SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (X)
E hënë, 2 prill. Java “kuksiane” nisi me arrestimet kolektive natën dhe vijoi me debate të forta në dyert e gjykatave. Sjellja e të arrestuarve në Tiranë solli edhe krizën politike në Tiranë. Nuk pati festë normale Pashkësh dhe as urime politikanësh për paqe, dashuri e punë të mira, por deklarata kërcënuese e denigruese ndaj njeri tjetrit, tipare të njerëzve që besimin në Zot e kanë dytësore dhe besimin në pushtetin personal e kanë parësore. E hëna duhet të harrohet për shumë arsye: sepse gjyqi ishte farse, hetimi ishte farse, protesta e ca deputetëve në komisariate policie ishte farse, akuza e policisë ndaj protestuesve të shoqërisë civile ishte farse, kërcënimi i kryeministrit ndaj medias e protestuesve ishte farse, shantazhi oligark i dhomave të biznesit ishte farse, konferenca e shtypit e ministrit Gjiknuri ishte farse. Të gjithë në vendin e gabuar, me fjalët e gabuara dhe me vendime të gabuara. Ka pasur një ide se kryeministri u dobësua nga protesta dhe u dorëzua prej saj. E kanë gabim. Ai fitoi kohë dhe kaq. Sapo të kalojë java kuksiane ai do të jetë më i ashpër, më arrogant, më pak transparent, madje edhe tallës me ata që ishin kundër tij; Kukësi e kuksianët do të harrohen, kritikët do të ulen në numër, oligarkët do ri-bashkohen për koncesione e taksa të tjera të reja, dhe i gjithë sistemi i tij do të bëhet edhe më i korruptuar, më i mbyllur dhe më kontrollues ndaj shoqërisë. Është tipar i modeleve politike të llojit të tij, e drejtuesve politikë të llojit të tij, e mentaliteteve të politikanëve si ai dhe e vendeve me dominim oriental si Shqipëria.
E marte, 3 prill. Në Shqipëri zhvilloi një konferencë PES grupimi i partive të majta evropiane. E drejton ish kryeministri bullgar, Stanishev, babai i të cilit ishte anëtar në Byronë Politike të PK Bullgare përpara 1990. Stanishev sot është pro evropian dhe mbështetës i kauzave sociale e socialdemokrate. Lajmi për Shqipërinë? Pati dy, një zyrtar dhe një jo zyrtar. Lajmi zyrtar është se të gjithë pjesëmarrësit mbështetësin aplikimin e Shqipërisë për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE dhe ky është lajm i mirë në një kohë të vështirë. Lajmi jo zyrtar është se Byroja e PES shprehu shqetësimin se e majta shqiptare nuk po sillet si e majtë, të varfrit dhe njerëzit në nevojë janë viktimat e modelit qeverisës dhe se suksesi i vitit 2013 në imponimin e koalicionit PS-LSI është përmbysur. Ditët e ardhshme e djathta evropiane do të ketë një pritje me krerët e lartë të PD për çështjen e integrimit dhe një mbështetje e saj është përcaktuese për vendimmarrjen politike në qershor mbi Shqipërinë.
E mërkurë, 3 prill. “Nuk ka kuptim një opozitë që nuk proteston” shkruante në rrjetet sociale më 2011 kryeministri i sotëm Rama, atëherë në opozitë. Tani kryeministri nuk është mbështetës i protestave dhe i sheh ato si kërcënime për sigurinë e demokracinë. Madje ministri i brendshëm shkoi aq larg sa tha se protestat e kriza kanë sponsorizim të jashtëm, një deklaratë që kishte sens vetëm deri më 1992. Në fakt opozita protestoi duke përfituar nga situata dhe “dhurata kuksiane”. Nuk pati risi dhe as lajm në reagimin e saj. Nuk bllokoi hyrjen në parlament të kupolës politike kundër së cilës është, por bllokoi hyrjen në Tiranë të qyteteve të tjera. Nuk ishte as zgjidhja e duhur dhe as pritshmëria që qytetarët kanë nga opozita. Nuk pati padi në gjykata, nisma në parlament dhe as sjellje institucione, sepse kjo mund të çonte në konflikt me oligarkët. Opozita do konflikt me qeverinë, jo me oligarkët. Ata janë të përbashkët. Problemi më i madh i politikës tonë në vite nuk ka qenë aftësia për të penguar apo dëmtuar tjetrin apo aftësia për ta denigruar atë, por aftësia për të ofruar të ardhme dhe për të ndryshuar gjendjen. Ka edhe një ironi të madhe por edhe fyese për intelektin e çdo qytetari: nëse hapim arkivat e shohim çfarë thonin ata që sot janë në pushtet ditët kur ishin vetë në opozitë e protesta rruge, apo e kundërta, ata që sot janë në opozitë me ato që thonin të njëjtët 8 vitet kur ishin në pushtet, kuptohet se nuk kemi të bëjmë me politikë dhe politikanë, por me treg individësh manipulues, pa identitet, pa vlera qytetare dhe pa sens mase dhe as përgjegjësie.
E enjte, 4 prill. Kuvendi miratoi Kodin e Etikës. Ka dy risi, – kërkon më shumë etikë parlamentare dhe mbi të gjitha krijon mekanizëm aktiv kundër konfliktit të interesit nga vetë deputetët. OSBE e quajti lajm pozitiv për Shqipërinë. Në fakt mjaftuan dy ditët në vijim për të parë e kuptuar se sado kode etike të votohen e miratohen, shumica e atyre që marrin rrogën si deputetët tanë sillen, flasin, veprojnë, votojnë, komunikojnë e mendojnë kundër çdo parimi etik. Lexoni deklaratat e ca deputetëve të mazhorancës kundër protestuesve apo opozitës. Njëri prej tyre me 8 mandate parlamentare e cilësonte opozitën “vrasës, kusarë, ordinerë, katundarë” e terma të tjerë që edhe tek pijetoret e lagjes kanë standard më të lartë përdorimi. Lexoni disa deputetë të opozitës, sidomos ca të pasur që librin e fundit që kanë lexuar daton në kohën e shkollës, që flasin me gjuhë rruge kundër çdo kritiku, çdo zyrtari dhe çdo diplomati. Lexoni deklaratat e shefit të grupit të PS dhe ish shefit të grupit të PD, janë vetë shkelës të çdo etike komunikimi njerëzor, politik e institucional. Mësimi? Shumë prej deputetëve tanë, përfshirë kryeministri dhe ish kryeministri dhe ithtarët e tyre të pasur që janë emëruar në lista, kanë nevojë ti rikthehen edukatës morale në klasën e tretë dhe të katërt, të mësojnë se çfarë është respekti, çfarë është etika, çfarë është komunikimi, çfarë është shoqëria, çfarë është shteti, çfarë është demokracia, çfarë është qytetaria dhe çfarë është përgjegjësia publike e personale.
E premte 5 prill. Vitore Tusha është gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese. Do të hyjë në historinë tonë moderne si gjyqtarja e parë që kaloi vetingun. Nuk ishte çështje shansi, por çështje standardi dhe merite. Ajo ka qenë gjatë në sistem por ka zgjedhur të mos jetë e pasur me paratë e tjetrit, të mos abuzojë me ligjin, të merret me librin madje të gjejë kohën të jetë në auditore universitare, të qëndrojë larg partive dhe ta pranojë e ushtrojë detyrën me solemnitetin që ajo kërkon. Kalimi me sukses i Vitores nuk është sukses personal, por edhe tregues se në sistemin e drejtësisë nuk janë të gjithë njësoj dhe se përgjegjësia është individuale. Duhet të mësohemi me procesin, – një ikën, një qëndron dhe mbi të gjitha, secili bazuar në fakte dhe merita. Në fund të fundit, kjo ishte pritshmëria nga vetingu. A jemi mjaftueshëm? Ende jo. Së pari, sepse procesi po ecën ngadalë. Tri javë tre emra. A duhet të presim 77 javë për 77 emrat që janë në proces? Një vit e gjysëm? Do ishte absurde. Sepse me këtë llogari për mbi 800 emra do na duheshin të paktën 15 vjet.
E shtunë 6 prill. Disa individë aktiv të shoqërisë civile lajmëruan për protestë dhe e zhvilluan atë. Ky është lajm i mirë në një vend ku shoqëria civile është dukshëm më e dobët sesa pushteti i partive politike. Lajm i mirë edhe se kemi ca djem e vajza që protestojnë kudo ku ka shkelje dhe ku partitë kanë interesat e tyre, nga Veliera në Durrës, tek Armo në Fier, nga Valbona tek armët Kimike, nga importi i plehrave tek taksa e rrugës në Kukës. Janë gati të njëjtët emra. Pyetja është: përse nuk rritet pesha e reagimi i tyre? Ka tri shpjegime. E para sepse shkalla e mobilitetit të partive është shumë më e madhe sesa e shoqërisë civile. E dyta sepse vetë organizatorët nuk kanë arritur të dalin nga 5-6-7 emrat e një rrethi të ngushtë që promovojnë njëri tjetrin duke refuzuar prurjet e tjera (ndonjë prej të cilëve baltosës me pagesë politike në media). E treta sepse publiku ka dilema nëse shoqëria civile ka axhenda politike pas saj. Ka edhe një tipar që nuk thuhet publikisht por që meriton të thuhet: shoqëri civile mund të ketë vetëm në një shoqëri qytetare. Shqipëria nuk është shoqëri qytetare dhe do kohë të arrijë atje. Ajo dominohet ende nga interesat klanore, lokale, klanet dhe demagogët. Megjithatë protesta e të shtunës pati një lajm të mirë: tregoi se ka sensibilitet për çështje etike dhe në favor të të pambrojturit, siç janë protestuesit në Kukës dhe viktimat e arrogancës, dhe se parulla “më arrestoni edhe mua” ishte e gjetur dhe domethënëse./AlpeNews.al
Ky material është ekskluziv i AlpeNews.al, riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plot bëhet vetëm me leje të redaksisë. Faleminderit për mirëkuptimin



Leave a Reply