Procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka filluar dhe tashmë vëmendja publike është përqendruar tek seancat e para dëgjimore që po zhvillon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (organi kushtetues i vettingut në shkallë të parë). Të parët që po thirren në këto seanca janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që salla ku po zhvillohen seancat dëgjimore, garanton akses të gjerë të publikut dhe medias.
Roli dhe pjesëmarrja e publikut në procesin e vettingut është e një rëndësie të veçantë që e ka burimin tek misioni i këtij procesi të jashtëzakonshëm dhe kalimtar, që pritet të rikthejë besimin e shtetasve në sistemin e drejtësisë në vend. Ndaj legjislatori e ka instrumentalizuar rolin e publikut në procesin e vettingut në dy drejtime kryesore.
Së pari, çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me aftësitë profesionale, pasuritë dhe lidhjet me krimin e organizuar të gjyqtarëve/prokurorëve ka të drejtë të informojë drejtpërdrejti institucionet kushtetuese të vettingut. Së dyti, personi që ka korruptuar gjyqtarin ose prokurorin,mund ti jepet statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë që i siguron atij/asaj mbrojtje nga ndjekja penale për korrupsionin aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit.
Por cilat janë vështirësitë e deritanishme që kanë qytetarët për të kontribuar në procesin e vettingut me këto instrumenta dhe si mund të kapërcehen ato?
Sa i takon instrumentit të parë (denoncimit të fakteve ose rrethanave për pasuritë, aftësitë profesionale dhe figurën e njerëzve të drejtësisë), me anë të një njoftimi për shtyp të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK)deklarohet se është administruar deri në fillim të këtij viti, një numër i lartë ankesash të qytetarëve, rreth 360 ankesa. Megjithatë, sipas KPK-së, qytetarët kanë paraqitur të njëjtat argumente me të cilat janë mbrojtur edhe në gjykatë, ose kanë dorëzuar thjesht vendimet e gjykatave të cilësuara prej tyre si të padrejta. KPK sqaron për publikun se nuk është një instancë që rishikon vendimet gjyqësore. Edhe pse argumenti i KPK-së qëndron, duhet të kemi në konsideratë se roli dhe kontributi i publikut në këtë proces është i kufizuar për disa arsye.
Së pari, është e kuptueshme që ajo çka qytetarët disponojnë për të raportuar pranë institucioneve të vettingut lidhet me përvojat e tyre jo të mira, sa i takon çështjeve të hetuara dhe/ose të gjykuara. Praktikisht, faktet dhe rrethanat që qytetarët disponojnë lidhen pikërisht me këto çështje. Qytetarët nuk janë gazetarë investigativë. Së dyti vetë legjislatori ka qenë i ndërgjegjshëm sa i takon rolit të publikut në këtë proces, pasi mënyra se si është formuluar neni 53, pika 1 e ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingut), nuk kërkon që faktet ose rrethanat e denoncuara nga publiku të jenë detyrimisht në formën e kërkuar nga ligji procedural, para provës. Kujdesi që ka treguar legjislatori lidhur me këtë kontribut të publikut vihet re në formulimin “fakte ose rrethana që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit”. Pavarësisht se institucionet e vettingut nuk e kanë atributin për të rishikuar vendime gjyqësore, faktet ose rrethanat e denoncuara nga publiku për përvojat e tyre me gjykatën dhe prokurorinë janë burim i rëndësishëm lidhur me komponentin e aftësive profesionale të gjyqtarëve/ prokurorëve Kjo vihet re në një sërë dispozitash të ligjit të vettingut e më konkretisht në nenin 43, pika 4 të ligjit, ku thuhet shprehimisht se nëse relatori i trupës së çështjes së vettingut, vihet në dijeni nga shtetasit/publiku mbi fakte të besueshme për punën e subjektit të rivlerësimit, ai mundtë vazhdojë procesin e rivlerësimit të aftësive profesionale.
Tri janë nivelet e aftësive profesionale për të cilat konkludohet në përfundim të procesit. Niveli i parë dhe që është plotësisht kalues për këtë komponent është “I aftë”. Niveli i dytë që është gjysmë kalues për këtë komponent është “me mangësi” dhe në këtë rast gjyqtari/prokurori duhet të ndjekë një program trajnimi pranë Shkollës së Magjistraturës për të plotësuar këto mangësi, brenda një viti. Niveli i tretë jo kalues për këtë komponent është”i papërshtatshëm”.
Praktikisht, se çfarë duhet të raportojë publiku lidhur me aftësitë profesionale është përshkruar pikërisht në nenin 44 të ligjit të vettingut, përkatësisht, cilësia e dobët e punës, vendime gjyqësore me arsyetim të dobët apo mungesë të arsyetimit logjik, mosrespektimi i të drejtave procedurale të palëve në procesin gjyqësor (si psh deklaratat e tyre me shkrim nuk janë administruar në dosje, kërkesat e tyre për marrjen e provave nuk janë marrë parasysh ose janë neglizhuar pa shkak ligjor) ose kur ka pasur gjykim jo efektiv si p.sh kanë ndodhur disa shtyrje pa ndonjë arsye dhe janë zhvilluar seanca gjyqësore të papërgatitura që çojnë në shtyrje të mëtejshme. Shtyrjet e njëpasnjëshme të seancave me tendencë zvarritje apo mosrespektimi i afateve të arsyeshme të hetimit apo gjykimit është vlerësuar në studime të ndryshme si indikator potencial i marrjes së ryshfeteve apo i korruptimit të njerëzve të drejtësisë. Në të gjithë këtë proces të raportimit të fakteve nga publiku, fokusi i qytetarëve nuk duhet të përqendrohet në çështje të tilla nëse është dënuar ose jo fajtori, nëse fajtori ka marrë ose jo dënimin e merituar, nëse është njohur ose jo e drejta e pronës, etj, por në qendër të raportimit të publikut duhet të jenë kryesisht shkeljet me natyrë procedurale të gjyqtarëve apo prokurorëve.
Sipas nenit 45, pika 1 të ligjit të vettingut, anëtarët e KPK-së, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit. Kjo dispozitë i jep organeve kushtetuese të vettingut një rol proaktiv edhe në drejtim të hetimit dhe vlerësimit edhe të fakteve që denoncohen nga publiku por për të cilat ky i fundit nuk disponon prova në kuptimin procedural. Kjo do të thotë që fakte dhe rrethana që mund të denoncohen nga publiku edhe për dy komponentët e tjerë të vettingut sikurse është pasuria apo lidhjet me krimin e organizuar të gjyqtarëve apo prokurorëve, mund të hetohen në rrugë administrative nga institucionet e vettingut, në sajë të aksesit tepër të gjerë që këto organe kanë në informacion dhe detyrimit që kanë institucionet apo çdo person tjetër për tua vënë në dispozicion.
Sipas nenit 50 të ligjit të vettingut, institucionet e vettingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë bashkëpunojnë me organet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj,si dhe kanë akses në një bazë të larmishme të dhënash, duke përfshirë këtu të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme, llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet, të dhënat për hyrje-daljet në kufi, të dhënat mbi të drejta ose interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm ose i paluajtshëm, i trupëzuar ose i patrupëzuar, material ose jo material, të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi, të dhënat që provojnë ekzistencën e trusteve ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme, etj.
Roli proaktiv i institucioneve të vettingut në verifikimin dhe hetimin e rrethanave dhe fakteve të besueshme të publikut, do ti vinte në ndihmë qytetarëve kur kanë vështirësi për ti dokumentuar apo provuar ato. Hetimi i mëtejshëm administrative i këtyre të dhënave do të përçonte besimin tek publiku për punën dhe angazhimin maksimal të institucioneve të vettingut që është shumë i rëndësishëm përgjatë gjithë periudhës së funksionimit të tyre.
Lidhur me instrumentin e dytë të përfshirjes së publikut në procesin e vettingut, mungojnë të dhënat zyrtare nëse ka ose jo persona të cilët kanë fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë rrjedhimisht nëse kanë denoncuar praktikat korruptive me gjyqtarët/prokurorët në kuadër të vettingut. Është pikërisht prokurori pranë zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit që mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, personit që shprehvullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe gjyqtarit ose prokurorit. Mungesa e bashkëpunëtorëve të drejtësisë në kuadër të vettingut mund të ketë ardhur edhe për shkak të vonesave që kanë ndikuar në mos ngritjen në kohë të prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri në ngritjen dhe funksionimin e prokurorisë së posaçme, kompetenca për të dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë i takon prokurorisë së krimeve të rënda.
Gjithashtu, korrupsioni është i vështirë të raportohet dhe të zbulohet, pasi në kushtet në të cilat është konkretizuar denoncimi i këtyre rasteve në ligjin e vettingut, të dyja palët mund të kenë kryer vepër penale, konkretisht me elementë të korrupsionit aktiv tek publiku dhe të korrupsionit pasiv tek zyrtarët e drejtësisë. Për më tepër, nëse qytetarët kanë paguar për të marrë drejtësi, interesi për të denoncuar praktikat korruptive është relativisht i ulët pasi kjo mund të krijonte shqetësime tek ta në disa aspekte, për të çështjen që kanë fituar ata vetë apo familjarët/të afërmit e tyre por edhe në drejtim të pasojave që mund të vijnë për praktikën korruptive që denoncohet. Që të funksionojë skema e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ata duhet të kenë garanci të forta ligjore konform nenit 54 të ligjit të vettingut që nuk do të procedohen penalisht që nuk do të viktimizohen dhe se shuma që kanë paguar për njerëzit e drejtësisë do tu kthehet mbrapsht. Për të krijuar besim tek qytetarët në efikasitetin e kësaj skeme duhet që ajo të funksionojë dhe të sjellë rezultate pozitive për bashkëpunëtorët e parë të drejtësisë dhe impaktin që ka pasur kjo skemë në rezultatet e procesit të vettingut gjithashtu.
Të dyja instrumentet e pjesëmarrjes dhe përfshirjes së publikut gjatë zbatimit të vettingut janë shumë të rëndësishme jo vetëm sa i takon krijimit të besimit të qytetarëve të zhgënjyer nga drejtësia tek rezultatet e vettingut, por në të njëjtën kohë, ato i mundësojnë organeve kushtetuese të vettingut të njihen me të dhëna dhe informacione, të cilat do të ishin të vështira apo pothuajse të pamundura të zbuloheshin në kuadër të një hetimi administrativ apo të bashkëpunimit që këto organe kanë me agjencitë e tjera ligjzbatuese të specializuara. Jetësimi i këtyre instrumenteve kërkon angazhim maksimal dhe profesional të institucioneve të vettingut si dhe transparence, duke mbrojtur privatësinë dhe konfidencialitetin e personave në radhët e publikut që kontribuojnë në procesin e vettingut.
* ERIDA SKËNDAJ, avokate, Drejtore Ekzekutive (Komiteti Shqiptar i Helsinkit)
Leave a Reply