ministrave të dekadës së fundit, në kabinete majtas e djathtas. E dyta, vetëm në një klasë politike pa forcë ndryshimi, pa forcë morale dhe pa integritet mund të ndodhë që simbole dhe yje politike bëhen emra nga më të zakonshmit, përfshirë individë të cilët kurrë në jetë nuk kanë kryer një punë dhe që kurrë nuk kanë arritur të bëjnë diçka të mirë tej buxhetit personal, familjar e klanor.
E premte 20 prill
PD zhvilloi mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Është supërlajm: në katër vite ka 0 mbledhje nga minimalisht 16 që kërkoheshin nga statuti. Bëri një debat 4 orësh dhe ky është lajm. Në katër vite nuk ka pasur ndonjë rast të jetë folur katër orë për rregullat në parti. Lejoi ca individë të flasin kundër e në formë kritike. Edhe ky është lajm sepse në katër vite nuk ka pasur zë të organizuar as kundër dhe as kritik. Të gjitha këto i bëri për të bërë disa ndryshime në statut. Janë ndryshime pozitive, por të pamjaftueshme sidomos në një parti që kishte statut edhe gjatë katër viteve të fundit, por asnjëherë nuk e respektoi atë. Nuk mori pjesë në mbledhje ish kryeministri SB. Edhe ky është lajm sepse është hera e parë që ndodh në katër vite. Në organin më të lartë politik u refuzua kërkesa për të kryer debat politik mbi zgjedhjet dhe drejtimin. Kjo pritej, jo vetëm sepse në një grup drejtuesish humbësish askush nuk do të flasë për humbjen por edhe se ata që kërkojnë debat kanë të njëjtin mentalitet me rivalët e tyre të sotëm, thjesht u ndanë në kohën e listave. Konkluzioni? Imagjinoni sa larg kanë shkuar partitë politike në organizimin e tyre të ç’organizuar, në deformimin demokratik e kulturor, në humbjen e identitetit dhe të lidhjes me qytetarët sa edhe detaje të tilla pa rëndësi përbëjnë lajm dhe madje lajm pozitiv. Imagjinoni sa është ulur steka e vlerësimit dhe e pritshmërive, sa të mbyllura janë bërë partitë, sa dobët është opozita dhe mbi të gjitha, sa nevojë ka vendi për parti reale demokratike, përfaqësuese, me integritet dhe me dinjitet, me alternativa dhe me vlera morale!
E shtunë 21 prill
Ligji shqiptar ndalon punën ditën e shtunë e të dielë, detyron shtetin e privatin të paguajë dyfish individët që angazhohen ato ditë. Ka ligj dhe ka Maliq, – thuhet në gjuhën tonë. Dhe ja shembulli, çdo fundjavë qeveria del nga zyra dhe shkon në zona elektorale. Bën sikur takon popullin, por në fakt takon administratën dhe strukturat partiake. Zyrtarë, bashki, polici, tatime, mjekë, mësues, pastruese, nxënës, të rinj, veteranë, – të gjithë në rresht, me lule, me karrige, me listë prezencë dhe të gatshëm për duartrokitje. Dikur fundjavat i kishim aksione “vullnetare” tani i kemi takime elektorale “vullnetare”. Nuk ka rëndësi se çfarë diskutohet e çfarë vendoset në mbledhje qeverie, rëndësi ka çfarë thuhet aty, në takim me popullin, në replika dhe në transmetim live në të gjitha mediat. Ajo çfarë thuhet aty është ligj mbi ligj, është urdhër edhe kur tejkalon ligjin. Ja p.sh, kur shefi u thotë vartësve, – shkoni mblidhni tatimet, por kujdes, silluni mirë kur tua merrni paratë, apo kur porosit që policët të qeshin e të tregojnë kulturë kur arrestojnë ndonjë individ, – këto janë porosi e shkuar porosisë, megjithëse ky vend prej gati një shekulli ka ligj sesi mblidhen takimet, sesi sillet policia, se cilat janë të drejtat qytetare dhe sesi rregullohen raportet midis shtetit e individit. Leksioni i fundjavës shëtitëse qeveritare? Disa milionë lekë të harxhuara pa transparencë, pa sens dhe pa objekt real pune, për t’iu gjetur ministrave e mediave punë, – por nga ana tjetër, një akt i zgjuar në kalkulimin partiak elektoral. Dhe në Shqipëri, kjo e fundit ka vlerë e prioritet mbi çdo gjë tjetër.
Ky opininon është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë, bëhet vetëm me lejen e redaksisë. Faleminderit!
Leave a Reply