David Hearst, Middle East Eye/
Muhamed bin Zayed (princi i kurorës së Emirateve të Bashukara Arabe), i cili konsiderohet një Darth Vader (personazh imagjinar tek filmi Star Wars) i Lindjes së Mesme, ka në plan të krijojë një Perandori Galaktike “të shteteve të moderuara islamike”, liberale në emër por policore në praktikë, që të gjithë të përfundojnë duke paguar haraç për Death Star, Abu Dhabin. Trajnerët ushtarakë të Emirateve sapo janë dëbuar nga Somalia, pasi 9.6 milion dollarë u konfiskuan në një aeroplan emiratas. Planet e princit të kurorës për të krijuar një varg portesh përgjatë Oqeanit Indian, përfshirë Berbera në Somalilandin e shkëputur, kanë marrë si rezultat një goditje të rëndë. Planet e tij për Libinë nuk po ecin më mirë. Marshalli i vetë-emëruar i fushës, Khalifa Haftar, u kthye i çalë në shtëpi pas një mungese të zgjatur në një spital në Paris. Ai është raportuar të ketë kancer në mushkëri që i ka shkaktuar metastazë edhe në tru.
Në vijën e zjarrit
Nga ana tjetër, armiqtë e Haftarit janë me shëndet të fortë. Udhëheqësit e dy qytetshteteve ndërluftuese, Misrata dhe Zintan, janë pajtuar. (Zintanët përfaqësonin shansin më të mirë të Haftarit për të vendosur një prani ushtarake në Libinë perëndimore). Dhe një nga kundërshtarët më të shquar të Haftarit, që kryesonte anëtarin e Vëllazërisë Myslimane Khalid Al Mishri, sapo është votuar si kreu i Këshillit të Lartë të Shtetit. Lufta në Jemen vazhdon të bluajë. Ambasadori saudit në Uashington, Princi Khaled bin Selman, një ish-pilot luftarak, pohoi në një “tweet” se vëllai i tij më i madh Princi i Kurorës Muhamed bin Selman, kishte urdhëruar sulmin që vrau Salah Al Sammad, kreun e Lartë i Këshillit Politik Houthi (rebelët e Jemenit). Por nuk është diçka e zgjuar të flasësh për këtë vrasje. Dy grupe, Houthi dhe krahu shia proiranian në Irak, janë zotuar të marrin hak për vdekjen e udhëheqësit të tyre duke vrarë anëtarët e familjes mbretërore saudite. Bin Selmani, i cili është gjithashtu ministri i mbrojtjes që filloi luftën “rrufe” kundër Jemenit, është i pari në listë. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai tani udhëton me tre unaza truprojesh.
Më gjerësisht, ndërhyrja Saudite-Emiratase ka kohë që e ka humbur edhe mbështetjen e atyre jemenasve që i ftuan në vendin e tyre dhe që duhet të ishin aleatët e tyre natyrorë. Presidenti në mërgim i Jemenit, Abd Rabbuh Mansour Hadi, është bërë de facto i vetëburgosur në pallatet e Riadit. Ai u detyrua të nënshkruante një dokument që pranon “formimin e një komiteti trepalësh” me Saudinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe “për të marrë pjesë në menaxhimin e situatës së vendit të tij”. Raporte si këto duket se konfirmojnë pikëpamjen e Jemenit se lufta që duhej të ishte për “çlirim” tashmë është shndërruar në luftë pushtimi. Hadi sapo kishte humbur një betejë pushteti me milicitë e kontrolluara nga Emiratet për kontrollin e aeroportit të Adenit. Më pas u poshtërua edhe më keq kur ai (Hadi) dhe menaxheri i zyrës së tij Abdullah Al Alimi, u transferuan në një dhomë me një krevat divan, dy kolltuqe dhe pa batanije për 24 orë, pas takimit me mbretin në rezidencën e tij.
Shpenzime të keqllogaritura
Çuditërisht, zhgënjimi më i madh i bin Zayed dhe vlerësimi i gabuar i tij më i shtrenjtë mund të rezultojë të jetë asnjë nga këto: Somalia, Libia apo Jemeni. Ai ende mund të humbasë bastin më thelbësor që ka vendosur: vetë Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Bin Zayed e zbuloi Trump-in herët në fushatën presidenciale amerikane, kur Hillary Clinton ishte ende më e preferuara në garë.
Clinton kishte shumë eksperiencë të gjatë në politikën e jashtme që nuk i interesonte Emirateve. Ata kishin nevojë për një rishtar agresiv, një faqe vërtet bosh në të cilën dikush i shpejtë dhe i pasur mund të diktonte skenarin. Kështu që Trump ishte një mundësi që Emiratasit nuk mund ta humbnin. Bin Zayed tërhoqi me vete edhe një rishtar tjetër – një princ i ri, Bin Selman, i cili më pas u bë princi i kurorës saudit – dhe në fund të vitit 2015 e mori atë në një udhëtim kampingu me shqiponja në shkretëtirë, ekuivalenti i një raundi golfi. Të dy u panë në një jaht me manjatin libanezo-amerikan George Nader, i përdorur nga administratat e njëpasnjëshme amerikane për të ridimensionuar rajonin (Lindjen e Mesme).
Bin Zayed e udhëzoi Bin Selmanin se çfarë duhej të bënte për t’u bërë mbret. Mësuesi makiavelian dinte si të ushqente ambiciet e një princi të uritur për pushtet. Bin Zayed e prezantoi bin Selmanin në Izrael, pastaj dhe në familjen e Trumpit, dhe e promovoi atë në Uashington, duke përdorur ambasadorin e tij të aftë dhe hiperaktiv Youssef Al Otaiba. Kjo ndodhi kur kushëriri i vjetër i tij (i Bin Selmanit), Muhamed bin Nayef, ishte ende brum i krijimit të inteligjencës amerikane. Otaiba arriti me sukses ta shkatërrojë reputacionin e bin Nayef.
Vizita vonuar
Dy princat e kurorave shpenzuan literalisht një pasuri të tërë për të blerë favoret e Trumpit – deri 500 miliardë dollarë në kontrata mbrojtjeje për dekadën e ardhshme vetëm nga Saudia.
E gjithë kjo duhej të kulmonte në një seri vizitash mbretërore në Uashington, nga të cilat bin Zayed u pozicionua si i fundit. Ishte planifikuar të shkonte në fund të Prillit, por tanimë është konfirmuar shtyrja e kësaj vizite. Larg nga të qenit fazë në të cilën Bin Zayed dhe Bin Selman mund të mbajnë, SHBA-ja nuk duket se po gjen terren të fortë për të manovruar. Është mjaft e vërtetë që mediat masive janë të lehta për tu mashtruar. Think-tanket në Uashington janë gjithashtu të korruptueshme dhe dukshëm të bleshme. Por kur blen Trumpin, gjithashtu duhet edhe të bëhesh palë e interesuar në betejat ku angazhohet ai. Bile shumë kohë para se të dalin “armiqtë” e tij.
Unë e kuptoj se Bin Zayed po kërkon një garanci me shkrim se as ai e as shoqëruesi i tij (Bin Selman) nuk do të ndalohen për t’u marrë në pyetje nga prokurori special Robert Mueller rreth hetimit për financimin e paligjshëm të fushatës zgjedhore të Trumpit. Mueller ka informacion të brendshëm rreth marrëdhënieve të së shkuarës së bin Zayed me Nader, një ish-këshilltar i Bin Zayed. Bin Zayed dëshiron të shmangë anatomitë ligjore të mëtejshme që New York Times mund të prodhojë.
Leave a Reply