• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
PËLLUMB KULLA/ Sa i mërzitshëm Parlamenti pa ty!
Home
Blog

PËLLUMB KULLA/ Sa i mërzitshëm Parlamenti pa ty!

June 25th, 2020 F.autor Blog 0 comments

(19 qershor 2014)

Gjej rast, tani që një vendim i padrejtë i kryesisë së Kuvendit dënoi dhe do të lerë dhjetë ditë të gjata larg mikrofonit të parlamentit orakullin e tranzicionit shqiptar.

Kjo, ama, nuk është veçse një parathënie, si një test i shkurtër për kohën kur ky orakull, do të ketë mbyllur sytë.

Shqipërisë do t’i mungojë përgjithmonë Goja e të vërtetave të pakundërshtueshme, Goja e poezisë politike, Goja e rapsodit të shenjtë popullor. Se do të vijë ajo ditë! Si për cilindo, edhe për ne të tjerët! Po ne…Phë! Ç’humbje do të jemi ne?! Punë e madhe fort!

Po si do t’i bëhet kur të mungosh ti, orakull i shtrenjtë, o zbuluesi i tërë të vërtetave të atij vendi mëkatar! Nga kush do t’i presim të vërtetat?!

Kush si ti, mund të shqiptojë të vërteta të patundura, të pakundërshtueshme, ato që të mbërthejnë me garancinë, me sigurinë dhe vërtetësinë mahnitëse.

Ne do ta quajmë veten fatlumë që jetuam në një kohë me ty, o orakull legjendar. Ti solle një shkollë, solle një sistem moral të pakrahasueshëm në politikë.

Ti edukove breza të tërë me mënyrën e re të komunikimit, me të shara nga nëna, që mund të duken si të pista, teksa janë, në të vërtetë, gjithë hir. Të vërtetat e tua tanimë do të jenë pjesë e Eposit të Veriut.

Ti je shndërruar në legjendë. Nesër në gjykatoret shqiptare njerëzve që gjykohen do t’u kërkohet me ngulm besnikëria tek e vërteta, dhe ata nuk do të betohen më ashtu si deri tani, mbi Kod Penal, mbi Ungjill e mbi Kuran, por mbi fotografinë tënde në kornizë ari, që sekretarja e gjyqit do t’ua verë përpara.

Parlamentarët e brezave që vijnë do të bëjnë pelegrinazh te varri yt dhe kur të vijë radha të betohen për mandatet, atë rit nuk do ta bëjnë më nëpër salla kuvendi, por në varrezën ku do të prehesh ti, dhe do të venë duart solemnisht mbi gurin tënd të mermertë.

Gjithçka thua ti, o orakull i pazëvendësueshëm tashmë e tërë bota e beson që është e vërtetë, edhe sikur ajo të mos jetë. Dhe pasi e ke thënë ti, le të guxojë e vërteta të mos jetë e vërtetë!

E çfarë të të përhiroj më parë ty, orakull lavdimadh, o dashnor i të Vërtetës Absolute! Çfarë të të këndoj më parë, o arkivist besnik i vrasjeve, vjedhjeve, mashtrimeve, aksidenteve që bëhen rretheqark teje.

A do të mundet njeri në të ardhmen të tregojë me përpikmëri se kush kreu vrasje, me cilën armë, me cilin kalibër, apo nga cila tytë doli plumbi? Kurrë s’do të munden! Njerëz që do të dëshmojnë vrasjet do të ketë, sigurisht, por jo aqë shkreptimthi sikurse dëshmon ti, që i denoncon këto teksa ka dalë plumbi nga arma, por ende nuk ka arritur te viktima!

Ah, këto mendime bëhen edhe më të dhimbshme sapo të atakosh fantazinë, kur atij populli do t’i mungosh ti!

Jepua këtë parathënie dhjetëditore! Nuk je ti i dënuari. Janë ata! Dënoi këto dhjetë ditë me mungesën tënde! Mungesa dëshmon vlerat, sikurse hija dëshmon diellin. Le ta shohin se sa parlament i mërzitshëm, do të duket pa ty!

Le ta shohin kur një popull i tërë do t’u kthejë kurrizin transmetimeve televizive të kuvendit. Është e natyrshme. Cili shqiptar do t’i përfillë më, ato pamje televizive, ato, ku askush nuk mund t’u tregojë këtyre qindramijëra njerëzve të papunë, por ama, të etur për të ditur cilat janë kurvat, cilat janë prostitutat, kush tregton mishin e bardhë, kush tradhëton të shoqen, cili është me aids e cili nuk është?

Nga cila gojë do të dëgjohen të vërtetat e kulluara, se çfarë bëhet nëpër motelet e vendit tonë të lavdishëm, kush rri pa brekë dhe kush është gati t’i zhveshë ato?

Kush do t’u a thotë këto pas teje, o orakull i vyer, o burrë i lartë i racës së fisme arbërore!

*Shkëputur nga libri “Diktatura e Parasë”

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTUR AJAZI/ Doktori, “aseti kombëtar” në PD
Previous article MERO BAZE/ Kosova nuk mund të shkojë me pranga në duar në Uashington

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k