Sot është dita për të bërë diçka ndryshe, por ç’mund të bësh ndryshe në qytetin e Elbasanit?! E nëse ke ndërmend të shkosh diku, e vetmja gjë e bukur e tërheqëse është kalaja, e ndërtuar para shumë kohësh nga të parët tanë. Por, kjo nuk do të përbënte diçka ndryshe, pasi aty kaloja çdo dit. Vendosa të shkoja ku të më shpinin këmbët, me dëshirën se do të ishte diçka ndryshe.
Vazhdova të ecja, para syve të mi ngriheshin mure të gurtë, shtëpi, biznese madje edhe një kishë, kisha ortodokse. Ngjitur me të ndodhej një ndërtesë dykatëshe ndryshe, jo sepse brenda kalasë nuk kishte shtëpi dykatëshe, por këtu kishte fëmijë. E nëse jemi mësuar të dëgjojmë zhurmë në një ambient me fëmijë, ky vend ishte krejtësisht ndryshe, madje edhe këta fëmijë ishin të tillë. Ata nuk bënin zhurmë, nuk lëshonin asnjë zë, nuk flisnin fjalë, ose ndoshta flisnin, por problemi qëndronte tek ne, nuk i dëgjonim, të paktën un jo. Sapo hapa atë portë të hekurt u gjenda para shumë fëmijëve. Disa luanin me top, disa vizatonin ose më saktë hidhnin në letër disa vija të pakuptimta, disa të tjerë përlesheshin me njëri tjetrin e atje tej, në cep të shkallëve, një fëmijë diku tek 5 vjeç kafshoi ne dorë një grua, e cila nuk e goditi, as e qortoi. Vërtet për tu duartrokitur ky gjest.
Kur ndodhesh përballë ndërtesës lexon me germa kapitale diçka të shkruar qartë, por ndoshta të pakuptimtë për dikë që ishte prezent në një vend të tillë: ZËRA JETE. Zëra?! Në një vend të tillë vetëm zëra nuk dëgjoheshin, kjo shqisë aty ishte e humbur. Ndoshta, pikërisht këtu qëndron madhështia e këtij shkrim
Futem në ndërtesë dhe gjëja e parë që më bie ne sy janë disa fletë shumëngjyrëshe në formë e një luleje, një zemre a të një ylli, krijime të bukura e mbresëlënëse . Diku varur në mur paraqitej një historik i shkurtër: Zëra Jete, kjo shkollë merr këtë emër me kërkesë të drejtorisë së shkollës dhe stafit pedagogjik, me miratim të këshillit të rrethit në dhjetor te vitit 1998. Në mure vareshin edhe shkrime të tjera si:”Autizmi nuk zgjedh”, “Mos u dorëzo” e atje tej ” Bëhu dhe ti blu” . Thënie mjaft goditëse që vizatojnë një tjetër realitet.
Aty përplaseshin dy botë, bota e atyre që flisnin me zë dhe bota e atyre që flisnin pa zë. Ishin shkrirë aq mirë me njëra tjetrën dhe papritur, një buzëqeshje më shfaqet në fytyrë. Hedh shikimin në një dhomë dhe shoh një mësues te rrethuar nga nxënësit e tij, dëgjova sesi ai ngrohte zemrat e këtyre fëmijëve brenda këtyre mureve të akullt. Të akullt e të ftohtë sepse mbanin brenda guaskës së vetmisë ata që ne njerëzit e njejtë i quanim ndryshe.
A janë vërtet të tillë?! Sigurisht që jo, në një botë ku të gjithë janë të njejtë a mund të gjykosh dikë se është ndryshe?
Ndoshta ne i përbuzim i shohim me mëshirë e keqardhje e shpesh mund edhe të qeshim me veprimet e tyre të quajtura nga ne anormale, të qeshim me faktin se janë ndryshe, megjithëse ata kanë arsye më të forta të qeshin me ne: ne jemi njësoj, kopjojmë njëri tjetrin dhe ç’është më e rëndësishmja nuk i vlerësojmë gjërat që kemi.
Më parë kisha dëgjuar për autizmin, për shkaqet e pasojat, por ndoshta shumë pak, me siguri në datën 2 Prill kur në ekranin e Tv shfaqeshin personalitete të njohur, prindër e student që i qëndronin pranë këtyre fëmijëve dhe i mbështesnin, por sa keq që këta fëmijë kujtohen vetëm në një ditë e më pas një mbulesë e lehte pluhuri i lë ata në harresë.
Në rrugët e qytetit me siguri kemi parë fëmijë të tillë që i shmangemi, i druhemi e i trembemi një kafshimi, a thua se ky do ishte vdekjeprurës. Ne i përbuzim, i trajtojmë keq, ua bëjmë më të rëndë e të pisët ajrin e jetës. Vallë sa mund të kushtojë një buzëqeshje, Një përqafim apo një puthje? Kaq e vështirë është të dhurosh dashuri?! E teksa mendoj për këtë fjalë më kujtohen fjalët e Viktor Hygo- së : ” Pikërisht së pari, të uroj dashuri e duke të dashur uroj të të duan” . Dashuria vërtet nuk do ti bënte të flisnin, por do të ngjallte atë botën e cila dukej e vdekur me mijëra zëra që heshtnin. Vdekja, një fjalë që gjithmonë më frikëson, por në këto momente më kujton diçka që kisha lexuar për autizmin: ” Album i brengës më të thellë” kështu e kishte quajtur Edmond Tupja shqetësimin e tij të pambarimtë përmes një libri me poezi që ia kushtoi djalit të tij Gesit, që ishte autik. ” Më fal Fesi im i çmuar që mjerisht nuk arrita dot, pas ëndrrës sime të praruar të ndërtoja krejt të plotë” . Vargje që shprehin gjithë dëshpërimin, vargje të dala nga shpirti të përshkruara nga frika e braktisjes së madhe, nga ikja e fundit, që Gesi nuk do ta kuptonte dot. Vdekja ishte frika e tij më e madhe. Me kë do ta linte Gesin? Çfarë do të bëhet me Gesin dhe Gesat e tjerë të shpërndarë në këtë qendër? Pas vdekjes se prindërve të tyre? Një dilemë kjo më e madhe se ajo Hamletiane.
Kur shoh këta fëmijë më mijëra pyetje me lindin në mendje . . . A mund ti trajtojmë si autik? Në një botë autike që nuk di të flasë për këta fëmijë, vetëm ata nuk mund të quhen autik. E kur nuk munda të bëja asgjë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur vendosa tu largoja. Padyshim, jo si kisha ardhur, kisha marrë me vete një mësim, ndihesha ndryshe dhe po më dilnin lot nga sytë. Në cepin e shkallëve, gruaja me djalin diku tek 5 vjeç ishin sërish aty. I afrohem portës së hekurt dhe çuditërisht ktheva kokën pas, pash që edhe fëmija po me shikonte. Ndoshta mund të bëna diçka. . . papritur e gjej veten duke e përqafuar. Dhe ai më kishte hedhur duart mbi shpinë. Pash që në sytë e tij kishte fjalë që lotonin e lot që flisnin.
E ashtu mes lotësh largohem, duke lënë pas shumë lot që rrjedhin e nuk fshihen nga askush. Duke vazhduar rrugën për ne bulevardin kryesor ndjej se kisha lënë pas një tjetër botë, një lëndinë me lule në xhunglën e quajtur jetë, me mijëra imazhe, gjeste e fjalë që flisnin më tepër, FJALË PA ZË.
Leave a Reply