Nuk e kam fjalën këtu për kapitullin e ndonjë libri interesant, por për një kapitull të një dosjeje, e cila quhet Acquis chapter dhe që përbëhet nga 35 kapituj. Është fjala për dosjen që ka përgatitur Bashkimi Europian për të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në të. Hapja e bisedimeve për anëtarësim apo hapja e negociatave, që Shqipëria po e kërkon sot, ka të bëjë me bisedime dhe negociata për këta 35 kapituj, që përfshijnë të gjitha fushat e mundshme të jetës dhe veprimtarisë së një shteti dhe banorëve të tij.
Fjala “Acquis” do të thotë “që është kërkuar për t’u bërë”, ndërsa fjala “chapter” do të thotë “kapitull”. Dhe kapitulli nr. 26 i kësaj dosjeje ka të bëjë me arsimin dhe kulturën. Fakti që ka një kapitull të veçantë që e ka si temë kulturën, krahas arsimit (të dyja janë në fakt komplementare), tregon se sa e rëndësishme është kultura në procesin e integrimit europian. Aq të rëndësishme e shohin kulturën zyrtarët e BE që kanë përgatitur dosjen me 35 kapituj, saqë kapitullin që ka të bëjë me kulturën e kanë vënë para, fjala vjen e kapitullit nr. 28 që ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit dhe të shëndetit. Kjo do të thotë se në vizionin europian mbrojtja e individit si konsumator i kulturës së shëndetshme është më e rëndësishme se mbrojtja e konsumatorit në përgjithësi, si dhe e shëndetit të tij.
Arsyeja është se njeriu-konsumator, ha, vishet, kujdeset për shëndetin, domethënë ble mallrat përkatëse, me qëllim që të gëzojë shëndet të mirë që të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht për t’ u arsimuar, për t’ u kulturuar që pastaj të mund të punojë për veten dhe për komunitetin. Kjo renditje e kapitujve është bërë mbi bazën e logjikës se investimi në kulturë është investim i tërthortë edhe në fusha të tjera të rëndësishme, ku do të harxhohen më pak para nëse do të kemi njerëz të përgjegjshëm.
Kapitulli për kulturën madje është edhe para atij për mjedisin dhe ndryshimet klimatike (kapitulli nr. 27) dhe këtu ka një logjikë. Njeriu i mirarsimuar dhe i kulturuar e kupton mirë rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe seriozitetin e çështjes së ndryshimeve klimatike. Edhe kjo renditje e kapitujve është bërë mbi bazën e logjikës se investimi në kulturë është investim i tërthortë për mjedisin dhe për të frenuar ndryshimet e padëshirueshme klimatike, pasi njerëzit e kulturuar janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre çështjeve.
Mund t’ju duket e çuditshme, por kapitulli për kulturën është renditur para kapitullit me temë “Siguria dhe politikat e mbrojtjes dhe të sigurisë”, që është kapitulli nr. 31. Arsyeja?! Nëse kemi njerëz të mirarsimuar dhe të kulturuar zbatohen më lehtë politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kapitulli për kulturën është madje edhe para atij për institucionet (kapitulli nr. 34), megjithëse dihet rëndësia që i jep BE ndërtimit të institucioneve. Edhe këtu vepron e njëjta arsye. Nëse kemi njerëz të mirarsimuar dhe të kulturuar kjo përbën një garanci për themelet dhe qëndrueshmërinë e institucioneve.
Mund të duket paradoksale që para kapitullit për arsimin dhe kulturën gjenden kapituj të tillë si ata për legjislacionin e biznesit, por në hapësirën e nismës së lirë ekonomike që është BE, kultura si veprimtari është edhe biznes dhe deri diku funksionon si biznes. Në të vërtetë këta kapituj përmbajnë çështje të domosdoshme për atë që mund ta quajmë si logjistika e kulturës.
Kur i bën një lexim integral dokumentit e kupton se edhe para kapitullit nr. 26 ka shumë kapituj të cilët përmbajnë çështje që janë në funksion të zhvillimit të arsimit dhe të kulturës. I tillë është fjala vjen kapitulli nr. 7 për pronësinë intelektuale apo edhe kapitulli nr. 10 për shoqërinë e informacionit dhe të medias, sa për të përmendur vetëm disa. Nuk mund të ketë kulturë, si veprimtari pa u garantuar pronësia intelektuale dhe as pa patur shërbimet e një shoqërie të zhvilluar të informacionit.
A e kupton rëndësinë e kulturës politika dhe qeveria jonë, sipas logjikës së këtij dokumenti të BE-së? Për fat të keq, pavarësisht se cila parti është në pushtet, qeveritë tona nuk e kanë këtë vetëdije europiane për zhvillimin e kulturës. Ata janë larg, shumë larg edhe vizioneve kulturore dhe arsimore të rilindasve tanë europianë të cilët në programet e tyre shkuarjen e Shqipërisë në dyert e Europës e shikonin të mundur vetëm nëpërmjet zhvillimit intensiv kulturor. Për këtë mjafton të shikosh se sa para jepen për kulturën në buxhetet vjetore qeveritare, duke përfituar nga to shumë pak kultura e mirëfilltë.
Në kohën që shpresohet për hapjen e negociatave me BE për 34 kapitujt, ne akoma vazhdojmë të kemi në fuqi ligje jo shumë të favorshme për librin (dhe këtu kam parasysh ligjin e subvencioneve kulturore ku libri nuk favorizohet aspak). Çfarë presim? Që gjatë negociatave të na tërheqë vërejtjen BE për to dhe kështu të zgjatet procesi i anëtarësimit në BE kurdo që të ndodhë?
Është fakt se qeveritë tona ende u japin ministrive përkatëse për librin shumë herë më pak se qeveritë e vendeve të BE-së, dhe këtu fjalën e kam në përpjesëtim me buxhetet përkatëse. Në vendet e BE-së investohet për libra që përbëjnë themele të kulturës europiane, për libra që kanë të bëjnë me kulme kulturore dhe filozofike nga historia e qytetërimit botëror.
Po të lexonim më shumë libra do të kishim më shumë kulturë dhe po qe se do ishim më të kulturuar do dinim më shumë. Për rrjedhim do ishim më të fortë politikisht dhe ekonomikisht dhe sfidat e paragjykimeve (jo rrallë raciste) integruese europiane do t’i përballonim më lehtësisht, sepse në fund të fundit do ishim më të aftë, për të interpretuar së paku më mirë edhe historinë dhe trashëgiminë tonë europiane.
Do ishim më konkurrentë me çdo kontakt global dhe integrues, sepse mendja më e ndritur e gjithsecilit do ishte më e gjallë për të kërkuar dhe lëvruar idetë e nevojshme.
Po qe se do lexonim më shumë libra do ta kuptonim se sa pak ne dimë. Do kishim një raport tjetër më të realist me veten tonë dhe me të arsyeshëm dhe miqësor me shtetin dhe politikën, por dhe anasjelltas edhe politika dhe shteti me ne. Po të lexonim më shumë libra edhe arsimin do ta kishim më ndryshe, nga çfarë e kemi sot dhe perspektiva e edukimit të fëmijëve tanë do kishte objektiva më elitare dhe më qytetare.
Leximi i vërtet sot është në të tharë dhe këtu nuk e kam fjalën për librat rozë ose lexime të ndryshme konsumi.
Po qe se qeveria do ta kuptonte problemin që ekziston sot në raport me leximin dhe librin në përgjithësi duke aplikuar dhe nxitur leximin me programe afatgjata, shoqëria shqiptare nëpërmjet impulsive të leximit do fillonte ta kuptonte më mirë kohen që po jeton, do orientohej më qartë dhe do ta shfrytëzonte më mirë epokën digjitale të informacionit, duke arritur t’ju vërë fre edhe disa efekteve anësore të dëmshme, që ka sjellë kjo epokë, një prej të cilave është edhe venitja e dukshme e leximit.
Nëse nuk e kuptojmë se shumë nga problemet që kemi me 32 kapitujt e dosjes së negociatave për anëtarësim, kanë lidhje me nenin 26, atëherë do të jemi këtu edhe pas 26 vjetëve duke pritur në dyert e BE-së.
Leave a Reply