SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (V)
E hënë, 26 shkurt. Kuvendi debatoi gjatë për vetingun në Polici, por nuk arriti as këtë herë të miratojë Kodin e Sjelljes, – një dokument rregullator për aktivitetin e deputetëve. Media raportoi se Kodi bën përcaktime për veshjen, sjelljen, përdorimin e telefonave, etj, por në fakt thelbi i tij është tjetër: Kodi përcakton raportimin periodik të deputetëve mbi rastet e konfliktit të tyre të interesit. E thënë thjesht: ne kemi një numër të madh deputetësh biznesmenë të cilët shqyrtojnë e miratojnë akte ligjore në konflikt të hapur interesi me bizneset e tyre. Duke qenë biznesmenë ata miratojnë taksa e kontrata, të cilat indirekt i përshtaten biznesit të tyre dhe janë dëmtuese për konkurrencën tregtare. Kodi i detyron deputetët të deklarojnë me shkrim rastet e konfliktit të interesit dhe parlamenti të evitojë votimin e një deputeti në një komision ku diskutohen ligje që lidhen me biznesin e tij. Nëse një qytetar apo zyrtar i thjeshtë do të vepronte ndryshe do të shkarkohej për konflikt interesi, kurse deputetët, “Tempulli i Demokracisë” nuk ka pasur asnjë klauzolë frenuese, përkundrazi, secili ka qenë i lirë të votojë çfarë të dojë, përfshirë taksat për biznesin e tij dhe të rivalëve të tij. Kuvendi i shtyu Kodin për seancën e ardhshme, jo me 5 mars, por 15 mars, dhe ende ka shpresë që dokumenti të miratohet pas dy vjetësh mbajtje peng në parlament.
E marte, 27 shkurt. Për herë të parë pas vitit 1997 në nivelet e larta politike u fol për agjenturë të huaj, spiun dhe kabotazh. Një zyrtar i lartë i FA u akuzua se ka qenë në shërbim të një shteti në NATO dhe të një shteti tjetër rival me NATO-n. Ai dhe mbështetësit e tij pretendojnë se akuzat nuk qëndrojnë. Në raste të tilla ka dy zgjidhje: e para, individi, qoftë edhe për shkak të paragjykimit, ofron dorëheqje nga posti i negociatorit. Nuk mund të bësh marrëveshje në emër të Shqipërisë kur gjysma politike e vendit tënd të akuzon për spiunazh dhe shërbime ndaj të huajve. E dyta, do të duhet që institucionet të hetonin rastin dhe të flisnin me gjuhën e ligjit. Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Institucionet u bënë pjesë e lojës politike dhe personi nuk dha dorëheqje. Çfarë mbetet prej tij? Asgjë. Në mos sot, nesër ai do jetë i detyruar të dorëhiqet. Problemi është më i thellë: çfarë po ndodh me shtetin dhe funksionin shtetëror, me përgjegjësinë dhe sensin shtetëror? Si është e mundur që shteti të mos ketë instrumente të besueshëm që vlerësojnë raste të tilla, i parandalojnë ato ose penalizojnë individët që bëjnë akuza të rreme në çështjet e sigurisë kombëtare? A ka Shqipëria një shërbim sekret të referueshëm dhe funksional? Ne kemi lexuar në ëikilies se politikanët e zyrtarët e lartë ishin në garë për të shkuar në ambasada dhe për të treguar gjithçka dinin për shefat e tyre, kolegët e tyre, punën e tyre, shtetin e tyre. A kemi të bëjmë me raste të njëjta? Cilat janë standardet, rregullat dhe praktikat e mira? Do duhet që përgjigjia të vijë nga Ministria e Mbrojtjes, KSK, Presidenti apo Kuvendi, por për shkak se secila palë u bë pjesë e lojës politike, foli përpara se të mendojë e gjykojë faktet, asnjëra nuk ka integritetin për të dhënë përgjigje. Kjo po, është krizë shumë herë më e madhe sesa drekat apo bisedat e një ushtaraku që tenton të bëjë protagonistin politik shumë më tepër sesa ia lejon dhe ia kërkon uniforma dhe posti.
E mërkurë, 28 shkurt. Në portin e Durrësit u kap ngarkesa më e madhe e kokainës në Shqipëri, – më shumë se 600 kg. Qeveria nxitoi të marrë meritat duke ia njohur vetes dhe jo partnerëve meritën e zbulimit, opozita i akuzoi për mashtrim. Të kujton historinë me ujkun, – nuk merren me ujkun por me gjurmët. Për interesin publik nuk ka asnjë rëndësi nëse ishte meritë shqiptare apo aksion ndërkombëtar, sa kanë rëndësi disa “detaje” të tjera: p.sh, cilët janë porositësit që guxojnë të trafikojnë shifra kaq të larta droge? Cila është garancia e tyre se ngarkesa do kalonte? A ka Shqipëria kontroll mbi territorin dhe kufijtë? A rrezikojmë të etiketohemi si kërcënim për Evropën në aspektin e drogës? Do të duhej që Policia e Shtetit, Prokuroria dhe organet e tjera ligjzbatuese të thellonin hetimet deri tek bosët realë të drogës, të analizonin gjendjen dhe të prezantonin masa të jashtëzakonshme parandalimi për të ardhmen. Nuk ndodhi as njëra dhe as tjera. Ju kujtohet Xibraka? Edhe aty pati persona VIP të përfshirë. Disa prej tyre kanë investime në industrinë e lojërave të fatit dhe të teknologjisë, në hoteleri dhe në ndërtim. Shpëtuan të gjithë, dosja u mbyll. E pësuan korrierët e vegjët, shoferët dhe punëtorët roje. I njëjti skenar po ndodh edhe në Durrës tani? Do të ishte një lajm i trishtë për të gjithë, me përjashtim të trafikantëve të drogës, të cilët, përmes aktit të tyre kriminal po rrezikojnë edhe të ardhmen integruese të vendit.
E enjte, 1 mars. Ka pasur një debat jo etik midis një personi që punon në media e ndaj quhet gazetar dhe një personi që merret me politikë dhe ndaj quhet politikan. Fjala “debat” është shprehje e kulturuar, sepse midis tyre kishte gjithçka tjetër përveçse debat. Secili akuzoi njëri tjetrin për krime dhe secili u përbetua se do vazhdojë përballjen. Rasti solli hapjen e debatit për median e politikën. A janë gazetarët të kërcënuar? A kërcënojnë politikanët? Në fakt debati duhet të ishte tjetër: a kemi gazetari dhe cilët quhen gazetarë? Sepse unë njoh shumë prej tyre që kanë njërën këmbë në biznese pallatesh, fshatrash turistikë, gjobëvënie dhe tjetrën e mbajnë përpara kameras apo kompjuterit. Siç njoh disa politikanë që kanë lidhje me krimin, janë produkt i tij, jetojnë përmes shantazhit e korrupsionit dhe që gjysmën e ditës e kalojnë duke “bërë politikë”, që në shqip d.m.th, duke sharë, akuzuar e denigruar të tjerët që mendojnë ndryshe. Nuk ka rëndësi cili pati më pak të drejtë dhe më shumë faj dhe as nuk është rasti për tu rreshtuar me njërën palë, por për të ngritur zërin me të madhe për nevojën jetike që vetingu, kjo fjalë e artë e kohëve të zymta që jetojmë, të përfshijë jo vetëm 800 gjyqtarët e prokurorët, por edhe 80 biznesmenët e medias dhe 80 politikanët që kanë fituar e ushtruar pushtet përmes skandaleve, korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Kjo po, do të ishte një çështje që ia vlen të flasim dhe ia vlen ta mbështetim, të tjerat pa të, janë veçse një seri tjetër 3 ditore në serialin e gjatë të tranzicionit.
E premte 2 mars. 2018 është viti i Skënderbeut. Është vendim zyrtar. Dhe me emrin e Skënderbeut janë të lidhura disa ngjarje me rëndësi, ku primare është Lidhja e Lezhës, 2.3.1444. Po prisja atë ditë të shikoja çfarë aktivitetesh do zhvilloheshin për Lidhjen e famshme, e cila vuri themelet e memories shtetërore e kombëtare. Në Tiranë asnjë aktivitet. As deklaratë, as konferencë, as ekspozitë, as debat në TV, as shënim në FB e Twitter nga udhëheqësit tanë, të cilët komentojnë me pasion edhe ndeshjet e kampionatit italian. Në Lezhë pati një aktivitet, falë bashkisë lokale. Kaq. Asnjë ambasador i rëndësishëm, as personalitete të rëndësishme. Përse? Sepse tradita sipas të cilës politika merr vendime në fundin në axhendës ditore dhe nuk është serioze në mbajtjen e premtimeve, vijon të jetë dominuese. Sepse retorika shtetërore mbi Skënderbeun nuk lidhet me të, por me tërheqjen e vëmendjes nga problemet e ditës dhe sepse Skënderbeu ka bërë gjithçka që të sotmit nuk kanë bërë, – madje disa trashëgimi të tij edhe po i zhbëjnë. Çfarë po bëhet me kalanë e Skënderbeut në Rodon? Asgjë. Po me objekte të tjera historike me simbolikën e tij? Asgjë. Po me dhjetëra kërkime shkencore që presin prej vitesh dritën e botimit? Ende asgjë. Paratë i duam për palmat dhe nëse bën ngrohtë, për palma të reja, për beton, për sheshe dhe kulla. Për libra nuk ka para, për shkencë jo që jo. Sepse pasioni i atyre që na qeverisnin dhe na qeverisin nuk janë librat, dija e shkenca, por kulla, betoni, palmat dhe sheshet.
E shtunë 3 mars. Kam lexuar pesë komunikatat e fundit të policisë mbi arrestimet në disa grupe që prodhojnë, strehojnë, transportojnë e trafikojnë lëndë narkotive. Policia jep moshën e tyre dhe e kupton se kemi të bëjmë me mosha shumë të reja rreth 20 vjeçar dhe mosha që sapo kanë krijuar familje, më pak se 40 vjeçar. Dhe mendimi i vetëm që më vjen nuk është as lajmi dhe as kanabisi, të cilin e lejuan dhe bashkëfajtorë janë po aq ata që paguhen me taksat tona për ta ndaluar, – por fenomeni. Çfarë po ndodh me familjen shqiptare? Si mundet që po krijojmë një brez të lindur në fillim të viteve ’90 të aftë të hyjë në jetë me shkelje ligjore? Si është e mundur që vetëm në një burg italian në jug përballë Vlorës tonë kemi rreth 280 të burgosur për lëndë narkotike, shumica e tyre të rinj ose familjarë? Çfarë familje do të arrijnë të krijojnë ata? Çfarë mësimi e trashëgimie u lënë fëmijëve? Çfarë modeli po përcjellin? Cilat do jenë pasojat e nesërme kur numri i atyre të përfshirë me akte kriminale e lëndë narkotike të jetë më i madh sesa numri i mësuesve, edukatorëve, profesorëve në kopshte, shkolla e universitete? Ata në qeveri na thonë se statistikisht punët janë mirë, por jeta nuk është statistikë, vlerat nuk janë statistikë, shoqëria nuk është statistikë. Ky problem është treguesi më dëshpërues i krizës së familjes, krizës së shoqërisë dhe krizës së tranzicionit. Dhe pasojat nuk janë ato që sot lexojmë e shohim, – do jenë shumë më negative në të ardhmen, në familjet pa familje dhe në një shoqëri ku një pjesë e madhe e kryefamiljarëve të ardhshëm do kenë frikë të flasin për të kaluarën e tyre.
Leave a Reply